BIBLIOTEKA E KAJREVANIT THESAR I KULTURËS DHE CIVILIZIMIT ISLAM

Bibliotek

Depoja e librave dhe e dorëshkrimeve e Kajrevanit, në Tunizi, paraqet thesar të njohurive dhe të civilizimit shumë të pasur. Konsiderohet njëra prej bibliotekave publike më të rëndësishme në nivel të botës arabe dhe asaj islame. Ajo përmban një thesar të çmuar të dorëshkrimeve dhe librave të rrallë. Në të njëjtën kohë ajo paraqet një burim të këndshëm për studiues dhe hulumtues, si dhe adresë të rrallë të shkencës për hulumtuesit arabë dhe të huaj, të cilët ia mësyjnë atij tempulli të dijës për të thithur nga nektari i saj… Në brendinë e saj gjenden 21,000 libra, 6,000 dorëshkrime dhe 500 shkrime të gdhendura në gurë. Ajo është një depo e llojit të rrallë që në vete ngërthen të gjitha llojet e shkencave dhe arteve. Aty gjejmë, mus’hafa, libra të tefsirit, të fikhut, hadithit, usulit, të historisë, të biografive, të udhe përshkrimeve, të letërsisë, të gjuhësisë, të tesavufit, të filozofisë, të mjekësisë, të astronomisë, të matematikës, si dhe të shumë arteve tjera, datat e shkrimit të tyre u takojnë periudhave të ndryshme kohore. Konsiderohet prej depove më të vjetra në botën arabe. Aty gjejmë dorëshkrime që janë të shkruara në shekullin e tetë të erës së re. Përmban dorëshkrime të rralla (autografe), disa prej tyre janë të shkruara nga vetë autorët e tyre. Prej tyre, veprat e ibnu Haldunit, ibnu Tufejlit, ibnu Rushdit si dhe vepra të ndryshme nga disa mbretër të Magrebit arab.
Gustav Lubon, në librin tij të njohur “Civilizimi i arabëve” thotë: “Qyteti Fesit i bënte konkurrencë Bagdadit në shekullin e dhjetë. Në atë kohë aty jetonin gjysmë milionë banorë, kishte 800 xhami dhe “depo përplot me dorëshkrime greke dhe latine”. Sipas disa bashkëkohanikëve të historianit Delfan, thuhet se depoja e Fesit përmbante më shumë se 30,000 vëllime. Biblioteka sot përmban 21 mijë libra, disa nga ato janë libra të reja, të cilat kanë të bëjnë me kohën e zbulimit të shtypshkronjës, 6 mijë dorëshkrime të përmbledhura afërsisht në 2043 grupe, 600 periodik, 500 shkrime të gdhendura në gurë, vjetërsia e të cilëve shkon nderi në një mijë vjet.

Themelimi dhe historia

Kjo bibliotekë e vjetër, e cila është ndërtuar në gjysmën e shekullin të tetë të hixhretit, i përket xhamisë së Kajrevanit të qytetit Fes. Depoja është themeluar në fillim si një bibliotekë e vogël në xhami, për të ndihmuar në misionin e mësimdhënies, pastaj u kthye në kupolë të Sadijinëve dhe iu hap një derë jashtë xhamisë me qëllim të zgjerimit të njohurive për çdo fe. Themeluesi i saj është sulltani i Marokut Ebu Anan El Merijni, i cili bëri hapjen zyrtare të saj në vitin 750h/1349. Ai hartoi rregulloren e veçantë për lexim, shfrytëzim, përshkrimin e librave si dhe shtoi fondin me libra të rrallë dhe libra me vlerë nga të gjitha fushat e shkencave dhe arteve. Sadijinet gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë pas erës së re, shtuan fondin me libra të rinj, duke i sjell nga depoja El-Merinije nga i njëjti qytet. Po ashtu ata e pasuruan me dorëshkrime dhe dokumente të rralla, gjë që fondi i saj tejkaloi 32.000 vëllime në vitin 1613.

Ndërtesa e Depos

Depoja e Kajrevanit gjendet përballë sheshit “Saffarin” në qytetin e vjetër të Fesit. Ndërtesa e saj në shikim të parë duket e ngushtë, nga paraqitja e saj e jashtme duket e vjetër, por brendia e saj është shumë e zgjatur dhe me anekse të gjëra. Interesim për të kanë tregua edhe sulltanët e Marokut. Kështu, në vitin 1940, mbreti i ndjerë Muhamedi i pestë, zyrtarisht i dha atributin e një institucioni shtetëror që të jetë i hapur ndaj studiuesve dhe hulumtuesve të të gjitha feve dhe kulturave, pasi që rrezatimi i njohurive të saj për gjashtë shekuj kishte qenë i dedikuar vetëm për studiuesit myslimanë.

