Gaz lotsjellës përsëri në Kuvend, ndërpritet seanca

parlament-kosoveDy minuta pasi në sallën e Parlamentit të Kosovës kishte hyrë kryeparlamentari Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës për ta ndërprerë punën e institucionit.

“Mos, mos kështu. Pauzë, veç pak. Shkoni në pauzë, prapë po e përjashtoni vetveten. Kjo është e panevojshme”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli duke dhënë pauzë dhe kërkuar daljen nga salla e të gjithë të pranishmëve, për t’u ajrosur dhe spastruar salla plenare nga gazi.

Deputetët e opozitës e kanë injoruar këtë thirrje të Veselit dhe përkundër thirrjeve kanë qëndruar në sallë, pa maska mbrojtëse kurse sigurimi policor i cili ishte brenda sallës së parlamentit, vendosi maskat dhe po qëndron aty.

Para fillimit të mbledhjes së sotme, kontrolli i sigurimit të parlamentit në hyrje ka qenë shumë më i detajuar se zakonisht.

Pika kryesore e rendit të ditës së seancës së sotme është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, ndërsa do të diskutohen 28 pika të rendit të ditës. Kjo pritet të jetë një nga seancat më të gjata por, opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë me bllokimin e punimeve siç ka bërë tash e 3 muaj dhe kjo ka ndodhur.

Shekulli Agency