Demi-Murtezi: Për tolerancën ndërfetare e ndëretnike, meritor qytetarët e të gjitha besimeve

labinotaBashkëjetesa ndërfetare në Kosovë ka traditë të gjatë dhe bazë të shëndoshë, ngase komunitetet fetare asnjëherë nuk kanë qenë shkaktarë të problemeve as fqinjësore e as tendencioze publike. Kështu tha deputetja nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murterzi sot gjatë seancës plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Deputetja Demi-Murtezi, duke folu për tolerancën ndërfetare në Kosovë ka potencuar se klerikët fetarë dhe qytetarët tanë janë gjithmonë bashkë në kremtat e njëri-tjetrit, në mbështetjen dhe fuqizimin e politikave dobiprurëse për kultivim të vazhdueshëm të kësaj harmonie, por mbi të gjitha janë gjithmonë prezentë në aktivitetet humane e solidarizuese për nevojat e qytetarëve.

Ajo shtoi se edhe prijësit e institucioneve tona me te drejtë mburren me tolerancën ndërfetare në vend, dhe besimtarët e të gjitha besimeve kanë konsideratë për të mirën e përgjithshme dhe imazhin e vendit.

“Kur flasim për tolerancën ndërfetare e ndëretnike, kjo është meritë e plotë e qytetarëve të të gjitha besimeve dhe shembull ideal për ta ndjekur edhe klasa politike. Kjo dëshmon pjekurinë, kulturën dhe qytetarinë tonë karshi situatave të rënda tendencioze”, ka pohuar deputetja Demi-Murtezi.
Mirëpo, deputetja nga radhët e PD-së ka thënë se vendi ynë është shtet i ri dhe ende shumë i brisht për t’u trajtuar me standarde të dyfishta varësisht nga momenti i caktuar, duke shtuar se në jo pak raste muslimanëve të Kosovës po u bëhet padrejtësi.

“Mosha jonë e re dhe tranzicioni i pasluftës nuk na kanë penguar që t’i bashkangjitemi vendeve tjera në luftën kundër terrorizmit global, i cili terror në vazhdimësi i mveshet muslimanëve. Në gjithë këtë padrejtësi që po bëhet, muslimanët e Kosovës asnjëherë nuk u dekurajuan për të vazhduar devotshmërinë e tyre dhe përkushtimin e madh të ruajtjes së traditës sonë kombëtare e fetare, duke qenë shembuj idealë e kolektiv të vlerave të mirëfillta kulturore, integruese evropiane, e mbi te gjitha paqedashës”, ka shtuar Murtezi.

Shekulli Agency