Akar: PKK dhe YPG nuk mund të përfaqësojnë vëllezërit tanë kurdë dhe sirianë

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se organizatat terroriste PKK dhe YPG në asnjë mënyrë nuk mund të përfaqësojnë vëllezërit e tyre kurdë dhe sirianë.

Akar, këto vlerësime i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur në seancën e veçantë të “TRT World Forum” që filloi në Qendrën e Kongreseve në Stamboll me temën “Kriza e Globalizimit: Rreziqet dhe Mundësitë”.

Ai në lidhje me operacionin anti-terrorist të Turqisë në veri të Sirisë, “Burimi i Paqes”, tha se synimi i vetëm i tyre është të ruajnë kufijtë e tyre si dhe të eliminojnë korridorin e terrorit.

“Shohim se YPG merr shumë mbështetje financiare nga disa aleatë tanë. Çdo armë i jepet YPG-së nëpërmjet PKK-së dhe këto armë na drejtohen neve”, tha Akar.

“PKK dhe YPG në asnjë mënyrë nuk mund të përfaqësojnë vëllezërit tanë kurdë dhe sirianë”, shtoi ai.

– Operacioni “Burimi i Paqes”

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Ndërkaq, më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në veri të Sirisë.

Turqia ra dakord të pauzojë operacionin e saj “Burimi i Paqes” për 120 orë në mënyrë që të lejojë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurtë.

Në bisedimet e së enjtes së kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence gjithashtu ranë dakord që Turqia të ketë një zonë prej rreth 30 kilometrash në kufirin sirian.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

Anadolu Agency

Shekulli Agency