BESA prezanton idenë e Këshillit Mbipartiak në ambasadën holandeze

besaKryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe anëtari i Kryesisë Qendrore, Zeqirija Ibrahimi, gjatë ditës së sotme kanë realizuar një takim në ambasadën holandeze në Shkup.

Gjatë takimit me ambasadorin holandez, Vauter Plomp, përfaqësuesit e Lëvizjes BESA bashkëbiseduan për proceset aktuale politike nëpër të cilat kalon Maqedonia, e në veçanti për ngecjen e marrëveshjes së “Përzhinos”.

“Me këtë rast përfaqësuesit e Lëvizjes BESA konstatuan se dështimi i bisedimeve është një prapakthim në rrugën e integrimit të vendit në NATO dhe BE, ashtu që secili që i kontribuon këtij dështimi është pjesëmarrës në ndërrimin e kursit të vendit”, theksohet në njoftimin e Departamentit për Informim të Lëvizjes BESA.

Më tutje, ambasadorit holandez iu sqarua ideja dhe qëllimi i Këshillit Mbipartiak, i cili po përkrahet vazhdimisht nga i të gjitha forcat progresive opozitare në vend, e që pritet brenda një kohe të shkurtër të marrë formë dhe të fillojë me takimet e para. /SHENJA/

Shekulli Agency