Ministrja Hoxha: Presim raportet zyrtare rreth rastit të Astrit Deharit

kot-8777Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, sot vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku edhe mbajtën një konferencë për media me rastin e vdekjes së të paraburgosurit Astrit Dehari.

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë bëhet e ditur se gjatë kësaj konference, ministrja Hoxha fillimisht ngushëlloi familjen dhe te afërmit me rastin e vdekjes së të paraburgosurit dhe me këtë rast ftoi mediat, qytetarët dhe opinionin që të respektojnë punën e institucioneve të cilat po merren me rastin e ndriçimit të rrethanave të vdekjes duke çmuar pavarësinë e secilit institucion si dhe kompetencat e tyre.

“Që nga dita e djeshme Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryej autopsinë”, ka thënë Ministrja Hoxha.

Duke shprehur përkushtimin e plotë dhe gatishmërinë e saj për sqarimin e rastit, me transparencë, ftoi që të mos bëhen paragjykime lidhur me rastin dhe theksoi se raporti do të jetë publik dhe transparent.

“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A.D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha Hoxha.

Ajo gjithashtu shtoi se Ministria e Drejtësisë do të japë informacione zyrtare dhe ato të cilat nuk e pengojnë hetimin dhe shkaktimin e çfarëdo paqartësie lidhur me rastin tragjik.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, ndërroi jetë dje në rrethana ende të paqarta. Dehari ishte arrestuar pas sulmit ndaj Parlamentin të Kosovës dhe ndodhej në paraburgim për 68 ditë në burgun e Prizrenit,

Shekulli Agency