Këshilli i Evropës diskuton për zgjedhjet në Maqedoni

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka vlerësuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare si hap thelbësor në zgjidhjen e krizës së thellë politike. Duke e prezantuar raportin e konkluzioneve të Asamblesë Parlamentare pas misionit monitorues të zgjedhjeve në vend, socialisti austriak, Shtefan Shenah përkujtoi arsyen e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, pra, krizën politike, e cila ka zgjatur dy vite, pas bojkotit të Parlamentit të opozitës dhe intervenimit masiv të Bashkimit Evropian, e cila ka sjellë deri në progres, mes tjerash edhe me ndryshime në Qeveri dhe formimin e PSP-së. Parlamentari austriak, i cili e ka udhëhequr delegacionin e APKE¬-së në Maqedoni gjatë zgjedhjeve, ka shprehur edhe shqetësim pasi që akoma nuk është formuar qeveria. Në konkluzionet e kësaj asambleje është theksuar se çështjet kryesore, siç janë regjistrimi i votuesve dhe mediat, duhet të zgjidhen përgjithmonë.

“Deri më tani nuk është formuar qeveria dhe kjo na shqetëson, ne si Këshill i Evropës duhet ta përcjellim këtë. Fushata ishte konkurruese, por ajo u mbajt në klimë e cila karakterizohet me mosbesim në institucionet dhe në establishmentin politik dhe dyshimet për presion mbi votuesit. Administrata zgjedhore ka punuar shumë në përgatitjet për zgjedhjet dhe nuk i respekton të gjitha afatet, por në ditën e zgjedhjeve ato kanë qenë mirë të zbatuara dhe kanë kaluar pa incidente të mëdha”, vlerëson Asambleja Parlamentare e KE-së.

Në raport më tej qëndron se mangësitë juridike dhe strukturore për mirëmbajtjen e listave zgjedhore akoma duhet të zgjidhen. Më tej theksohet se, procesi i revizionit e përmirësoi saktësinë e votuesve të regjistruar, por duket se ajo çoi që disa qytetarë të privohen nga mundësia për të votuar në këto zgjedhje”, thuhet në konstatime. Nga Asambleja Parlamentare vlerësojnë se edhe pse liritë themelore kryesisht janë respektuar në tërësi dhe kandidatët lirshëm kanë mundur ta udhëheqin fushatën e tyre, zgjedhjet janë mbajtur në një klimë e cila është karakterizuar me mungesën e besimit publik në institucione dhe në establishmentin politik.

“Dyshime për frikësimin e votuesve, presion i gjerë ndaj nëpunësve shtetërorë, blerje votash dhe keqpërdorim të resurseve administrative kishte gjatë fushatës. Kjo përfshin kanosje të drejtpërdrejta për humbjen e pozitave të punës për ata të cilët nuk do të votojnë siç kërkohet”, qëndron më tej në vlerësimin e Asamblesë Parlamentare të KE-së.

Në raport thuhet se Asambleja Parlamentare dhe Komisioni i Venecias do të vazhdojnë të punojnë së bashku me autoritetet e Republikës së Maqedonisë në fushën e zgjedhjeve dhe në përforcimin e institucioneve demokratike përmes aktiviteteve për bashkëpunim.

/SHENJA/

Shekulli Agency