Xhamia “Mehmet Akif” fshati Shushicë dhe shqiptarët (Pjesa -1)

isa-mulaj/Shushicë 07 maj 2015/

Fjalim me rastin e përurimit të xhamisë së rindërtuar “Mehmet Akif” në fshatin Shushicë të komunës së Istogut

nga: Isa MULAJ

I nderuar zotëri Kryetar i Republikës së Turqisë, Shkelqësia e Juaj, Rexhep Tajip Erdoan! E nderuara zonja Ambasadore e Republikës së Turqisë në Kosovë, Shkelqësia e Juaj, Songyl Ozan!

Të nderuar përfaqësues të Agjencionit Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)!

Të nderuar përfaqësues të institucioneve nga Republika e Kosovës! Të nderuar pjesëmarrës! Zonja dhe zotërinj!

Jemi mledhur sot për ta përuruar objektin e rindërtuar të një rëndësie me domëthënie të jashtëzakonshme për historinë, kulturën, traditën, besimin, dhe vlerat e përbashkëta, pra xhaminë e Mehmet Akifit. Me anë të këtij fjalimi nuk e kam ndërmend të promovohem, ose t´iu krijoj përshtypje se “edhe Isa foli me këtë rast; nuk e dijmë se çka tha, po kryesorja foli diçka!” Kësaj ardhe duhet të më flani sepse e kam ndërmend ta zgjas pak, dhe arsyeja është kjo: qëllimi im ëshë t´u tregoj disa gjëra jo aq të njohura meqenëse njëra palë e të pranishmëve këtu, për shembull përfaqësusit nga Turqia, i dijnë, e pala tjetër ose shqiptarët nuk i dijnë, dhe anasjelltas. Ka edhe gjëra për të cilat nuk keni dëgjuar asnjëra palë. Prandaj, kjo ngjarje e kësaj dite, është një rast unikat ku të dyja palët do të bëhën komplementare për këto që do t´i theksoj në vijim:

E PARA, Mehmet Akifi këtu në Shushicë, por edhe tek shqiptarët në përgjithësi njihet si dikushi që e ka shkruar himnin e Republikës së Turqisë, madje shumica prej tyre u thonë: “E di që e ka shkruar njëri me prejardhje shqiptare, por s´ia di emrin!” Sa për informim të shkurt të shqiptarëve, Himni i Turqisë paraqet një pikë ujë në deti në  jetën dhe veprimtarinë e Mehmet Akifit, i shkruar brenda 48 orëve, por që edhe për këtë pikë ujë në deti, shqiptarët nuk e dinë të vërtetën dhe rrethanat në të cilat u shkrua.

E DYTA, gjersa shqiptarët shpeshherë gabimisht e quajnë Mehmet Akif pejani, ditkan diçka për të në bazë të asaj pike të ujit në deti por që është e rëndësisë epokale, çka dijnë këta për Tahir Efendiun ose babain e Mehmet Akifit, i cili ka lindur më 1826, është rritur dhe ka jetuar këtu deri në moshën 29 vjeçare, nja 400 metra prej këtij vendi në këtë drejtim, ku kam lindur edhe unë nja 150 vite më vonë? Tahir Efendiu në vitin 1855 kishte shkuar në Stamboll, që do të thotë udhëtim brenda shtetit ose nga Shushica në kryeqytet, për shkollim dhe duhej të kthehej si imam në këtë xhami, por nuk është kthyer pasi nuk ka pasur arsye. Aty jashtë murit të këtij oborri, e vëreni një pllakatë të vendosur nga Kuvendi Komunal i Istogut, në të cilën shkruan: “Mejtepi i Mehmet Akif Ersojit, i ndërtuar në shekullin XIX.”

 Në fakt, në fillim kjo ishte xhamia e Tahir Efendiut, ndërtimi i së cilës kishte filluar më 1272 sipas kalendarit Hixhrij ose më 1855, nga familja Mulaj, administrata osmane në Pejë, dhe mjeshtrit nga rajoni i Dibrës. Ndërtimi ka përfunduar, siç e tregon edhe epigrafi këtu mbi derë, më 1278, që i bie viti 1861 sipas kalendarit Gregorian. Ju e dini se Mehmet Akifi ka lindur më 1873 ose 12 vite më vonë pas ndërtimit të kësaj xhamie. Një shtesë e vogël e kësaj xhamie ose hajati, është ndërtuar më 1908. Ja ku jemi edhe sot së bashku pas 143 viteve në rindërtimin e saj.

