Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë, por nuk dihet kur

Dacic-ThaciDialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të vazhdojë, por se kur do të nisë, nuk dihet ende. Derisa njohësit e rrethanave politike thonë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa u zgjidhur kriza politike në vend, zyrtarët qeveritar thonë se dialogu do të vazhdojë ngase është në interesin e Kosovës.

E vetë kryeministri Isa Mustafa ka thënë se para se të nisë dialogu pret nga Brukseli që fillimisht të ketë një përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave.

Brukseli zyrtar ka paralajmëruar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nisë menjëherë në fillim të vitit 2016. Për vazhdimin e dialogut flasin edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, por se kur do të nisë raundi i ri, nuk dihet ende.

As vetë kryeministri Isa Mustafa nuk është i sigurt se kur do të vazhdojë dialogu. Në konferencën e fundvitit, Mustafa tha se fillimisht pret nga Brukseli përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave??

“Duhet ta kemi edhe ne një përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian se edhe kërkesat dhe nevojat e Kosovës po merren parasysh dhe mos të fitohet përshtypja se edhe BE-ja po punon në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Mustafa.

Njohësit e rrethanave politike thonë se dialogu në Bruksel nuk duhet të vazhdojë pa u zgjidhur kriza politike.

Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike thotë se nuk është normale që Qeveria ta vazhdojë dialogun me Serbinë pa garantuar që Kosova të dalë nga kjo krizë politike me një konsensus të të gjithë akterëve politikë në Kosovë mbi atë se si duhet të udhëhiqet dialogu me Serbinë dhe çfarë parimesh duhet ndjekë Kosova në këtë dialog.

Sipas tij, dialogu i deritashëm ka prodhuar efekte jashtëzakonisht negative në Kosovë, por edhe ia ka humbur Kosovës mundësinë që të fokusohet në zhvillimi ne saj të brendshëm.

“Duke ditur këto pasoja, është e nevojshme që Kosova të rimendojë qasjen e saj në dialog, të zhvlerësojë rëndësinë që qeveritë e mëhershme i kanë dhënë dialogut Kosovë-Serbi dhe të fokusohet në punët e brendshme të saj, së pari duke zgjidhur krizën politike dhe së dyti duke filluar që të ndërtojë Kosovën përbrenda saj”, tha Doli për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, Qeveria është e vendosur ta vazhdojë dialogun në Bruksel. Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa, thotë se dialogu është interes i Kosovës, andaj ai do të vazhdojë.

“Dialogu do të vazhdojë. Tash unë nuk mund t’ju them a do të vazhdojë në janar, në shkurt apo në mars, por dialogu do të vazhdojë, sepse është interes kombëtar. Pra në këtë dialog nuk jemi as për qejf, as për inatin e Serbisë, por për interesin kombëtar kosovar dhe ne këtë do ta vazhdojmë”, tha Gecaj për Radio Kosovën.

Ndryshe, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Brukselit është në progres, ndërsa bisedimet e radhës në nivelin e kryeministrave mund të priten në fillim të vitit 2016.

Zyrtarët e Kosovës kanë theksuar se temat e dialogut do të jenë lidhur me implementimin e marrëveshjeve të arritura në fushën e lëvizjes së lirë, diplomave dhe kadastrës. Kurse në anën tjetër, zyrtarët e Serbisë, kanë përmendur tema të tjera.

Pas marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas tyre, në tavolinën e bisedimeve mund të shtrohen edhe statusi i pronësisë së Kishës Ortodokse serbe, pronat publike dhe private të serbëve, personat e pagjetur dhe njohja e diplomave universitare.

Shekulli Agency