MAQEDONI, BDI harxhoi 9.5 milionë euro për mbrojtjen e Tarçullovskit (VIDEO)

afrim-gashi-620x330Lëvizja Besa ka reaguar pas publikimit të informacioneve se Qeveria e udhëhequr nga koalicioni VMRO-BDI kishte ndarë 9.5 milionë euro për mbrojtjen e Lube Boshkovskit dhe Johan Tarçullovskit, në periudhën 2008-2013. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Afrim Gashi, e ka quajtur tradhtikëtë vepër nga ana e BDI-së, duke thënë se rrjedhimisht Ahmeti dhe BDI-ja e kanë përkrahur ndarjen e milionave për mbrojtjen e kriminelëve të dyshuar dhe të dënuar për krime ndaj shqiptarëve të Lubotenit. Ai më tej shtoi se Lubotenit i nevojitet përkrahja e çdo shqiptari në Maqedoni, për ta ndëshkuar BDI-në, siç ka theksur ai “për këtë tradhti që ua kanë bërë atyre pas shpine”.

“Por, ajo që na ka shqetësuar neve si shqiptar në Maqedoni është edhe fakti se gjatë gjithë kohës nga viti 2006 e deri më 2013 sa janë ndarë mjete buxhetore për mbrojtjen e Tarçullovskit dhe Boshkovskit, pjesëmarrës në Qeveri kanë qenë edhe partitë shqiptare. A ka ironi më të madhe që mjetet e ndara nga buxheti, ku derdhen edhe kontributet e lubotenasve, të shfrytëzohen për mbrojtje të vrasësve të tyre. Nëse BDI ka përkrahur një gjë të tillë, kjo tregon se nuk ua duan të mirën shqiptarëve”, tha Afrim Gashi nga Lëvizja Besa.

Sipas tij, me ato para do t’u sigurohej kompensim mujor për rrafsh 40 vitet e ardhshme për 82 familje të dëshmorëve dhe 175 invalidëve të UÇK-së.

Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Besa, Zeqirija Ibrahimi, i cili është me origjinë nga ky fshat, theksoi se  në këtë rast s’kemi të bëjmë më me çështje të politikës, por kemi të bëjmë me çështje të sedrës. Ai u ka bërë thirrje banorëve të Lubotenit që të jenë të kujdesshëm në këto zgjedhje.

“E di se varfëria që e ka imponuar ky pushtet, shpeshherë i vë njerëzit në dilemë se çfarë është zgjidhja më e mirë por edhe sikur gjithë shqiptarët e tjerë të jenë në këtë dilemë, shqiptarët e fshatit tim s’guxojnë ta kenë këtë dilemë. Ata duhen ta kenë shumë të qartë se vota për BDI është votë për Johan Tarçullovski”, tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.

Reagimi i Lëvizjes Besa vjen pasi rrjeti i gazetarëve hulumtues BIRN disa ditë më parë publikoi një hulumtim sipas të cilit Qeveria e Maqedonisë në periudhën 2008-2013 ka ndarë 9.5 milionë euro për mbrojtjen e Lube Boshkovskit dhe Johan Tarçullovskit.

Teuta Buçi /SHENJA/

Shekulli Agency