Aty-këtu ndonjë banor i këtij fshati, mund ta dijë se Tahir Efendiu ka qenë i familjes Mulaj, asgjë tjetër. Historiografia shqiptare as që ka dëgjuar për të. Ai ishte myderriz në medresën Fatih të Stambollit. Titulli myderriz është ekuivalent i asaj që në sistemin anglo-sakson njihet si “profesor”, ose në gjuhën shqipe “akademik.” Pra, në atë kohë, shqiptarët kanë pasur akademikë të mirëfilltë dhe shumë personalitete të shkolluara, kurse prej vitit 1913 iu kthyen një analfabetizmi, ndërtimit të një identiteti artificial të bazuar në mite, dhe duke injoruar realitetin ose qënien e vet. Ky lloj analfabetizmi vazdhon edhe sot. Ne kemi të ashtuquajtur akademikë, shumica e të cilëve  janë vegla të politikës ditore që udhëhiqet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Akademiku Tahir Efendi në të njëjtën kohë ishte mësues privat i familjes së Myhyrdar Emin Pashës. Ai u jepte mësim djemve të Emin Pashës,Ibnulemin Mahmud Kemal dhe Ahmed Tefik, si dhe fëmijëve tjerë të familjes. Këto mësime zhvilloheshin dimrit në konakun e Emin Pashës në zonën Bakërxhëllar dhe verës në vilën Jakaxhëk. Për këtë arsye Tahir Efendiu zhvendosej me gjithë familjen në dhomat e vilës së  Jakaxhëkut.[1] I tillë ishte talenti intelektual i Tahir Efendiut; atë e kërkonin për t´iu dhënë mësim elitës shtetërore edhe jashtë institucioneve arsimore. Po këta akademikët tanë kush i kërkon sot? Askush për ndonjë qëllim të mirë. Janë vetë këta që kërkojnë të bëhën vegla të oportunizmit politik. Çfarë vlerësimi dhe rezultati ka nga veprimet e këtyre akademikëve? Realiteti dhe gjendja e Kosovës flet vetvetiu. Këtë e dijnë edhe ata. Në anën tjetër, çfarë vlerësimi ka për Tahir Efendiun? Këtë më së miri na e vërtetojnë studiuesit e kohës që kanë marrë mësim nga ai, si për shembull, Ibnulemin ose djali i Emin Pashës, i cili e cilësonte si “njeri të mirë e të pastër, të virtytshëm, besëtar, bujar, dinjitoz, altruist, dhe mjeshtër i përkyer i orientuar në rrugë të drejtë”.

Për Tahir Efendiun raporton edhe i biri i tij Mehmet Akifi në disa poema siç janë Xhamia Fatih, Asimi, dhe më së miri tek ajo me titullin Unë jam shqiptar. Në moshën 40 vjeçare ose më 1913, ja çfarë vlerësimi përmbledhës jep Mehmet Akifi: “Ai [Tahir Efendiu], ishte edhe babai, edhe mësuesi im. E tëra çka di, prej tij e kam mësuar”.[2] Në bazë të kësaj porosie, është e qartë se merita për formësimin e personalitetit të Mehmet Akifit si një ndër mendjet më të spikatura në botë për kohën, nuk i përket Anadollit, Rumelisë, Arabisë, Turqisë, Kosovës, apo Shqipërisë, por babait të tij Tahirit. Po të bëjmë një krahasim të përafërt se çfarë mësimi marrin djemtë e disa akademikëve të sotëm në Kosovë, na del se shumica janë akademikë të veprave të këqija. Juve u kujtohet mirë se si Urtaku, djali i një akademiku në zë të Kosovës (jo si akademik i duhur por më tepër si politikan), nëpunës i ambasadës së Kosovës në Kroaci, në muajin e Ramazanit dilte i dehur nëpër rrugët e Zagrebit me veprime prej huligani duke thyer vetura derisa e arreston policia kroate. Duke tentuar të paraqitet si i “qytetëruar” dhe me identitet të ashtuquajtur “evropian” (shpresoj e dini kush e llomotitë këtë parullë), edhe ky ka mundur të thotë: “E tëra çka di, prej babait e kam mësuar!” E përmenda këtë shembull vetëm sa për t´ua rikujtuar disave, se njeriu nuk është produkt vetëm i kulturës, por më tepër edhe i gjeneve.

