Kosovë, lirohet deputetja Aida Dërguti

Deputetja Dërguti sot në mëngjes u ndalua nga Policia e Kosovës, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti e cila sot u ndalua nga policia e Kosovës bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas dërgimit të saj në gjykatë u lirua dhe tani gjendet në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, raporton (AA).

Deputetja Dërguti sot në mëngjes u ndalua nga Policia e Kosovës, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që erdhi pasi që ajo kishte refuzuar disa herë ftesat e gjykatës për të marrë pjesë në seancat gjyqësore.

Ndryshe, në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se urdhërarresti për deputeten Dërguti është lëshuar me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shekulli Agency