Beqaj: Bashkëpunim me Turqinë për urgjencën mjekësore

Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, gjatë seancës të mbajtur sot në Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, ka folur për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të urgjencës mjekësore, duke u ndalur edhe tek bashkëpunimi Shqipëri-Turqi.

Ministri Beqaj gjatë fjalës së tij në komision është ndalur tek bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë në sektorin e shëndetësisë, ku ai ka theksuar se pritet që gjatë muajt prill Turqia të dhurojë dhjetëra autoambulanca për sistemin shëndetësor shqiptar.

“Funksionimi i urgjencës mjekësore në territor është jo vetëm një domosdoshmëri për të ofruar një shërbim sa më të mirë për qytetarët, por gjithashtu është një nga angazhimet kryesore të programit të qeverisë për shëndetësinë. Është një nga pesë objektivat kryesorë. Ne presim që gjatë muajt prill të marrim në formë dhurate rreth 40 autoambulanca nga TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim), në kuadër të bashkëpunimit me Turqinë. Këto 40 autoambulanca do ti shtohen flotës ekzistuese për të patur një rinovim të flotës, por sidomos një përmirësim të ndjeshëm të pajisjeve mjekësore që janë brenda autoambulancave”, është shprehur ministri Beqaj.

Sipas tij, në 3 vite e gjysmë është arritur të sigurohet mbështetje ligjore dhe mbështetjeje institucionale për urgjencën mjekësore.

Ministri ka shtuar më tej se “Kemi mbështetje financiare që është program i veçantë buxhetor, mbështetje me burimet njerëzore sepse në funksion të përmbushjes së angazhimeve janë rreth 500 vete të punësuar rishtas në gjithë spitalet e vendit.”

Gjithashtu Beqaj ka folur edhe për çështje të tjera rreth sektorit të shëndetësisë, duke ju përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Shekulli Agency