Konjufca: Në Kosovë ende ekzistojnë strukturat paralele serbe

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për ekzistencën, sipas tij, të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë

111-Glauk-KonjufcaSeanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohen disa projektligje, ka filluar sot me deklaratat e deputetëve jashtë rendit të ditës. Kreu i grupit parlamentar të partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për ekzistencën, sipas tij, të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Konjufca prezantoi një fotografi ku shihet kryetari i komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiç, i cili është me armë zjarri në një poligon të cilën e ka ndërtuar Serbia në veri të Kosovës. Ai u shpreh se këtu po veprojnë në mënyrë të armatosur edhe strukturat paralele serbe në veri.

“Këto ne do t’ja dorëzojmë Prokurorisë së Republikës së Kosovës që të merret me këto raste. Por unë shtroj pyetjen nëse ka dijeni Qeveria e Kosovës për këto”, u shpreh Konjufca.

Ai ka përmendur edhe disa emra serbësh që po marrin pjesë, sipas tij, në qitje me armë në këtë poligon, të cilët i quajti si struktura paralele dhe të paligjshme dhe u shpreh se të gjithë ata marrin paga nga Serbia.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, vuri në dukje rastin tragjik që ndodhi javën e kaluar në Prizren ku si pasojë e shembjes së murit të një shtëpie të vjetër që i përket Qendrës Historike, humbi jetën trevjeçarja me inicialet Xh. G. Ajo shtoi se drejtësia duhet të veprojë dhe ta trajtojë me prioritet që të dihen saktë shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarjeje.

Ndërsa kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, bëri të ditur se Fatmir Xhelili prej sot do të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës, në vend të Azem Sylës që dha dorëheqje pasi po hetohet dhe se në Kuvend do të hyjnë edhe Driton Çaushi në vend të Besnik Bislimit të Vetëvendosjes dhe Shukri Buja që do të zëvendësojë deputetin Enver Hoxhaj që do të jetë përsëri në postin e kryediplomatit të Kosovës.

Shekulli Agency