Ahmeti, fushatë me projekte të zvarritura e të papërfunduara (VIDEO)

ali-ahmetiNë mungesë të rezultateve të mirëfillta në 12 vite qeverisje, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti sërish është kthyer të flasë për përmendoret e Skënderbeut e Isa Boletinit, të cilat i ka vendosur në qendër të fushatës së tij.

Më bën krenar se gjaku i prindërve të tyre, nuk do thahet e nuk do lahet sepse qëndron në këtë flamur. Qëndron i freskët dhe ruhet mu nga Skënderbeu aty në Shkup, në Shkupin e vjetër, siç ruhet nga Hasan Prishtina e Isa Boletini”, ka deklaruar Ahmeti nga Kumanova.

Por, madje edhe këto projekte me të cilat lavdërohet Ali Ahmeti, janë akoma të papërfunduara, dhe kanë kaluar çdo afat të premtuar kur kishin filluar punimet.

“Unë jam krenar me të gjitha të arriturat që ne bashkërisht i kemi bërë deri më tani. Jam krenar kur dëgjoj studentë që thonë takohemi në Sheshin Skënderbe…”, kishte deklaruar Ahmeti.

Sheshi Skënderbeu ka filluar të ndërtohet që në vitin 2011. Funksionarëve të BDI-së iu deshën dy vite për të përfunduar fazën e parë, ndërsa dy vite të tjera për të filluar fazën e dytë, pas një ndërprerje të pashpjegueshme 24 muajshe. Përveç asaj, BDI-ja ka votuar bashkë me VMRO DPMNE-në buxhetin e këtij viti, me të cilin shkurtohen mjetet e parashikuara për këtë shesh. Premtimi i fundit i Komunës së Çairit ishte se faza e dytë do të përfundojë në nëntor të këtij viti. Tani jemi në dhjetor, ndërsa Sheshi Skënderbeu duket larg përfundimit, por kjo nuk e pengon Ali Ahmetin që të bëjë fushatë me këtë shesh, përkundër premtimeve të shkelura lidhur me të.

“Jam krenar kur dëgjoj studentë që thonë takohemi në Sheshin Skënderbe…”, ka thënë Ahmeti.

Ngjashëm sikurse Sheshi Skënderbeu, edhe Sheshi i Flamurit Isa Boletini në Saraj po përdoret për fushatë parazgjedhore.

“Gëzohem dhe nuk ka se si të mos krenohem kur dëgjoj rininë e studentët, takohemi para Hasan Prishtinës, apo në Sheshin e Flamurit Isa Boletini”, ka deklaruar lideri integrist.

Sheshi i Flamurit duhej të përfundonte në maj të këtij viti. Nëntë muaj më pas, sheshi ku u vendos Isa Boletini duket kështu…

Edhe këtu punimet nuk kanë përfunduar, ndërsa nga Komuna përveç që pranojnë ngecjen, nuk kanë ndonjë shpjegim logjik për këtë gjë.

Derisa Ali Ahmeti vazhdon të bëjë fushatë me këto projekte të papërfunduara, zvarritja e ndërtimit të tyre vite me radhë po e paralizon komunikacionin.

Benjamin Arifi /SHENJA/

Shekulli Agency