Ministri i Jashtëm rus Lavrov vizitë në Azerbajxhan

Presidenti Aliyev tha se Azerbajxhani është vendi i vetëm që kufizohet edhe me Rusinë edhe me Iranin. Sipas tij, bashkëpunimi mes tre vendeve duhet të vlerësohet në shumë drejtime

aliyev-lavrov-4644Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov po qëndron në Azerbajxhan për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Iranit dhe Azerbajxhanit. Lavrov u prit në një takim nga presidenti azer Ilham Aliyev, raporton (AA).

Aliyev në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë për zhvillimin e takimit të tre ministrave në Baku. Ai tha se mes tre vendeve ka nisur një proces shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal.

Sipas tij, Azerbajxhani është vendi i vetëm që kufizohet edhe me Rusinë edhe me Iranin ndërsa bashkëpunimi mes tre vendeve duhet të vlerësohet në shumë drejtime.

Duke cekur konfliktet në vijën e frontit Armeni-Azerbajxhan si dhe armëpushimin e arritur më pas Aliyev tha: “Armëpushimi po zbatohej por fatkeqësisht Armenia natën e kaluar e shkeli armëpushimin. Ne Jemi përqendruar për vazhdimin e procesit të negociatave. Azerbajxhani është besnik ndaj procesit të negociatave”.

Shefi i diplomacisë ruse Lavrov tha se që të tre vendet kanë interes të përbashkët gjeostrategjik dhe gjeopolitik sa i përket korridoreve të transportit, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe të aktiviteteve të ndërsjella në fushën e energjisë.

Ai tha se ditën e nesërme me homologët iranian dhe azerbajxhanas do të formojnë një kuadër politik që do të ofrojë mundësi për realizimin e projekteve të transportit dhe të energjisë.

Lavrov vuri në dukje se duhet të ulen tensionet në vijën e fontit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

“Shpresoj se ngjarjet e fundit do të na çojnë në një punë më aktive për zgjidhje politike. Ne kemi propozime. Mbështesim plotësisht iniciativat e Bashkëkryetarëve të Grupit Minsk të OSBE-së. Dhe jo vetëm me OSBE-në por edhe me ndihmën e organizatës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar duhet të krijohet sa më parë ambienti i nevojshëm për rivendosjen e procesit politik”.

Shekulli Agency