Vendim i rindërtimit të saj erdhi me urdhërin mbretëror në vitin 2004, dhe vendosjen e saj në vendin ku ndodhet sot pasi ka qenë e rrethuar nga xhamia e Kajrevanit. Vendimi i bartjes së saj jashtë xhamisë u bëri të mundur besimtarëve të feve tjera ta frekuentojnë atë, pasi kanë qenë të ndaluar të shkojnë aty, kur ajo ishte pjesë e xhamisë, dhe kur dyert e saj ishin të hapura brenda xhamisë. Dera e saj kryesore ishte e hapur në sheshin e Saffarineve që ishte e ngjitur me portat kryesore për të hyrë në qytetin e vjetër.

Kupola e bibliotekës është zbukuruar me zbukurime plasteri dhe me drunj të gdhendur sipas modelit të artit autokton. Kjo tregon për ndikimin e arkitekturës së Magrebit me krijimtarinë e arkitekturës së përkryer të Andaluzisë, e cila kishte lulëzuar në shtëpitë, dhe xhamitë e Magrebit të Largët duke treguar për atë pjesë të historisë së ndritshme.
Biblioteka përmban hapësira magjepse të zbukuruara me zbukurime islamike e mozaike që i jep vendit një vlerë të lartë të trashëgimisë.

Roli i saj në shkencë dhe kulturë

Kjo bibliotekë e rrallë, me sistemin e saj të përkryer me një fond shkencor, i cili përmban një mori të veprave dhe të dorëshkrimeve të dijetarëve të mëdhenj të Magrebit Islamik si: Ibnu Tufejli, ibnu Rushdi, të cilët u bënë të njohur me veprat e tyre madhështore në kohen e artë të Jakub El-Mensurit. Ashtu siç kanë luajtur rolin e tyre të njohur në aspektet e shkencës dhe njohjes, ato lehtësuan vështirësitë me të cilat përballeshin hulumtuesit dhe studiuesit. Fondi i bibliotekës është pasuruar nga dhuratat e zyrtarëve, mbretërve dhe dijetarëve, të cilët dhuruan libra të veçanta, të shtrenjta nga aspekte të ndryshme të dijes. Në xhaminë e Kajrevanit, është studiuar, pranë fikhut dhe tefsirit, matematika, mjekësia, astronomia. Aty janë sjell apo janë përshkruar të gjitha veprat që kishin të bënin me këto shkenca, gjë që shtoi fondin e dorëshkrimeve në Magreb si në aspektin e kualitetit po ashtu edhe në aspektin e kuantitetit. Kjo i kishte stimuluar dijetarët, njerëzit e pasur dhe mbretërit të hulumtojnë për dorëshkrime dhe ti blejnë ato sado i lartë të jetë çminimi tyre. Është e sigurt, se Universiteti i Kajrevanit nuk do të mbante ritmin shkencor të lloj-llojshëm dhe nuk do ta realizonte nivelin duhur shkencor, të cilin e ka njohur gjatë shekujve, veçse me mbështetjen themelore në depon e shkencës të pasur me libra dhe dorëshkrime. Mbretërit e Marokut dhe princat janë përkujdesur për furnizimin e depos së Kajrevanit me dorëshkrimet më të çmuara dhe janë përkujdesur në veçanti për t’i ruajtur ato. Po ashtu kanë bërë përshkrimin e tyre me qëllim që t’ua dhuronin vëllezërve të tyre, mbretërve dhe sunduesve të vendeve në Lindje të atdheut arab. Kjo bibliotekë ishte shumë e pasur me libra. Ajo përmbante 33 degë të bibliotekave, që ishin përplot me libra të çmuara, ku referoheshin mësuesit dhe nxënësit për studime dhe hulumtime. Ajo sot është e hapur në hapësirën e saj botërore, duke marrë pjesë aktive me ekspozita dhe takime të trashëgimisë dhe të kulturës ndërkombëtare, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe përfitim nga përvojat botërore në këtë fushë.

Katalogu i dorëshkrimeve

Në qoftë se shikojmë katalogun e dorëshkrimeve do të vërejmë me gjithë përpjekjet e mëdha që bënë marokenët e vjetër lidhur me katalogizimin e dorëshkrimeve, megjithatë ato mbesin lista dhe indekse që nuk i nënshtrohen kurrfarë sistemimi apo radhitje. Mirëpo, katalogizimi i vërtetë filloi me nismën e sistemimit të depos në shoqërinë marokene në shekullin e tanishëm. Andaj, katalogu i parë i këtij lloji është katalogu i hartuar nga orientalisti francez Alfred Ektef Bel për një grup të librave të depos së Kajrevanit, për të cilin bënë fjalë Ezerkili, i cili thotë: “Orientalisti Alfred Bel, i cili ka qëndruar një kohë në Afrikën Veriore dhe ishte drejtor i shkollës Tilmsan, kishte hartuar një katalog në gjuhen arabe dhe atë franceze për bibliotekën e xhamisë së Kajrevanit në qytetin Fes’.

