Kurti i dërgon ngushëllime Turqisë për viktimat e ortekëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar mesazh ngushëllimi drejtuar popullit turk dhe udhëheqësve të institucioneve turke pas ortekëve vdekjeprurës që ndodhën të martën në Turqi.

Kurti në një reagim në rrjetet sociale ka thënë se për ngjarjen tragjike në Turqi ka mësuar në mëngjes nga mediat.

“Në mëngjes lexova në lajmet nga bota për fatkeqësinë që kanë shkaktuar dy ortekë në lindje të Turqisë. Orteku i dytë mori jetë edhe prej ekipeve të shpëtimit që po kërkonin trupat e viktimave nga orteku i parë”, shkroi Kurti duke shprehur shpresë që numri të mos rritet.

Më teja ai shprehu ngushëllime për “popullin mik të Turqisë, për familjarët e viktimave, e për kryesuesit e institucioneve, presidentin Erdoğan dhe kryeparlamentarin Şentop”.

Kurti në fund të reagimit të tij shkroi se uron që “të lënduarit e shumtë të bëhen mirë sa më shpejt, e dëshiroj që ekipet e shpëtimit ta kryejnë me sukses punën e tyre e pa viktima të tjera”.

Kujtojmë se të paktën 38 persona humbën jetën si pasojë e ortekëve në Van në lindje të Turqisë. 33 nga viktimat ishin duke punuar për të shpëtuar dy persona të zhdukur, të cilët u bllokuan nga orteku i parë të martën në mbrëmje që shkaktoi vdekjen e 5 personave.

Shekulli Agency