Më 15 janar raporti final për përmbushjen e 8 kritereve për liberalizim

ministrat-605x356Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se të gjithë përfaqësuesit u zotuan për angazhim edhe më të fuqishëm për të përmbushur secilin rekomandim, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës, me meritë të plotë, t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Mustafa vlerësoi përkushtimin dhe falënderoi institucionet përkatëse si dhe të gjithë qytetarët e vendit, për kontributin e tyre në avancimin e rrugës integruese evropiane, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar maksimalisht në realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të aspiratave eurointegruese.

Shekulli Agency