
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ka realizuar një takim zyrtar me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qose, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, thuhet se takimi është realizuar në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sistemit penitenciar.
Theksohet se takimi u përqendrua në mundësitë konkrete të angazhimit të shtetit turk në mbështetje të sistemit penitenciar shqiptar.
Sipas njoftimit, ambasadori Atay vlerësoi mikpritjen e drejtorit Qose dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar me projekte konkrete në funksion të përforcimit të sistemit penitenciar shqiptar.
“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Shqipërinë, si në planin ndërinstitucional, ashtu edhe në atë politik. Dua të konfirmoj se, në cilësinë e ambasadorit, jam i gatshëm të mbështes thellimin e bashkëpunimit”, tha Atay.
Atay ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me ato turke, në çështje si ekstradimi i shtetasve turq dhe shkëmbimi i informacionit.
Sipas njoftimit, drejtori Qose kërkoi përfshirje të ekspertizës turke në fushat e trajnimeve, proceseve rehabilituese dhe integruese të të dënuarve.
Gjithashtu thuhet se Qose kërkoi edhe “mbështetje të veçantë për Institucionin e Mjekësisë së Posaçme në Lezhë, ku qëndrojnë 480 shtetas (pacientë) që kanë një vendim gjykate me masë mjekësore”, duke nënvizuar se nevojat për përmirësimin dhe mbështetjen e këtij target grupi janë prioritet i vazhdueshëm.
Qose ka theksuar gjithashtu nevojën për organizimin e vizitave studimore për stafin e burgjeve shqiptare në institucionet homologe