E TRETA, emri Tahir, për nder të Tahir Efendiut, filloj të ripërtërihej si nga familja e tij e mbetur në Kosovë, ashtu edhe nga pasardhësit e tij në Turqi, ndoshta me shpresën se do t´i gjasojnë atij me talent dhe funksion, e në bazë të kësaj, të krijohet një sistem emërtimi me numra si Tahiri i I-rë, i II-të, sikurse që ishte Murati i I-rë, Murati i II-të, Henriku i VIII-të, Luigji i XVI-të, e kështu me radhë. Studiuesit nga Turqia që e njohin jetën familjare të Mehmet Akifit, e dijnë se djali më i vogël i tij quhej Tahir. Pse më i vogli? Se Mehmet Akifi i kishte tre fëmijët e parë vajza: Xhemilen, Feriden, dhe Suadën? Se ka mundur këtë emër t´ia vë djalit të madh që quhej Naim, të dytit Ibrahim, apo edhe të tretit Emin, por emrin e babait ia la të katërtit ose të fundit? Kjo ndodhi për shkak se emri Tahir ishte në përdorim në familjen tonë, dhe atë e mbante djali i vetëm i Selim Halitit. Kush ishte Selimi, është një pyetje e cila duhet të parashtrohet meqenëse ndërlidhet shumë edhe me këtë xhami?

Selimi ishte djali i axhës së Mehmet Akifit, i biri i Halitit prej nga rrjedhi edhe unë. Këtu në mesin e pleqve të Shushicës, Selimin e mbajnë mend si “askeri i mbretit”. Ai ka lindur në vitin 1866 në të njëjtën shtëpi ku lindi edhe Tahir Efendiu, pra ishte shtatë vite më i vjetër se Mehmet Akifi. Selimi kishte vetëm një djalë të cilit ia kishte vënë emrin Tahir, por i cili kishte vdekur në moshë të re. Ka ende dëshmitarë që e mbajnë mend Selimin se kishte fituar mirënjohje për shërbimin e tij si asker i mbretit në  Vilajetin e Kosovës, dhe për tri vite, siç thonë këta, ishte marrë rob nga qeveria xhonturke dhe dërguar në rrethinat e Stambollit e në Çanakala. Ai ishte kthyer në vendlindje në verë të vitit 1916, çka do të thotë se ishte marrë më 1913. Pse ndodhi kjo?  Ju ndoshta e dini se prej vitit 1908 deri më 1918 pushtetin e kishin xhontruqit. Selimi ishte asker i Sulltan Abdylhamitit të II-të, ose atij që e quante Kosovën “margaritari i Perandorisë Osmane.” Në vitin 1913 situata kishte ndryshuar. Turqia ose pjesa e mbetur e Perandorisë Osmane kalon në aleancë me Serbinë kundër hegjemonisë bullgare. Dhe ky është viti kur xhontruqit e marrin Selimin në formë të një mobilizimi të dhunshëm, me arsyetimin se askeri i mbretit duhet të paraqitet për luftë kudo që e kërkon mbreti. Ky ka refuzuar meqenëse e dinte se mbreti ose sulltani që erdhi, Sulltan Mehmeti i V-të Reshati, nuk i kishte kompetencat dhe ideologjinë e dikurshme të cilës i shërbente Selimi si ushtar i dalluar dhe trim. Selimi shërbeu në Armatën e Pestë për luftë kundër forcave aleate në Çanakala, respektivisht kundër pushtuesve britanikë, kanadezë, francezë, indianë, dhe ANZAC-ut.[3] Beteja e Çankalasë, të cilën tekstet shkollore të historisë në gjuhën shqipe nuk e përmendin, ishte disfata më e madhe dhe më poshtëruese e Aleatëve në Luftën e Parë Botërore. Për Turqinë, ajo betejë zë vendin qendror në kuadër të luftës për pavarësi dhe historinë moderne të Republikës së Turqisë.

Në qarqet private tek shqiptarët, pranohet kontributi i madh i shqiptarëve në mbrojtjen e Galipolit, madje thuhet se ushtarët shqiptarë ishin faktori vendimtar që vulosën fatin e asaj lufte në të cilën, sipas pretendimeve që duhet të hulumtohen, kanë rënë deri në 25 000 luftëtarë shqiptarë. Selimi kur është kthyer në vendlindje, shërbente si zëvendës hoxhë në këtë xhami, e pasi hoxha duhej të vinte nga rajonet tjera përreth dhe mungonte shpesh, e gjithmonë në namazin e teravive, rolin e tij e ushtronte Selimi deri në vitin 1951 kur kishte ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare. Çka duhet të mësojmë nga kjo përvojë? Neve na duhen ushtarët tanë për ta mbrojtur këtë vend për interesa të përbashkëta, e jo t’i dërgojmë për luftë në Afganistan, dhe Siri. Po ashtu, ne duhet të përpiqemi më shumë vetë për mbrojtjen e këtij vendi, të kësaj xhamie të cilën nuk e kemi mbrojtur si duhet më 1999, e jo vetëm të presim nga NATO, Amerika, dhe Turqia.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj, Selimi ishte shumë i moshuar për të luftuar, por vendin e tij e zë një luftëtar tjetër trim i familjes Mulaj, e ai ishte togeri i Lëvizjes së Rezistencës, e më vonë edhe i Divizionit 21 Alpin “Waffen SS Skenderbeg”, Ahmet Nuhi, nipi i Salih Hajredinit.[4] Salihu ishte axha i Mehmet Akifit. Për nder të Selimit, vëllai im i madh quhet Selim, kurse i dyti Tahir, si nostalgji që kishim gjithmonë për Tahir Efendiun. I treti jamë unë, Isa. Ju ndoshta e dini se nga rrjedhë emri im, pse e kam të tillë, dhe çka simbolizon? Vetëm po ua rikujtoj; emri im vjen nga ishulli i ilirëve Issa, i cili sot në Kroaci quhet Vis, vendi ku babai im ka shërbyer në Armatën Popullore të Jugosllavisë më 1951, dhe nga qyteza e lashtë Isus afër Iskenderunit të sotëm në Turqi ku u zhvillua beteja ndërmjet maqedonëve të lashtë dhe persianëve në vitin 333 para epokës së re.

E KATËRTA, juve, në këtë rast pjesëmarrësve nga Turqia dhe të gjithë ata që nuk  janë shqiptarë, u intereson shumë të dini diçka rreth këtij vendi ku jemi sot, cila është historia e shkurt e vendlindjes së Tahir Efendiut, dhe çfarë origjine kanë popullsia e sotme që jeton këtu? Shqiptarëve nuk u intereson aq shumë ta dijnë këtë pasi janë të indoktrinuar me përralla, mite, e thashetheme të cilat i kanë mësuar nga tekstet e historisë së tyre të trilluar. Shqiptarët e sotëm të këtij vendi, por edhe ata që kanë emigruar në pjesë tjera të Kosovës, në Turqi dhe tjetërkund nëpër botë, janë të ardhur në këtë vend nga Shqipëria veriore dhe Juniku. Si, pse, dhe kur ka ndodhur kjo? Për mbi 800 vite ose tetë shekuj gjatë Mesjetës, territori i Kosovës së sotme ishte nën sundimin sllav, dhe në shekujt XIV dhe XV i populluar me shumicë dërmuese ose mbi 95% sllavë, respektivisht serbë. Kosova ishte bastion i fuqishëm serb. Kryeqyteti ose Uashingtoni i tyre ka qenë Prizreni, ndërsa Pentagoni i tyre Peja. Sipas defterit osman për Sanxhakun e Shkodrës, Shushica në vitin 1485 kishte 38 shtëpi, që të gjitha sllave ose serbe.[5] Kjo do tëthotës se afër 100 vite pas Betejës së Kosovës, Shushica nën sundimin osman ende ishte qind për qind serbe. Pse sot është qind për qind e banuar me shqiptarë? Kjo është një pyetje kritike që kërkon përgjigje.

Baraspesha etnike e Shushicës, por edhe e territorit ku shtrihet sot Kosova, fillon të ndryshoj në favor të shqiptarëve pas Luftës së Madhe ose luftërave austriako-osmane kah fundi i shekullit XVII dhe gjysmës së parë të shekullit XVIII. Vendimtare ishte kundër ofensiva osmane të cilën e udhiqte kryeministri ose Veziri i Madh Mustafa Kyprili me prejardhje shqiptare nga Roshniku i Beratit të Shqipërisë. Shqiptarët pos që e mbrojtën Beratin më 1455 nga kryqëzata e udhëhequr prej figurës më tragjike serbe të Mesjetës, Skënderbeut, e çliruan Kosovën nga fushata serbe e përndjekjes së pakicës muslimane shqiptare. Atë fushatë kundër pakicës shqiptare e udhëhiqnin nga Patrikana e Pejës, Arsenije Cërnojeviq i III-ti, stërnip i Skënderbeut nga motra Mara të cilën vetë Skënderbeu e kishte martuar për Stefan Cërnojeviqin e I-rë. Nëse dikush dëshiron ta dijë identitetin tipik serb, këtë mund ta bëjë po që se bazohet në familjen e Skënderbeut dhe kauzën e tij të kryengritjes. Patriku i Pejës e koordinonte fushatën me arqipeshkin e Shkupit Pjetër Bogdanin i cili e quante veten herë Petar Bogdanoviq, e herë Pjetër Bogdan Maqedoni, dhe mburrej si “mbret i Serbisë.” Natyrisht, vetë mbiemri i tij serb Bogdan që do të thotë “Dita e Zotit”, si dhe emërimi i tij nga Vatikani si “arqipeshk i Shkupit dhe administrator i gjithë mbretërisë së Serbisë”, tregon se për çka u përkushtua ai.[6]

Pjetër Bogdani ose Petar Bogdanoviq kishte bërë masakra kundër shqiptarëve nga Prishtina e deri në Shkup. Kësaj fushate serbe i kundërvihet kundërofenziva osmano-shqiptare e dinastisë së Kyprilëve. Stërnipi i Skëndërbeut, Arsenije Cërnojeviq i III-ti udhëheq të ashtuquajturin migrimin e parë serb nga Kosova ndërmjet viteve 1689 dhe 1692. Në vitet 1736-39 përsëritet repriza e luftës 1687-90. Austriakët marrin Nishin në korrik të vitit 1737 ku edhe e vëjnë shhtabin për sulm në Kosovë. Këtu në Pejë gjendej patriku serb i radhës, stërnipi i Skënberbeut Arsenije Cërnojeviq i IV-ti, ndryshe i quajtur Arsenije Jovanoviq Shkabenta i IV-ti. Planin e tij Cërnojeviqi e koordinon me arqipeshkin e Shkupit Mëhill Suma me të cilin kishte qenë në bisedime të përhershme. Merr pjesë në fushatën serbe kundër shqiptarëve edhe fisi i Kelmendit, identiteti etnik i të cilit edhe sot mbetet i dyshimtë ose i paqartë sikurse i fisit Kuqi. Pas kundërfofenzivës osmano-shqiptare, austriakët ishin tërhequr nga Kosova, e me ta, ndërmjet vitit 1737-39 edhe një numër i madh i serbëve i njohur si Migrimi i Dytë, së bashku me 5 00 katolikë, kryesisht të fisit Kelmendi me duar të përgjakura. Vendin e tyre do ta zëjnë rreth 30 000 shqiptarë muslimanë e katolikë nga Shqipëria veriore dhe Malësia e Gjakovës.[7]

Tre personat e parë të ardhur në Shushicë ndërmjet viteve 1750-60, ishin tre vëllëzërit: Mula (prej nga rrjedh mbiemri im Mulaj), Musa (pasardhësit e të cilit sot quhen Salihaj, ose kjo lagja një kilometër më poshtë në jug), dhe Zeka (prej nga rrjedhin Zekajt e Shushicës atje në kodër dhe të Mojstirit). Ato 38 familje serbe që ishin këtu më 1485, sot do të ishin bërë së paku 300, e ndoshta 3 000. Në realitet, Shushica sot ka afër 300 familje, që të gjitha shqiptare, që të gjitha të ardhura pas luftërave austriako-osmane. Në këtë mënyrë Peja me rrethinë nga bastion i fuqishëm serb, u bënë vendbanime me shumicë shqiptare gjatë sundimit osman. Rajoni i Mesjetës i njohur si Metohija, u bë Rrafshi i Dukagjinit, toponim që e sollën me vete banorët shqiptarë nga Dukagjini i Shqipërisë dhe njerëzit e klanit të Lekë Dukagjinit si rivalë dhe armiq të Skënderbeut dhe dhëndrrit të tij serb Stefan Cërnojeviq.

Mirëpo, administrata osmane, gjersa u jepte shqiptarëve përparësi për shkak të rolit të padiskutueshëm në pushtimin dhe sundimin e Ballkanit, nuk i ka prekur ose ndryshuar toponimet e vendeve të cilat edhe sot mbesin serbe. Në këtë vend këtu ku  jemi sot, ngado që e kthejmë kokën në të gjitha anët e botës, hasim në toponime serbe. Atje në Lindje është një fshat i quajtur Suhogërllë (ose Syrigana e sotme) që do të thotë “fyti i thatë”, në Verlindje e kemi Vojdollin ose “Luginën e Vojës”, nën të Bellogdovin apo “pëllumbin e bardhë”, në Veri Moknën (vend me ujë) dhe Gollubicën (vendi i pëllumbave), kah Verperëndimi Zalipën (anablini), Liskoravnën (rrafshi i dhelprave), Lisacin (dhelprakun), në Perëndim Satarasellën (fshatin e vjetër), në Jugperëndim Dubravën (qarret), në jug Serbobranin (mbrojtësin serb), në Juglindje Belicën (bardhoka), Rudniku (xehrore), Padalishta (rënia e gjetheve), e plot të tjera. Ups! Më falni, se gati harrova! Po vendi në të cilin jemi sot ose qendra e këtyre toponimeve, Shushica, çfarë toponimi është dhe çfarë domëthënie ka? Është toponim serb me domëthënien “vend i thatë”. Prandaj, u bëjë thirrje shqiptarëve, sidomos atyre që thirren si historianë, të jenë të kujdesshëm e të mos ia fusin kot se kinse shqiptarët qenkan pushtuar në Kosovë nga Perandoria Osmane. Është fakt konkret që shihet me sy edhe sot, se pushtuesit e vërtetë të Kosovës, Maqedonisë, dhe Serbisë ishin shqiptarët osmanë të cilët ua morën këto territore serbëve dhe i kolonizuan me shqiptarë. Çfarë do t´i thuani ju një studiuesi të huaj kur u pyet: pse në Kosovë 90% e popullsisë janë shqiptarë, e 90% e toponimeve serbe? Këto gjëra nuk përputhen?!

E PESTA, shumë shqiptarë, ku përfshihen edhe pseudohistorianë, profesor doktorra, e akademikë me bateria t´ç´prazta, ankohen se shumë personalitete shqiptare kanë kontribuuar në Perandorinë Osmane, por jo për shqiptarë. E vërteta është se vetëm shqiptarët osmanë dhe turqit osmanë kanë kontribuar më së shumti për shqiptarët, por që shumë shqiptarë të Kosovës tregohen bukëpërmbyst dhe nuk duan ta njohin veten se kush janë. Po që se unë ua bëjë një pyetje të thjeshtë këtyre shqiptarëve, “si quhet himni i Kosovës”, çfarë do të thonë këta? S´ka himn fare! Disa të tjerë do të reagonin: e kemi himnin e flamurit, duke aluduar në atë të Shqipërisë ose të një shteti tjetër. A e dinë këta se muzika e himnit të Shqipërisë është e vjedhur nga një marsh rumun i kompozuar nga Ciprian Porumbescu më 1859? [8] Kur të vie reprezentacioni i Shqipërisë për të luajtur futboll në Turqi, nëse u mungon himni i Shqipërisë, ju lirisht mund ta lëshoni intonimin e marshit të Ciprian Porumbescut sepse e kryen të njëjtin funksion si Himni i Flamurit.

A e din këta se “flamuri kombëtar” nuk është i Bizantit siç pretendohet nga historianët e moderuar, por më tepër sllav dhe me simbol serb? E shihni atë flamur atje me atë shqiponjën dykrenore? E dini si quhet ai simbol? Jam i bindur se nuk e dini. Ai quhet “Kosovo”, që nga sllavishtja në shqip do të thotë “Zogu i zi!” Ta shikojmë edhe një herë ngjyrën e atij simboli! Po, po, e zezë qenka. Ai është simbol i atyre që e kanë djegur këtë xhami më 4 prill të vitit 1999. Ju mund të thuani se këtë flamur kinse shqiptar e ka ngritur Skënderbeu në Krujë më 1443! Jo, ai e kishte ngritur flamurin e ngjashëm me këtë që po e shihni, që do të thotë falmurin serb. Ai s´kishte kurrfarë flamuri shqiptar për ta ngritur. Ai dezertoj nga radhët osmane me ndihmën e tezës së vet Mara Brankoviq, filloj kryengritjen kundër qyteteve shqiptare të Ulqinit dhe Antivarit që ishin nën sundimin e Venedikut, me ndihmën e dajës Gjuragj Brankoviq dhe dhëndrrit Stefan Cërnojeviq. Vendeikasit ofronin shpërblim për vrasjen e tij. [9] Djali i vetëm i Skenderbeut, Gjoni, u martua me të bijën e despotit serb Llazar Brankoviq, Irenen. Me një fjalë, Skendërbeun e lidh gati gjithçka me serbë, e gati asgjë me shqiptarë. Tani llogarisni se në çfarë identiteti “kombëtar” bazohen shqiptarët. Këta këtu nuk kanë himn, ata atje në Shqipëri e kanë të vjedhur, e ankohen se Mehmet Akifi ua paska shkruar himnin Republikës së Turqisë. Dëgjoni me vëmendje se cila është e vërteta tronditëse.

Mehmet Akifi së pari e shkruar himnin për shqiptarët, e më vonë për Turqinë. E dini si quhet ai himn? Mos “himni i flamurit” me të cilin mburreni ju duke mos e ditur se himni është rumun e flamuri serb?! Mehmet Akifi i dinte këto gjëra, prandaj më 1913 e ka shkruar poemën me titull “Unë jam shqiptar” në Kajro.[10] Pse në Kajro? Sepse pushtetin në Egjiptin e asaj kohe e kishin shqiptarët, Said dhe Abaz Halim Pasha nga dinastia e Muhamet Ali Pashës. Himni “Unë jam shqiptar” i ka 100 vargje, pra një herë e gjysmë më i madh se himni i Turqisë “Marshi i pavarësisë” i shkruar tetë vite më vonë ose më 1921. U lutem pjesëmarrësve nga Turqia t´ua sqarojnë shqiptarëve dallimin ndërmjet kronologjisë së vitit 1913 dhe 1921! I ashtuquajturi “Himn i flamurit” është adaptuar si himn i shtetit të Shqipërisë, ndërsa himni “Unë jam shqiptar” është i të gjithë shqiptarëve; i atyre në Shqipëri, këtyre në Kosovë, atyre në Maqedoni, Serbi, Greqi, Mal të Zi, Itali, dhe i të gjithë shqiptarëve origjinal nëpër botë. Mehmet Akifi nuk donte t´i shihte shqiptarët kështu të përçarë dhe copëtuar siç janë sot, me një himn dhe flamur të vjedhur në Shqipëri, e të tjerët nëpër Ballkan ku janë shumicë pa himn fare. Mehmet Akifi e shkriu pjesën më të madhe të talentit dhe jetës për kauzën e shqiptarëve, ndërsa shqiptarët mburren me gjëra të vjedhura prej serbëve të cilat i paraqesin si identitet shqiptar.

Ku kanë arritur shqiptarët me këto hajni? Janë bërë populli më i prapambetur dhe më primitiv në Evropë, sepse ikin nga vetvetja, origjinaliteti, dhe injorojnë kontributin e gjeniut shqiptar më të madh të të gjitha kohëraveMehmet Akif Ersojit. Këta shqiptarë që injorojnë të mirën dhe përqafojnë të keqen, dihet se ku i kanë sjellë sot shqiiptarët si popull. Këtu në Kosovë nuk janë në gjendje të mbajnë zgjedhje dhe e përdorin pushtetin për krime kundër popullsisë, atje në Maqedoni situatë e ngjashme me trubullira politike për fajin e askujt tjetër pos vetë shqiptarëve, në Shqipëri edhe pse pak më mirë, edhe atje me plot të meta. Dhe shihni se si e përshkruan këtë gjendje të sotme të shqiptarëve Mehmet Akifi në poemën e tij “Vaizi (predikuesi) në katedër” para 100 viteve: “Popuj të mjerë që lavdërohen me robëri”.[11] E dini se cili është populli i cili lavdërohet më së shumti në botë me robëri? Janë shqiptarët e Kosovës, duke përfshirë edhe këta që janë të pranishëm këtu, prej të parit e deri në të fundit. Kosova sot është një vend i okupuar nga krimi dhe të zezat ku ka ardhur lloj-lloj bërllogu i huaj për të bërë eksperimente me shqiptarët si me minjët laboratorik, kurse këta mburren: na ka çliru Amelika, Gjermania, Britania, Franca, njësoj si mburreshin dikur me okupimin  jugosllavo-komunist, e ata në Shqipëri me Bashkimin Sovjetik për llogari të të cilit bëni edhe ekzekutime të shqiptarëve. Pse tash shqiptarët flasin keq për Rusinë? A nuk e dinë këta se sa intelektualin e kanë ekzekutuar për hatër të komunizmit jugosllav dhe rus?

