BDI-ja para zgjedhjeve me oratori mashtruese

ali-ahmetiPartia më e madhe shqiptare në pushtet në Maqedoni, BDI-ja, kërcënon se në procesin e formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve të prillit në 2016-tën do të vendosë tre kushte kryesore para kryeministrit të ardhshëm maqedonas. BDI-ja do të kërkojë barazi të plotë mes maqedonasve dhe shqiptarëve, integrim në BE e NATO, si dhe përparim ekonomik, përndryshe nuk do bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme. Kështu ka bërë të ditur për gazetën DNEVNIK zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. Sipas tij, mandati i ardhshëm i partisë së Ahmetit duhet t’i përmbyllë të gjitha planet e filluara prej BDI-së që nga viti 2002.

“Mandati i BDI-së pas zgjedhjeve do të jetë mandat për të përmbyllur proceset e filluara në vitin 2002.
Ky mision ka tre qëllime të përhershme. Ai i brendshëm, dhe integrimi i Maqedonisë në BE e NATO. Barazi e plotë e shqiptarëve dhe maqedonasve në të gjitha nivelet, si dhe përparim ekonomik. Që shteti të mund t’i përkushtohet përparimit ekonomik, patjetër duhet të realizohet integrimi dhe barazia mes maqedonasve e shqiptarëve. BDI-ja do t’i vendosë këto tre qëllime strategjike politike si parakusht në tryezën e bisedimeve për formimin e qeverisë së re,” ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Para se të ndalet në analizimin e aspektit ekonomik si një ndër kërkesat kryesore të BDI-së për zgjedhjet e ardhshme, eksperti ekonomik Ali Maksuti analizoi fillimisht pikat e tjera për tesheshi.com. Në këndvështrimin e Maksutit, rënia e besueshmërisë së popullatës tek partia në pushtet vërehet edhe tek vetë funksionarët e saj, që me anë të këtyre deklaratave japin mesazhin e qartë se për 13 vite e kanë mbajtur peng popullatën shqiptare në Maqedoni vetëm me këto pika mashtrimi.

“Ka një habi këtu, se këto pika i përmendin zyrtarët e partisë në pushtet sikur bëhet fjalë për gjëra risi, a thua se u plotësuan të tëra dhe tash kanë mbetur vetëm këto e përmbushet misioni. Realisht këto janë pikat e mashtrimit. Procesi i integrimit në BE dhe në NATO është një proces që gjatë mandatit të BDI-VMRO-së ka shkuar mbrapsht; tentativa për ndalimin e fjalës së lirë, proceset e montuara politike dhe ndëretnike, thellimi i mungesës së sigurisë në institucionet shtetërore, mungesa e besimit karshi institucioneve të drejtësisë, legjislativi selektiv në baza etnike, mungesa e sigurisë së brendshme, rritja e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE-së, dhe shumë dukuri të tjera të shpërfaqura në kohët e këtij pushteti tregojnë se Maqedonia ka bërë shumë hapa pas në kuadër të integrimit në BE dhe në NATO,” deklaroi Ali Maksuti.

Sipas tij, pika e dytë që ka të bëjë me raportet ndëretnike është farsë, sepse lidhet me një proces të ngulfatur më shumë gjatë këtij pushteti. Kemi raste të montuara të ngjashme edhe me të rënda se të para konfliktit, që kanë çuar në rritjen e mosbesimit ndëretnik edhe institucional.

“Kemi selektim në ndarje të buxhetit, investime kapitale i quajnë disa rregullime të rrugëve, kurse mungojnë investimet për hapjen e rrugëve të reja që do të mundësonin lidhjet ndërajonale me Shqipërinë dhe Kosovën. Kemi mungesë të besimit të etnitetit shqiptar në institucionet e drejtësisë, kemi selektim në sektorin e arsimit të lartë dhe të mesëm, etj.,” shtoi ai.

Kurse për sektorin ekonomik, Maksuti është i mendimit se partitë politike do të orientohen në platformat ekonomike në këto zgjedhje. Sidomos partia në pushtet do të luajë me kartën e zhvillimit ekonomik, meqë të tëra kartat e tjera i ka djegur, dhe asgjë nuk është realizuar nga çka është thënë. Përjashtim bëjnë elemente kyçe që vetë vullneti i shqiptarëve i ka filluar dhe i ka realizuar, siç është Universiteti Shtetëror i Tetovës, që ende diskriminohet në aspektin e buxhetit në raport me universitetet e tjera shtetërore.

“Elementi ekonomik që mendohet të zhvillohet nga partia në pushtet nuk do të jetë real, sepse rritja ekonomike nuk realizohet me punësime në administratë dhe duke krijuar institucionet shtetërore që shërbejnë si punëdhënësi më i madh në vend, por duke realizuar dhe duke thithur investime të huaja në vend, si dhe duke inkurajuar biznesin e vendit. Realisht, kjo nuk ndodh tek ne; kemi investime me miliona në lindje të Maqedonisë, kurse në perëndim të saj investimet jane selektive dhe të vogla, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, biznesi i vendit sulmohet në mënyra të ndryshme nëse nuk ka orientim partiak,” përfundoi Maksuti.

Ndërkaq, për opinionistin Burhan Seferi, fjalimet e tilla patriotike të Bujar Osmanit, në stilin “alla Ahmeti”, nuk pijnë më ujë tek shqiptarët, ngase elektorati është lodhur nga premtimet boshe të BDI-së.

“Deklaratat e tilla janë të njohura para zgjedhjeve parlamentare. Fjalimet patriotike e kanë lodhur çdo qytetar. Vetë deklarata e tij dëshmon se shqiptarët dhe maqedonasit nuk paskan qenë të barabartë deri tani. Atëherë parashtrohet pyetja se çfarë paskan bërë deri tash në qeveri? Cili paska qenë prioriteti kryesor, nëse nuk kanë qenë të drejtat e shqiptarëve? Fundja, ata janë futur në qeveri me moto të tilla, në emër të dëshmorëve dhe komandantëve, por tani dëshmohet e kundërta prej gojës së tij,” deklaroi Burhan Seferi për faqen tonë elektronike. /tesheshi/

Shekulli Agency