Rusia pezullon marrëveshjen bërthamore të INF me SHBA

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin akuzoi SHBA-të për shkelje të Marrëveshjes së Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF). Ai tha se “Edhe përgjigjja jonë do të jetë simetrike. SHBA njoftoi pezullimin e marrëveshjes, kështu që edhe ne e pezullojmë atë”.

Pas njoftimit të SHBA-ve për tërheqjen nga marrëveshja e INF, Putin ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov dhe ministrin e mbrojtjes Sergey Shoygu.

“Edhe përgjigjja jonë do të jetë simetrike. SHBA-të njoftuan pezullimin e marrëveshjes, kështu që edhe ne e pezullojmë atë. Ata kanë njoftuar se po zhvillojnë disa punime dizajnimi dhe kërkime shkencore. Gjithashtu edhe ne do të bëjmë të njëjtën”, deklaroi Putin duke rikujtuar tërheqjen e SHBA-ve nga INF.

Pasi ka mbrojtur idenë e tij se SHBA-ja me arsyetime të ndryshme refuzon propozimet e Rusisë në çështjen e çarmatimit, Putin tha se “SHBA ka shkelur drejtpërdrejt marrëveshjen me raketat që ka vendosur në Evropë. Nuk ka nevojë për përpjekje të tjera të mëtejshme për të negociuar me SHBA-të në lidhje me këtë çështje”.

“Ne ramë dakord që Ministria e Mbrojtjes të fillojë prodhimin e raketave supersonike me rreze të mesme. Përveç kësaj, do të përgatitet një plan për të eliminuar kërcënimin e armëve në hapësirë”, tha Putin duke bërë të ditur se Rusia në të njëjtën kohë nuk duhet të garojë për një armatosje të shtrenjtë.

SHBA-të dje njoftuan tërheqjen nga Marrëveshja e Forcave Nukleare me Rreze të Mesme (INF), e cila përbënte themelet e kontrollit të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një konferencë për media në Washington bëri të ditur se vendi i tij do të tërhiqet njëanshëm nga INF, e nënshkruar në vitin 1987 me Bashkimin Sovjetik, e cila parashikon ndalimin e raketave të pajisura me koka nukleare me rreze veprimi nga 500 deri në 5.500 kilometra.

Shekulli Agency