Sarajevë, nesër fillon festivali dokumentar që fokusohet në dhimbjet e Palestinës

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC), i cili këtë vit do të organizohet për herë të 7-të nga Al Jazeera Balkans në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, fillon nesër me dokumentarë që do të përcjellin në ekran shtypjen dhe vuajtjet që ka përjetuar populli palestinez.

Në festivalin që do të mbahet në datat 13-17 shtator dhe në të cilin Agjencia Anadolu (AA) është partner në komunikim global, tema për këtë vit është përcaktuar si “Drejtësia?”. Drejtori i AJB DOC, Edhem Foco bëri një vlerësim për gazetarin e AA-së lidhur me festivalin.

Pasi deklaroi se 9 nga 24 dokumentarët që do të shfaqen në festival do të kenë premierat e tyre botërore, Foco tha se “Çdo vit ne e përcaktojmë temën tonë duke u frymëzuar nga ajo që përjetohet përreth nesh. Vitin e kaluar, festivali u mbajt në shtator ndërsa sulmet në Gaza filluan në tetor. Na vjen keq që përjetimet nuk u transmetuan në mënyrë të mjaftueshme në botën e kulturës”.

Duke thënë se janë dëshmitarë të vdekjes së grave dhe fëmijëve dhe shkatërrimit të infrastrukturës çdo ditë në Gaza, Foco u shpreh: “Ne kemi qenë dëshmitarë të reagimeve të botës së zhvilluar dhe moderne e cila ka zakon t’u thotë të tjerëve se çfarë duhet bërë dhe si. Ata u rreshtuan në anën e palës shtypëse që sulmoi pa menduar aspak. Pikërisht këtu na erdhi në mendje tema “Drejtësia?. Ku është drejtësia?”.

Do të shfaqet dokumentari “Dëshmia” i AA-së

Foco theksoi se dokumentari “Dëshmia” i AA-së, i cili zbulon qartë krimet e luftës të kryera nga Izraeli në Gaza do të shfaqet në festival. “Al Jazeera Balkans ka pasur bashkëpunim të gjatë me AA. Këtë vit ashtu si edhe në vitet e kaluara, AA është Partneri ynë Global i Komunikimit. Është nder për ne që filmi i AA-së të shfaqet në festivalin tonë”, tha ai.

Drejtori i festivalit rikujtoi se gazetarë dhe fotoreporterë të AA-së kanë humbur jetën në Gaza. “AA është një nga institucionet e rralla mediatike që vazhdon punën e saj në Gaza. Dokumentari ‘Dëshmia’ është shumë kuptimplotë dhe shpresoj që shumë shikues të vijnë në shfaqjen e tij. Ne kemi një dokumentar që do të vërtetojë gjenocidin”, tha Foco.

Ai potencoi se AJB DOC ka arritur pozicion të rëndësishëm në rajon dhe dokumentarët po bëhen gjithnjë e më interesant dhe informues për audiencën. Duke i kërkuar audiencës të krijojnë ndjeshmëri me dokumentarët që shikojnë, Foco tha se “Ndjeshmëria është e rëndësishme. Edhe ne në kuadrin e festivalit duam të rikthejmë ndjenjën e ndjeshmërisë në shoqëri”.

Sipas tij, filmi hapës i dokumentarit nesër në mbrëmje është prodhim i cili shpjegon vuajtjet që ka përjetuar Palestina dhe populli i saj.

Fokusi i festivalit është Palestina

Dokumentari i AA-së “Dëshmia” do të shfaqet më 14 shtator në kuadër të festivalit në Sarajevë. Pas shfaqjes së dokumentarit, Ömer Faruk Tunç nga ekipi i dokumentarit “Dëshmia” do t’u përgjigjet pyetjeve të audiencës së Sarajevës.

Këtë vit, AJB DOC do të fokusohet në vuajtjet që ka pësuar populli palestinez si pasojë e sulmeve izraelite. Festivali do të përfshijë 24 dokumentarë rreth ekonomisë botërore dhe trazirave politike si dhe dokumentarë për dhunën e Izraelit kundër palestinezëve.

Anëtarët e jurisë së festivalit do të jenë Deborah London-Harrington, Namik Kabil, Mila Turajlic, Francesco Montagner dhe Myriam Francois.

Në pjesën konkuruese të AJB DOC do të jepen 3 çmime prej të cilëve “Çmimi kryesor AJB”, “Çmimi i Programit AJB” dhe “Çmimi i Audiencës”.

Shekulli Agency