Fillon rrënimi i murit në veri të Mitrovicës

Autoritetet lokale në veri të Mitrovicës kanë filluar rrënimin e murit para urës në lumin Ibër, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve.

Muri me një gjatësi prej rreth 50 metra mbrëmë u rrethua me gardh prej alumini, ndërsa sot ka filluar shembja e tij.

Situata është e qetë, ndërsa interesimi i qytetarëve është tejet i dobët pasi nuk ka fare qytetarë të mbledhur te muri në urë. Në afërsi të murit vërehet prani e përforcuar e policisë, ndërkohë që mund të shihen edhe pjesëtarë të karabinierëve italianë që janë pjesë e KFOR-it.

Shembja e murit i cili kishte shkaktuar më herët tensione të shumta mes shqiptarëve dhe serbëve po ndiqet nga shumë media kosovare, por edhe të huaja.

Pas përfundimit të shembjes së murit, të hënën apo të martën do të fillojë përpilimi i një zgjidhjeje të re projektuese, pasi siç tha kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, do të ndërtohet një kaskadë e gjatë 70 centimetra në brendësi të pjesës veriore dhe e njëjta do të shërbejë si pengesë për automjetet që të mos lëvizin në zonën e këmbësorëve në rrugën kryesore në veri të qytetit.

Sipas Rakiç parashihet që në njërën pjesë të zonës së këmbësoreve të vendosen 6 shtylla çeliku, të cilat do funksionojnë me telekomandë, që do të jetë në duar të ndihmës së shpejtë dhe shërbimeve zjarrfikëse nga Mitrovica Veriore.

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore njëzëshëm miratuan marrëveshjen, të cilën kryetari i kësaj pjesë të qytetit Goran Rakiç nënshkroi me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

Garantues të marrëveshjes janë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.

Shekulli Agency