Serbët e Bosnjës këmbëngulës për referendumin që “kundërshton kushtetutën”

rep-ser-877Serbët e Bosnjës nuk hodhën asnjë hap mbrapa edhe krahas vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me referendumin për festimin e ditës së Republikës Srpska, i cili është cilësuar si një akt i cili do ta dëmtojë kulturën e bashkëjetesës dhe mjedisin paqësor në vend.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës, vendimin që e kishte marrë në nëntorin e vitit të kaluar se festimi i 9 janarit si dita e Republikës Srpska nuk është në përputhje me kushtetutën, e diskutoi edhe një herë në seancën e ditës së shtunë pas apelimit nga entiteti serb—Republika Srpska—në Bosnjë.

Përveç anëtarit serb të gjykatës, shtatë anëtarët të tjerë e përsëritën vendimin se festimi i 9 janarit si dita e Republikës Srpska “nuk është në përputhje me kushtetutën”. Ajo dha dekretin për ndaljen e përkohshme të referendumit.

“Babai” i idesë së referendumit dhe propaganduesi më i madh i saj, kryetari i Lidhjes së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) dhe kryetari i Republikës Srpska, Milorad Dodik, edhe përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deklaroi se do të shkohet në referendum brenda kufijve të entitetit më 25 shtator, duke treguar edhe një herë mosrespektimin e tij ndaj rendit kushtetues aktual.

Ndërkaq, politikanët që përfaqësojnë popullatën boshnjake në vend e kanë vlerësuar referendumin për Ditën e Republikës Srpskas si parapërgatitje për ndonjë referendum të mundshëm në të ardhmen për pavarësi, duke komentuar se i njëjti do ta dëmtojë kulturën e bashkëjetesës dhe mjedisin paqësor në vend.

Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA-ve në Sarajevë i ka ftuar palët që t’i përmbahen kushtetutës dhe i ka bërë thirrje zyrtarëve të Republikës Srpska të heqin dorë nga referendumi, duke nënvizuar se ai është një akt kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Shekulli Agency