Dorëshkrime të rralla

Nëse i hedhim një vështrim përmbajtjes së dorëshkrimeve në depo do të shohim se ato përfshijnë të gjitha shkencat dhe artet. Kurse sa i përket materies se ku janë shkruar ato, një numër janë shkruar në lëkurë kaprolli, ndërkohë që një numër i këtyre dorëshkrimeve ishte me vlerë të lartë shkencore dhe artistike. Për sa i përket kohës së përshkrimit të tyre shohim se disa prej tyre shkojnë në shekullin e tretë të hixhretit, disa prej tyre janë shkruar me shkrimin e autorëve (autografe). Shumica e këtyre dorëshkrimeve posedojnë dokumente vakëfnore në depo. Dokumentet e vakufimit (testamentit), japin të kuptojnë se vakiflënsit u takonin shtresave të gjëra të shoqërisë. Kemi vakufime nga mbretërit Merijin, Sadijine dhe Alevijin. Kemi vakufime nga princat, princeshat si dhe tjera prej udhëheqësve dhe dijetarëve, disa prej këtyre dorëshkrimeve, autorë të tyre janë personalisht mbretërit e Marokut dhe sulltanët, si në kohët më të vjetra, po ashtu edhe në ato më të reja. Në depo gjenden dorëshkrime që janë vakufuar nga vet autorët, prej tyre, po përmendim “Historinë e ibni Haldunit”, ku një pjesë e dokumentit të vakufimit mban nënshkrimin e autorit “Abdurrahman bin Haldun”. Këto Vakufname, të cilat bartin dorëshkrimet e depos, vërtetojnë përhapjen e vetëdijesimit të madh tek marokenët për rëndësinë e vakufimit kulturor, duke mos konsideruar të mjaftueshëm vakufimin fetar. Kjo tregon, po ashtu për dëshirën e tyre në stimulimin e përhapjes së leximit, kujdesin për masivizimin e kulturës, zgjerimin e rrethit të saj, në konkurrencën e tyre ata dëshirojnë të jenë në shërbim të dijetarëve dhe studentëve. Dëshira e tyre për posedimin e librave me vlerë, përshkrimi i dorëshkrimeve të çmuara dhe vendosja e tyre nëpër depo për dobi të përgjithshme, si dhe mbështetja e botimit të librave dhe propagandimi i tij.

Dorëshkrimet më të vjetra

Vlera e dorëshkrimeve në depo qëndron në atë se dorëshkrimi më i vjetër në të është i shekullit të dytë të hixhretit. Ai është dorëshkrimi i “Es-sijeg” (Formulat) i Ebu Is-hak ibnu Ibrahim el-Kazari (186h), transmetuar prej Muhamed ibnu Vedah el-Kurtubi, redaktuar prej Dr. Faruk Hamade. Rëndësia e këtij dorëshkrimi të rrallë qëndron në atë se është i shkruar në lëkurë kaprolli që përbëhet prej 365 letrave, është prodhuar në Marok, konsiderohet prej vlerave më të çmueshme që posedon biblioteka.
Prej dorëshkrimeve të rralla dhe më të çmueshme që gjenden në depo janë:
1. Një pjesë e vjetër e Kuranit e shkruar në lëkurë me shkrim kufi.
2. Rezyme e Ebi Musab Ez-zehri i shkruar në një letër të vjetër në Kordovë në Andaluzi, në vitin 359 h, në kohën e Halifit emevit El-Hakem El-Mustensir, që shoqërohet me shumë komente.
3. “El-bejan vet-Tahsil” nga Ibni Rushdi i shkruar në lëkurë, me shkrim të imët e të bukur. Ai është vëllim autentik gjigantë që përshkojnë një numër zbukurimesh artistike. Flet për kundërshtimet në lëmin e fikhut, që ishin aktuale në mesin e dijetarëve arabë në shekullin e shtatë të hixhretit.
4. “Mehadhi El-Muvetta”, është nga përmbledhja El Mehdi ibnu Tumerit dhe sipas transmetimit të tij..Kopja e tij është shumë e bukur sa i përket formës dhe lidhjes.
5. Një pjesë nga Inxhili në gjuhen arabe i shkruar në lëkurë me shkrim të vjetër andaluzian.
6. Poemë mjekësisë nga ibnu Tufejli (i vdekur në vitin 581 h.). Është një dorëshkrim i vjetër, i cili flet për mjekësinë në formë të matematikës dhe është kopja e vetme që gjendet në botë nga ky libër.
7. Pjesë nga Muvatta i Malikut, (vdiq më 179 h), janë shkruar për deponë e Ali bin Jusuf bin Tashefin El Murabiti në lëkuren e kaprollit.
8. Libri “Biografia (Sire) ibnu Is-hak”, (vdiq në vitin 151 h) , është shkruar në vitin 207 h dhe ai është libri më i vjetër që gjendet në depo.
9. Mus-hafi i madh të cilin e ka lënë vakuf në depo, Sulltan Ahmed El-Mensur Edh-Dhehebi në vitin 1011, me rastin e inaugurimit të saj.
10. Libri “El-Iber” (Mësimet) nga ibni Halduni ( vdiq më 808 h), të cilin e shkroi në emër të sulltan Ibn Faris El Merini dhe ia dhuroi depos së Kajrevanit në muajin safer të vitit 799 h.
Depoja posedon një grup të botimeve të vjetra dhe të rralla, të cilat për shkak të vjetërsisë janë konsideruar si dorëshkrime, disa prej tyre janë botuar në Evropë e disa të tjera janë botuar në Lindje. Një grup prej tyre të gdhendura në gurë që i përkasin Fesit , u botuan në Fes, duke u klasifikuar si libra të rrallë. Depoja përmban një numër të revistave dhe periodikëve, nga Lindja dhe nga Perëndimi. Numri i të cilave arrin mbi 600 periodik të ndryshëm sa i përket trajtimit të temave, interesimit dhe vendeve ku janë botuar. Ato kanë vlera të ndryshme sa i përket aspektit shkencor.

