Krerët e PS braktisin referendumin e Ramës

rama-selia-7665Krerët e Partisë Socialiste në rrethe nuk e kanë marrë seriozisht referendumin për cështjen e kryetarit.

Kryeministri Edi Rama, zhvilloi të martën një mbledhje urgjente me krerët e PS për ti kërkuar nisjen e takimeve me socialistët e bazës, por dicka e tillë nuk ka ndodhur.

Rama ndjen presionin e deputetit Ben Blushi, i cili do të bëjë fushatë që partia të shkojë në zgjedhje për kryetar. Kjo gjë ka nxitur Ramën të kërkojë mobilizimin e anëtarësisë nga krerët e PS në rrethe.

Gazeta “Sot” shkruan se disa krerë në rrethe janë shprehur se nuk kanë nisur asnjë takim me bazën, por thjesht janë njoftuar që referendumi do të mbahet në 9 prill. Kreu i PS në Lushnje, Bujar Çela, u shpreh se nuk është nevoja të zhvillohen takime sepse anëtarësia është e vëmendshme.

Në Shkodër duket se nuk ka lëvizje, duke pasur parasysh edhe vetë deputetët e këtij qarku, të cilët kanë kërkuar zgjedhje për kryetarin.

Pritet që Rama të zhvillojë një takim të dytë me krerët e PS dhe të ftojnë anëtarësinë që të mblidhen në një takim për të diskutuar mbi referendumin.

Shekulli Agency