Lista Serbe sërish “ngrin” pjesëmarrjen në institucione

Përfaqësuesit politik të serbëve njoftuan se sërish ngrijnë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës, dhe në përputhje me kërkesën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ministrja e sapoemëruar Mirjana Jevtiç tërhiqet nga pozita.

Në njoftimin e Listës Serbe theksohet se “kryetari Aleksandar Vuçiç, kryetari i Qeverisë sonë të vetme dhe autoriteti i tij, si për ne, ashtu edhe për të gjithë serbët në Kosovë është i pakontestueshëm”.

Më tej thuhet se deputetët e Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës zbatojnë të gjitha vendimet e kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Vuçiç dhe ngrijnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe në përputhje me kërkesën e kryetarit Vuçiç, Mirjana Jevtiç braktis Ministrinë e Administratës së Vetqeverisjes Lokale, sepse Mirjana Jevtiç, si serbe e Kosovës, respekton autoritetin dhe kërkesën e kryeministrit të Serbisë.

Deri te ky vendim erdhi vetëm dy ditë pas takimit të Vuçiçit me të gjithë përfaqësuesit politik të serbëve në Kosovë, i cili prej tyre kërkoi unitet dhe u vendosi afat që deri më 31 dhjetor të tërheqin të gjithë vendimet e dëmshme.

Në njoftim shtohet se veprimi i Listës Serbe, e cila bashkon të gjithë serbët në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, duhet të jetë një shembull i unitetit dhe luftës së përbashkët për formimin e ardhshëm të Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

“Aleksandar Vuçiç ka besimin tonë të plotë dhe falënderojmë për punën dhe përkushtimin e zgjidhjes së problemeve tona. Vuçiçi është kryeministri jonë, e jo Mustafa, ashtu ka qenë dhe ashtu do të jetë”, theksohet në njoftimin.

Deri te ndarja e serbëve erdhi pasi kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përmes marrëveshjes me disa deputetë të Listës Serbe ndërroi ministrin Ljubomir Mariç dhe vendosi Mirjana Jevtiç në vend të tij.

Një pjesë e Listës Serbe më pas të enjten u kthye në Kuvendin e Kosovës pas pothuajse tre muaj bojkotim të punës së institucioneve qendrore kosovare për shkak të miratimit të Ligjit për Trepçën dhe për investimet strategjike.


Shekulli Agency