Fillojnë punimet për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

mit-uraMe heqjen e barrikadës sot në mëngjes filluan punimet për rivitalizimin e urës në lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në dy pjesë, veriore në të cilën shumica jetojnë serbë, dhe jugore në të cilën shumica jetojnë shqiptarë, raporton (AA).

Plani për rivitalizimin është caktuar me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar në gusht të vitit 2015, ndërsa punët i kryen një ndërmarrje të cilën e ka angazhuar Bashkimi Evropian.

Në fillimin e punimeve ishte i pranishëm vetëm kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri i cili tha se hapja e urës është gjë e mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, meqë qyteti do të bashkohet dhe qytetarët do të mund lirshëm të lëvizin edhe në këmbë edhe me automjete.

“Në këtë vend ka patur me ton dhe, ndërsa më pas është vendosur Parku i paqes të cilin e kam quajtur parku i turpit, por ka ardhur koha që të rivitalizohet edhe kjo urë”, tha Bahtiri para shumë mediave të cilët ndiqnin fillimin e punëve. Ai falënderoi të gjithë qytetarët të cilit kishin durim dhe pritën që të realizohet stabiliteti, ndërsa “stabiliteti dhe mirëkuptimi na nevojiten edhe më tej.”

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç i cili sot nuk u paraqit tek ura, njoftoi një ditë herët se do të ndjekë punimet për urën dhe ndërtimin e zonës së këmbësorëve në Mitrovicën e Veriut.

Rakiç tha se, siç është parashikuar me marrëveshjen, punimet të cilat i financon BE-ja me rreth një milion euro të zgjasin katër muaj me qëllim që ura të bëhet për këmbësorët, e më pas edhe komunikacioni të hapet më 20 janar të vitit të ardhshëm.

Rivitalizimi i urës fillimisht duhej të fillonte vitin e kaluar dhe punimet të kryheshin në qershor të këtij viti, por ato u anuluan për shkak të problemit të kufizimit të dy komunave, ku insistonte pala serbe, konkretisht zyrtarët e Mitrovicës së Veriut.

Bahtiri pyetjes së gazetarëve nëse kjo çështje tani është zgjidhur tha se “mendoj se po”. Po ashtu ai tha se xhamia afër urës, e cila u dogj gjatë bombardimit të vitit 1999, e cila është në pronësi të Bashkësisë Fetare Islame të Kosovës, do të rindërtohet.

Rindërtimi i urës, një investim me vlerë mbi 1.2 milionë euro, të cilin e financon Bashkimi Evropian, në masë të madhe do të kontribuojë në lehtësimin e kontakteve të njerëzve në Mitrovicën e Veriut, Jugut dhe më gjerë.

Me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, ura në Mitrovicë do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve mes bashkësive në Kosovë, njoftuan nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Pritet që ura në Mitrovicë të hapet për këmbësorë dhe automjete në të dyja drejtimet, në pajtim me rekomandimet të vlerësimit teknik dhe dizajnit arkitektonik, ku të dyja palët u morën vesh në qershor të vitit 2015.

Së bashku me kryetarët e komunave, një grup pune rregullisht do të monitorojë kushtet politike dhe të sigurisë në komunat gjatë dhe pas procesit të rindërtimit. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i në pajtim me mandatet e tyre do të garantojnë një mjedis të sigurtë.

Shekulli Agency