Hapësirat publike në Tiranë/ Bashkia vendos rregulla të reja, ja 6 kategoritë që do lejohen

tirane-76555Bashkia e Tiranës ka përcaktuar rregulla të reja për zënien e hapësirave publike nga aktivitete të ndryshme, si lokale, restorante, bare, fast-food, etj. Kjo rregullore synon rregullimin e menaxhimit të hapësirës publike brenda territorit në juridiksionin e Bashkisë së Tiranës.

“SOT” shkruan se një ndër risitë që do të sjellë rregullorja është fakti që çdo subjekt që kërkon të ushtrojë aktivitetin e tij në hapësirat publike duhet të pajiset me leje nga Bashkia, duke i përcaktuar ndër të tjera edhe kohëzgjatjen e lejes dhe të gjitha detyrimet që do të kenë subjektet kundrejt bashkisë për mirëmbajtjen, detyrimet financiare dhe sanksionet që i ngarkohen subjektit për shkeljet. Aktivitet që do të lejohen të ushtrohen në hapësirat publike janë konsideruar të ndara në 6 kategori si: Zënia e hapësirave publike nga shërbime restoracioni dhe rekreative si, por pa u kufizuar, në bare, restorante, fast-food, piceri, hoteleri e të ngjashme; zhvillimi i aktiviteteve ambulatore në hapësirat publike; ekspozimi i mallrave jashtë njësisë së tregtimit; zhvillimi i panaireve; zhvillimi i aktiviteteve argëtuese, kulturore dhe manifestimet publike; tregtimi i shtypit dhe kinkalerive në hapësirat publike.

Por nëse konstatohen shkelje në zënien e hapësirës publike, kur nuk janë zbatuar kriteret e lejes së dhënë nga bashkia, atëherë subjektit i vendoset gjobë, ose i pezullohet leja, ose i shfuqizohet. Sipas rregullores së re, konsiderohet shkelje: Zënia e hapësirës pa u pajisur me leje; ushtrimi i aktivitetit në një hapësirë më të madhe se ajo e përcaktuar; instalimi i pajisjeve për të cilat nuk ka marrë lejen përkatëse; kur mosmirëmbajtja e pajisjeve dëshmon` dekorin e qytetit ose përbën rrezik për jetën e qytetarëve; ndryshimet që nuk pajtohen me kushtet për të cilat i është lëshuar leja; subjekti nuk mban pastër hapësirën e cila i është lënë në dispozicion; subjekti nuk paguan tarifën për zënien e hapësirës publike brenda afateve të përcaktuara në leje, etj.

Shekulli Agency