Debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi

kuv-kosKuvendi i Republikës së Kosovës mban seancën plenare, në të cilën do të shqyrtohen një sërë projekt-ligjesh dhe raportesh.

Seanca filloi me debate jashtë rendit të ditës, ku deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi kërkoi nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që të organizojë një takim apo një tryezë diskutimi në mes të Komisionit shtetëror dhe të ekspertëve për ta shqyrtuar çështjen e demarkacionit.

“Për më tepër se një vit, përpjekje dhe punë të pandalshme së bashku me disa kolegë të fushave të tjera, si juristë, gjeodetë, historianë, ekonomistë dhe njohës të fushës të së drejtës ndërkombëtare kemi punuar në mënyrë intensive për gjetjen, grumbullimin dhe prezantimin e fakteve të shumta në lidhje me vërtetësinë e kufirit Kosovë-Mali i Zi. Deri më tani, me apo pa vetëdije, askush nga institucionet shtetërore dhe komisioni për demarkim nuk i ka marrë në shqyrtim faktet tona”, u shpreh Bulliqi.

Ndërsa, kryetari Veseli u shpreh se çështja e demarkacionit shumë shpejtë do të vijë në Kuvend dhe shtoi se janë të gatshëm që të organizojnë një tryezë diskutimi, për të cilën duhet të bëhet kërkesa zyrtare. Veseli gjithashtu theksoi se ende nuk kanë materiale rreth kësaj çështjeje sepse Qeveria nuk kishte kushte për ta bërë këtë. Ai shtoi se sapo ta marrin materialin do të organizojnë tryezën, ku pjesëmarrës do të jenë jo vetëm ekspertët por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Ndërkohë, kryetari partisë opozitare “Lëvizja Vetëvendosje”, Visar Ymeri, u shpreh se nuk ka paqartësi rreth çështjes së demarkacionit dhe se ajo çka është e qartë është se demarkacioni e dëmton Kosovën.

“Këtu e kemi një numër të njerëzve që nuk duan ta kuptojnë të vërtetën. Prandaj edhe debati për këtë që po e proklamon ky demokrati i madh që është vendosur në krye të Kuvendit, është debat i kotë, sepse flet me njerëz të cilët tashmë e dinë që kanë bërë keq por nuk duan ta pranojnë, sepse kanë interes të drejtpërdrejtë. Pra, këta e dëmtojnë Kosovën jo prej padijes, por për shkak të interesit personal”, u shpreh Ymeri.

Duke shprehur se “Nuk duhet bërë vegël e lojës së personave individualë” të cilët duan ta mbrojnë interesin e tyre politik, Veseli u shpreh se marrëveshja duhet rishikuar dhe procesi duhet të fillojë nga zero, duke mos dëmtuar asnjërën prej palëve, as të Kosovës e as të Malit të Zi.

Ndërkaq, kryetari Veseli, duke iu përgjigjur Ymerit u shpreh se të gjithë kanë privilegj të njëjtë për të diskutuar për demarkacionin dhe shtoi se Vetëvendosjes më tepër i interesojnë çështjet se çfarë bëjnë “Hashimi, Veseli e Mustafa” sesa çështja e demarkacionit.

“Ju nuk lejoni as të bisedojmë dhe as nuk dini se çfarë mendimi kemi, as çfarë vendimi do të marrim. Leni mundësinë, edhe një herë le të na dëgjojnë dhe pastaj vendimmarrja do të jetë transparente, ti së bashku me të gjithë kolegët duhet të dini se nuk mund të na ndalni, as me zor nuk mund të na ndalni. Mos na lini në pozitë të keqe, të gjithë e kemi çliruar Kosovën dhe mendoj se të gjithë mendojmë për të mirën Kosovës. A ka mundësi që një herë në Kuvend të na lejoni të flasim lirshëm për çështjen e demarkacionit dhe asociacionit”, u shpreh Veseli.

Në rendin e ditës së seancës së sotme plenare të Kuvendit, ndër të tjera, është shqyrtimi i parë i projekt-ligjit për ndryshimin e ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.

Shekulli Agency