Thirrje duhanxhinjve: mos pini duhan- jepni sadaka

Abdullah-Klinaku-770x4701-770x470

Abdullah Klinaku

Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, synojmë devotshmërinë. Devotshmëria pa ndryshim dhe përmirësim nuk arrihet. Zakonshmëria e sjelljeve sikur jashtë muajit të bekuar të Ramazanit, nuk në çon në devotshmëri. Ky muaj siç e ka rregullin e ndryshimit në organizëm, në ushqim, në përllogaritje të kohës, e ka edhe rregullin e veçantë për shtim të punëve të mira në synim të devotshmërisë. Secili prej nesh, përpjekkemi të ndryshojmë diçka gjatë këtij muaji, të shtojmë ndonjë vepër të mirë e të largohemi nga një e keqe. Synojmë ta ndjekim këtë metodologji të shtimit të veprave të mira dhe abstenimit nga veprat e liga, deri sa arrijmë devotshmërinë e plotë. Disa njerëz që kanë disa lëshime dhe gjynahe të cilat i bëjnë ndaj Zotit të Madhërishëm, ndaj vetes dhe ndaj rrethit në të cilin jetojnë, e kanë mundësin ideale për ta realizuar ndryshimin. Si rob të Zotit, shumë prej nesh kemi diçka që mundemi ta bëjmë konkretisht dhe të shpresojmë fuqishëm në shpërblim të Zoti i Madhërishëm. Mundemi dhe jemi të bindur që mundemi që gjatë këtij muaji të bekuar, do ta braktisim një vesë të keq. Gjatë këtij muaji, do ta braktisim duhanin. Prandaj,  duhanxhinjtë e kanë mundësin shumë të madhe për të arrit shpërblim shumë të madh te Zoti, dhe për ta dëshmuar fuqinë e tyre të besimit në Zotin e Madhërishëm, duke e lënë pirjen e duhanit.

Sa për reflektim, në Kosovë, brenda vitit konsumohen 185 milion euro cigare. Ma thjesht se kjo, mund ta lexojmë se shoqëria jonë kosovare brenda vitit i djeg kot mbi 185 milion euro. I djeg dhe i konsumon duke mos pas asnjë efekt pozitiv as individual e as shoqëror. Nëse për pak mendojmë për efektin e kësaj shume, do të mbesim të mahnitur nga ndikimi pozitiv që mund ta ketë nëse vendosim që parat e duhanit, mos ti djegim, por ti dhurojmë Sadaka.

185 milion euro, nëse  do të kishim vendos çdo kush brenda një fondacioni të sadakas me i dhurua, përfitimet në nivel vendi do të ishin shumë të mëdha. Sa për shembull, duke pas parasysh gjendjen e rënd ekonomike akoma në Kosovë, një shtëpi për familjen në nevojë mund të rregullohen me 25.000 euro. Duke e përpjesëtua me 185 mil, euro, i bien që brenda vitit në vend të djegëjes  së këtyre milionave eurove për duhan, do të ndërtonim, 7.400 shtëpi. Me ndërtimin e 7.400 shtëpive, brenda dy viteve do të zgjidhej problem i të gjitha familjeve në Kosovë që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.

Në Kosovë, për shkak të gjendjes së rënd ekonomike, ndihmë sociale marrin brenda muajit rreth 30.000-35.000, familje. Në përqindje të popullsisë sillet diku rreth 15% e popullsisë së Republikës së Kosovës, jetojnë me asistencë sociale, për afërsisht me rreth 2 euro në ditë. Mbi këtë bazë, 18% e buxhetit të Kosovës, është i orientuar për të mbështet familjet me asistencë sociale. Nga këto familje më një logjikë të thjesht ekonomiko sociale, i bien që për çdo vit, ne i kemi gjasat, që rreth 30.000 nxënës apo student e kanë të pa mundur të ndjekin mësimet në shkollat e mesme apo ato universitare në mungesë të mjeteve financiare. Nëse do të kishim pas sinqeritet për vendin tonë, për rinin tonë dhe për arsimimin e rinis sonë, ne përmes sadakas së dhuruar prej mos blerjes së duhanit, do të ndihmonin arsimimin e tyre. Nëse një student, do të ndihmohej me rreth 1000 euro në vit, përmes bursës së këtij donacioni, ne brenda vitit, kemi mundësi ti ndihmojmë në shkollim rreth 180.000 studentëve.

Në republikën tonë të re, si rezultat i sistemit shëndetësor, me qindra probleme, me shumë pak financa dhe me një numër shumë të madh të sëmundjeve, brenda vitit, kërkohen rreth 7 milion euro mbështetje financiare për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Përgjigje  pozitive marrin vetëm rreth 40%, sepse fondi mbështetës për rastet e tilla, nuk është më shumë se rreth 3 milion euro. Sikur të kishim ndjeshmëri dhe të kishim formësuar një fond nga fondacioni i braktisjes së duhanit, do të ishte mundësuar, largimi i brengave të shumë familje, shërimin i shumë të sëmurëve, lehtësimin e jetës së shumë të lënduarve dhe trajtim cilësor duke ja kthyer shpresën sa e sa familjeve që e kanë humb shpresën për shërim, për shkak të pamundësive financiare.

Këtë mundësi për ndryshim të menjëhershëm nuk e kanë shumë njerëz, këtë mundësi për të përfituar shpërblimet e këtij muaji nuk e kanë shumë njerëz, këtë mundësi për të arrit kënaqësinë Zotit të madhërishëm përmes braktisjes së duhanit nuk e kanë shumë njerëz. Këtë mundësi e kanë ata që e konsumojnë duhanin, dhe këtë shpërblim të madh kanë mundësi me arrit ata të cilët e braktisin duhanin. Të tillët, përpjekën që ta dërgojnë në vend fjalën e Zotit të Madhërishëm, ta realizojnë parimin hyjnor që e ka vendos Zoti i Madhërishëm, të tillët, vrapojnë drejt të mirës, duke e zëvendësuar të keqen me të mirën, dhe duke synuar që e mira ta fshij të keqen, në pajtim shpirtëror me fjalën e Zotit të Madhërishëm “ Me të vërtetat të mirat i fshijnë të këqijat” dhe këta besimtar besojnë se me të vërtetë sadakaja e fshin gabimin e konsumimit të duhanit.

Të tillët, duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të jenë të kënaqur me Zotin e tyre, që ua ka dhënë mundësin e zëvendësimit të së keqes me të mirën. Të tillët duhet të organizohen, në grupe të vogla, në grupe shokësh, 3-5-7, e më shumë dhe të vendosin që për hatër të Zotit të Madhërishëm do ta braktisin duhanin, dhe parat me të cilat do të konsumonin duhanin, do ti dhurojnë sadaka të organizuar, brenda një viti, nga ky Ramazan deri në Ramazanin tjetër dhe do ti shohin efektet e kënaqësisë pastaj.

Përderisa ky muaj kërkon ndryshimin, vendos për ndryshim konkret dhe të dukshëm, vendos dhe llogarit në shpërblim te Zoti, vendos me Emrin e Zoti, për hatër të Zotit, në funksion të dashurisë së madhe që ke për Zotin e Madhërishëm, të Bukur e Bujar, që këtë Ramazan do ta braktisësh duhanin.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *