Kinë, konfirmohen 361 vdekje nga koronavirusi

Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) në Kinë ka njoftuar se numri i personave që kanë humbur jetën nga përhapja e koronavirusit të ri është rritur në 361.

Përmes një kumtese, nga komisioni bëjnë të ditur se deri më tani janë pranuar gjithsej 17.205 raste të konfirmuara, duke shtuar se 57 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit.

“Deri më tani, 189.583 persona janë identifikuar të kenë pasur kontakt të afërt me pacientët e infektuar. 152.700 janë nën mbikëqyrje mjekësore”, thuhet në kumtesë.

Në ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se një 44-vjeçar ka humbur jetën nga koronavirusi në Filipine, që është vdekja e parë e konfirmuar jashtë kinës.

Personi ishte shtetas kinez nga qyteti Wuhan, ku u zbulua për herë të parë virusi.

NHC gjithashtu njoftoi se kufomat e atyre që vdiqën nga shkaku i koronavirusit do të digjen në një krematoriumit pranë spitalit.

Numri i personave të infektuar me virusin jashtë territorit të Kinës arriti në 15 në Hong Kong dhe 8 në Macau.

Janë raportuar raste edhe në Tajlandë, Japoni, Singapor, Australi, Malajzi, SHBA, Francë, Gjermani, Korenë e Veriut, Korenë e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kanada, Vietnam, Itali, Spanjë, Suedi, Britani të Madhe, Rusi, Nepal, Kamboxhia, Filipine, Sri Lanka, Finlandë dhe Indi.

Koronavirusi i ri, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në rajonin Hubei të Kinës, thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.

Koronavirusi ka ngritur alarmin në nivel global, me raste të raportuara në të gjithë Azinë si dhe në Evropë, SHBA dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan dhe pjesë të tjera të Kinës.

Në një takim urgjent të ditës së djeshme, OBSH shpalli shpërthimin e virusit të ri një emergjencë ndërkombëtare.

Shekulli Agency