Neglizhencë dhe prapambeturi

Por, në një kohë të vonshme gjendja e depos u përkeqësua dukshëm, derisa kishte arritur në një situatë të dhimbshme për shkak të lënies pas dore dhe neglizhencës. Kohëve të fundit ishte vërejtur një deformim në veçanti i ndërtesës së saj, ku kishte filluar lagështia të depërtonte në fondin e dorëshkrimeve. Librat ishin gjuajtur njëra mbi tjetrën pa ndonjë sistemim të duhur. Ato rrezikoheshin të prisheshin nga lagështia dhe insektet e ndryshme. Për shkak se nuk gjendej katalogu i duhur, ato rrezikoheshin të humbeshin. Disa dorëshkrime që gjendeshin në depo rrezikoheshin të humbeshin apo të vidheshin, veçanërisht ato të kohës së okupimit francezë të Marokut. Si rezultat i kësaj u zhdukën dorëshkrime të rralla, nga ana e disa personaliteteve që kanë pasur poste të larta në shtet në kohën e okupimit.

Mirëmbajtja e librave dhe dorëshkrimeve

Por, pa humbur kohë, Ministria e Kulturës së Marokut e rregulloi këtë çështje dhe mori për sipër restaurimin, mirëmbajtjen dhe shërimin e dorëshkrimeve në depo, ku filloi pastrimi, fotografimi dhe vendosja e tyre në kuti ku nuk mund të depërtonte lagështia, duke zbatuar vendimet mbretërore. Biblioteka sot është e pajisur me mjetet e teknologjisë më bashkëkohore për ruajtjen e atyre dorëshkrimeve të çmuara nga lagështia, zjarret, dhe vjedhja duke u mbështetur në standarde të niveleve ndërkombëtare. Sa i përket mirëmbajtjes së bibliotekës dhe fondit të saj shkencor të çmuar, biblioteka posedon laboratoriumin më bashkëkohor për restaurim në nivel arab dhe ajo tash përcjell zhvillimin e të arriturave botërore në këtë fushë për përkujdesje ndaj thesareve të saj të çmueshëm. Për përkujdesen e dorëshkrimeve të çmuara ekspertët janë mbështetur në metodën e konservimit të tyre në mikrofilm, gjë që lehtëson punën e hulumtuesve, dhe ruajtjen e këtyre gjërave të çmueshme nga dëmtimi dhe humbja. Leximi i dorëshkrimeve bëhet nga mikrofilmi, i cili është një kuti që lexon nëpërmjet një aparati që i përngjan kompjuterit dhe quhet “Lexuesi”. Në depo gjenden përafërsisht 768 mikrofilma dhe 6 pajisje për lexim. Salla e dorëshkrimeve posedon pajisje elektronike bashkëkohore për ta kondicionuar sallën sipas natyrës së kohës. Aty ka rezerva të tjera që mos të ndikojnë rrezet e diellit. Përveç kësaj çdo dorëshkrim është i vendosur në kopertina të veçanta ku nuk mund të depërtojnë insektet e as të ndikojnë moti i papërshtatshëm. Restaurimi nuk përfshiu vetëm dorëshkrimet, por ai përfshiu edhe ndërtesën e depos. Kështu pra iu kthye konsiderata kësaj ndërtese me pamje të arkitekturës arabo-islame.

Përktheu: Desara Vathaj

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.