Maqedoni: Zgjedhjet e 11 dhjetorit, liderët përballen në njësinë e 6-të (Video)

vot-maq-4332Partitë politike kanë filluar konsultat brenda radhëve të tyre për përpilimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit. Siç mëson televizioni Shenja nga burime brenda partive, liderët e partive shqiptare do të përballen që të gjithë në njësinë e gjashtë zgjedhore. Në këtë njësi nuk përjashtohet mundësia që të garojë edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili pas shkrimeve në disa portale maqedonase, nuk pranoi por as nuk mohoi një mundësi të tillë.

Vetëm lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, pritet që të garojë në njësinë e parë zgjedhore që mbulon Shkupin me rrethinë. Në këtë fazë, siç mësohet jozyrtarisht nga të njëjtat burime, partitë janë duke mbledhur propozimet e degëve të cilat më pas do të shqyrtohen nga organet partiake. Listat nëçdo njësi pritet të kryesohen në tre vendet e para nga kandidatë që vijnë nga zonat me numër më të madh votuesish.

Edhe në këto zgjedhje Dibra pritet që të ngelet më pak e përfaqësuar. Nga ky qytet pas ndarjes në dy njësi, në atë të pestë dhe të gjashtë, kandidatët pritet të vendosen në pozita që kanë shumë pak gjasa për të fituar mandatin.

Përndryshe, në këto zgjedhje partitë shqiptare do të garojnë me gjithsej katër lista zgjedhore, sa kanë konfirmuar deri më tani.

BDI dhe PDSH do të dalin me lista të tyre, ndërsa Lëvizja Besa dhe RDK e Fadil Zendelit pritet të dalin me listë të përbashkët, ndërsa me listë të përbashkët do të dalin edhe LR-PDSH dhe Uniteti. Pjesëmarrje në zgjedhje ka paralajmëruar edhe Partia për Prosperitet Demokratik, por ende nuk dihet nëse kjo parti do të garojë e vetme ose do t’i bashkëngjitet ndonjë koalicioni.

Arben Zeqiri /SHENJA/

Shekulli Agency