MAQEDONI – Halili reagon për dëmtimin e Muzeut të Alfabetit

halili-7688Zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, para fillimit të manifestimit për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, deklaroi se “janë ndërmarrë masat e duhura dhe hetimet janë duke u përpunuar, me qëllim që të zbulohen keqbërësit të cilët mëngjesin e sotëm vandalizuan Shtëpinë e Alfabetit Shqip në Manastir, duke thyer derën e hyrjes dhe duke shkruar ‘Vdekje për shqiptarët’ në të”.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut të Alfabetit, Nuer Arsllani, tha se në qytetin e Manastirit është vështirë të jetohet si shqiptar, pasi që incidenti i sotëm nuk është hera e parë që ndodh.

“Duke pasur parasysh se në Manastir shqiptarët janë popullsi me përqindje më të vogël, do të kisha thënë se është vështirë të jetohet si shqiptar në Manastir. Mirëpo, ne nuk ndalemi këtu dhe do t’i çmojmë vlerat tona kombëtare shqiptare dhe do ta çojmë përpara këtë muze të alfabetit të gjuhës shqipe”, u shpreh Arsllani.

Kujtojmë se në Muzeun e Alfabetit Shqip në Manastir me disa aktivitete shënohet 22 Nëntori. Manifestimi fillon me konferencën shkencore kushtuar “Kongresit të Manastirit”, ndërsa më pas do të vazhdojnë me përurimin e Dhomës Përkujtimore të Komisionit. Ky manifestim i kësaj dite, do të përfundojë me koncertin gala.

Shekulli Agency