Ankaraja: S’do të pranojmë kurrë bashkëpunimin ruso-amerikan me PYD/YPG-në

Turqia i komunikoi të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Rusisë në Ankara se nuk mund të pranojnë kurrsesi fotografitë, të cilat qarkullojnë në median sociale dhe ku ushtarët rusë qëndrojnë përkrah terroristëve të PYD/PKK-së në Siri.

Ministria turke e Punëve të Jashtme i përcolli të ngarkuarit me punë të Rusisë në Ankara, Sergey Panov, dy mesazhe të rëndësishme brenda dy ditëve të fundit, për shkak të zhvillimeve në zonat siriane nën pushtimin e organizatës terroriste PYD/PKK.

Zëdhënësi i MPJ turke, Huseyin Muftuoglu, njoftoi në komunikimin e përjavshëm se i ngarkuari me punë në Ambasadën e Rusisë në Ankara ishte ftuar në Ministri ditën e enjte, menjëherë pas sulmit në kufi.

“Atij i përcollëm fillimisht shqetësimin tonë të thellë nga kjo ngjarje. I komunikuam se iu kundërpërgjigjëm shumëfish këtij sulmi, se duhet bërë ç’të jetë e nevojshme që incidente të ngjashme të mos përsëriten më këtej e tutje dhe e siguruam se kundërpërgjigjja ndaj organizatës terroriste do të jetë shumë më e fuqishme në rast se përsëritet e njëjta gjë”, deklaroi Huseyin Muftuoglu.

Sipas burimeve diplomatike, ndërkohë që zëdhënësi Muftuoglu po bënte komunikimin e zakonshëm javor, autoritete të MPJ turke kontaktuan me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Rusisë në Ankara dhe i shprehën atij reagimin e Turqisë në lidhje me fotografitë e pasqyruara në median sociale, ku ushtarët rusë, që kishin marrë pjesë në festimet e Nevruzit në Halep, paraqiteshin duke mbajtur në duar flamuj të YPG-së dhe YPJ-së, fraksione siriane të organizatës separatiste terroriste PKK. Në këto fotografi gjatë festimeve të Nevuzit dukej madje dhe komandanti i trupave ruse në rajon, me gradë gjeneralmajor, që kishte vendosur në krah emblemën e YPG-së.

“Qëndrimi ynë në lidhje me PYD/YPG-në dihet mjaft mirë edhe nga pala ruse. Prandaj këto fotografi na kanë shqetësuar thellësisht”, ishte mesazhi i autoriteteve turke për të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Rusisë në Ankara.

Gjatë komunikimit javor, zëdhënësi Muftuoglu kishte përsëritur edhe kërkesën e Turqisë për Rusinë që të mbyllë zyrën e PYD/PKK-së në Moskë.

Kurse ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Isik, deklaroi se “Turqia nuk do të pranojë në asnjë mënyrë bashkëpunimin e YPG-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federatën Ruse”.

Fikri Isik theksoi që i kanë bërë të ditur edhe palës ruse, edhe asaj amerikane se Ankaraja nuk do të miratojë kurrë shfrytëzimin e një organizate terroriste për të zbuar nga rajoni një tjetër grup terrorist, pasi kjo do t’i zmadhonte akoma më tepër problemet rajonale dhe do ta bënte situatën të pazgjidhshme.

“Të njëjta gjëra do vazhdojmë t’i themi edhe në vijim. Shpresojmë që të triumfojë logjika dhe gjykimi i shëndoshë dhe që ata të heqin dorë nga bashkëpunimi me organizatën terroriste PYD”, përfundoi ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.

/trtshqip/

Shekulli Agency