Problemet e shqiptarëve nuk ndalen vetëm këtu. Këta kanë nam të madh nëpër Evropë kryesisht për të zeza. Sa herë lexoni lajme në gjuhën shqipe ose gjuhë tjera për shqiptarët në shtetet e Evropës Perëndimore, shpesh hasni në titujt e tillë si: shqiptari në Zvicër vret gruan e tij me thikë, mafia shqiptare e para në Gjermani, shkatërrohet një rrjet shqiptar i prostitucionit në Itali, në veri të Shqipërisë kultivuesit e marihuanës rrëzojnë helikopterin, goditet grupi i trafikantëve shqiptarë të drogës në Angli, kapen trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore në Hungari, e të ngjashme. Ky është identiteti më i përhapur evropian i shqiptarëve. Pse ndodhin këto gjëra nëpër Evropë? Sepse, Kosovën e sundojnë po këto shtete, prandaj këtë lloj “qytetërim i evropian” shqiptarët vetëm e bartin si përvojë në shtetet e mentorëve të tyre. Është po ashtu edhe historia dhe e tashmja më e përhapur e shqiptarëve. Ka vetëm disa kontribute pozitive individuale të shqiptarëve si sportistë në Evropë. Kur është në pyetje sporti, a e dinë shqiptarët se çfarë sportisti i spikatur ishte Mehmet Akifi? Ai dilte gjithmonë i pari në vrapimet e gjata dhe të shkurta, në hedhjen e gjyles (ose siç e njohin shqiptarët e Shushicës, me gjujt gurapesh), në not, në mundje popullore, dhe ishte kalorës i mirë. Ai notonte nga Azia në Evropë dhe anasjelltas, bënte vrapime nga mëngjesi der në darkë, dhe në mundje popullore ose me u gaxhumitë, shkonte nëpër fshatrat përreth se ata të qytetit i dukeshin të lodht, e i bënte fuzë ata të fshatrave.[12] (P. 2)…

(Shekulli Agency)

 

academia.edu

Referenca:

[1] Yayinevi, Gonca (2009), Mehmet Akif Ersoj: Fletët – Safahat, vepra poetike e plotë Shkup, LOGOS-A, përkthyer nga turqishtja në shqip nga Mithat Hoxha, botimi i dytë, f. 20

[2] Yayinevi, Gonca (2009), po aty, f. 21.

[3] ANZAC– Australia New Zeland Army Corps (Korparmata e Australisë dhe Zelandës së Re).

[4] Ahmeti (Nuhi) Mulaj, ishte vrarë nga partizano-çetnikët në Skënderaj në natën ndërmjet 6 dhe 7 janarit 1945, vetë i katërmbëdhjeti. Kjo ngjarje u bë shkas që Shaban Polluzha të kthehej në Drenicë nga udhëtimi për në frontin e Sremit për kinse luftë kundër okupatorëve gjermanë, gjersa partizanët të përzier me çetnikë masakronin shqiptarët në Drenicë. Për më shumë rreth veprimtarisë së Ahmet Nuhit, shih Hoti, Avdullah (2011), Ahmet Nuhi Mulaj:  Monografi, Prishtinë.

[5] Pulaha, Selami (1974), Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës i viti 1485, Tiranë: Akademia e Skencave e R.P. të Shqipërisë, Instituti i Historisë, f. 202.

[6] Ibrahimi, Nexhat (1999), Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, LOGOS-A, f. 108-110

[7] Horvat, Branko (1988), Kosovosko pitanje, Zagreb: Globus, f. 70-71

[8] Marshi rumun i Ciprian Porumbescut mund të dëgjohet nga kjo adresë: http://www.youtube.com/watch?v=7uxykLh9ZVw. 

[9] Në mes tjerash, shih Fine, John van Antwerp (1994), The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century, Michigan: Universioty University Press; dhe Schmitt, Oliver Jens (2007), Arbëria Venedike 1392 – 1479, Tiranë: K&B, përkthim nga gjermanishtja në shqip nga Ardian Klosi

[10] Poema është përkthyer nga Rizaj, Skënder (2002), “Dukagjini 1202 – 1462: Sanxhaku i Dukagjinit (1462 – 1846) dhe Sanxhaku i Pejës (1881– 1912)”, Arkivi Kombëtar i Kosovës, nr. 27-28, Prishtinë, f. 304-308.

[11] Yayinevi, Gonca (2009), po aty, “Vaizi në ketedër”, f. 344

[12] Yayinevi, Gonca (2009), po aty, f. 23.

 

Shekulli Agency