Ivaniç: Ripërtëritja e padisë së BeH kundër Serbisë çon në krize të re

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Mladen Ivaniç sot në Beograd deklaroi se padia kundër Serbisë, të cilën “dëshirojnë të ngrenë një pjesë e politikanëve boshnjakë” mund të jetë burim i tensioneve të reja, raporton (AA).

“Tensione tjera dhe më shumë nga ato që ekzistojnë. Para së gjithash, një pjesë e politikanëve boshnjakë janë duke u përpjekur që të ripërtërijnë padinë kundër Serbisë, kundër së cilës jam unë dhe të gjithë politikanët nga radhët e popullit serb, por edhe ata kroat, dhe mendoj se kjo mund të çojë drejt një krize të re”, tha Ivaniç.

Ai shtoi se të gjithë e kanë të qartë se “Bosnjë e Hercegovina si shtet nuk qëndron prapa kësaj padie”.

I pyetur që të tregojë se cilët politikanë konkretisht duan ripërtëritjen e padisë së BeH-së kundër Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Ivaniç tha se kryesisht këta janë “politikanët boshnjakë”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në shkurt të vitit 2007, refuzoi padinë e BeH-së kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë, konkretisht Serbisë, për agresion dhe gjenocid, si të pabazë.
Ky vendim i jep BeH-së mundësinë që brenda dhjetë viteve të fillon procedurë të rishikimit, nëse brenda kësaj periudhe mund të mbledhë dhe të paraqesë prova të reja me të cilat mund të dyfishojë padinë. Afati për fillimin e procedurës së rishqyrtimit përfundon në shkurt 2017.

Shekulli Agency