Tyrbja e Sulltan Murati i 1-rë, sulltanit të tretë të fronit osman, zë një vend të posaçëm në historinë e osmanlinjve.
Tyrbja e Sulltan Muratit të 1-rë (Hudavendigar) që ndodhet në Kosovë pranohet si simboli i pranisë së turqve dhe myslimanëve në rajonin e Ballkanit. Kjo tyrbe, e cila është njëra prej vendeve më të rëndësishme që vizitohet nga ana e atyre që shkojnë në Kosovë, arriti që në saje të restaurimeve të shumta me shekuj ti rezistoj kohës, gjithashtu në mënyrë efikase shërbeu në mbrojtjen e historisë dhe kulturës osmane në Ballkan.
Ekspertët, të cilët interesohen me veprat arkitektonike të mbetura nga periudha osmane, shpesh bëjnë të ditur se veprat më të bukura të osmanlinjve zbukurojnë qytetet e Ballkanit. Tyrbja e Sulltan Murati i 1-rë, i cili ka qenë sulltani i tretë i fronit osman e që ra dëshmorë në Betejën e Parë të Kosovës që u zhvillua më 28 qershor 1389, zë një vend të posaçëm në historinë e osmanlinjve. Kjo tyrbe, që zë vend në mesin e veprave më të vjetra osmane në Ballkan, është kthyer pothuajse në një simbol të pranisë së turqve dhe myslimanëve në Ballkan.
Dihet se Sulltan Murati i 1-rë një ditë para Betejës së Parë të Kosovës, i bën lutje Perëndisë se është i gatshëm për të sakrifikuar jetën e tij në këmbim të jetëve të ushtarëve të tij dhe të fitores së betejës. Lutja e Muratit pranohet dhe rënia e tij dëshmor gjatë Betejës së Parë të Kosovës forcon edhe më shumë praninë e turqve në Ballkan.
Sulltan Murati i 1-rë ka dy tyrbe. Në tyrben e ndërtuar në Çekirge të Bursas në Turqi është varrosur trupi i pajetë i Sulltan Muratit të 1-rë. Ndërkaq në tyrben e ndërtuar në vendin ku ra dëshmorë në Kosovë nga ana e të birit të tij Yildirim Beyazidit, janë të varrosura organet e brendshme të tij. Kjo tyrbe që ndodhet disa kilometra larg nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është e hapur për vizitë. Në librin e shënimeve të vizitorëve janë të shënuara përshtypjet e burokratëve të lartë të ardhur për vizitë nga Turqia, të qytetarëve të tjerë dhe të myslimanëve dhe turqve të ardhur për vizitë nga vendet tjera të Ballkanit.
Meremetimi i parë i tyrbes së Sulltan Muratit të 1-rë në Kosovë është bërë në pjesën e dytë të shekullit të 17-të nga ana e Melek Ahmet Pashait gjatë kohës së principatës së Rumelisë. Ndërkaq më pas tyrbja u rinovua gjatë kohës së Sulltan Abdulmexhidit dhe kjo pamje ka mbetur deri në ditët tona. Me urdhër të Sulltan Abdulhamidit të 2-të në vitin 1896 përfundoi ndërtimi i godinës dy katëshe e quajtur “Selamlik” që u dedikua për strehim dhe vendpushim të atyre që vizitojnë tyrben. Kjo godinë më pas u restaurua në vitin 1906 dhe 1911. Me rastin e vizitës së Sulltan Reshadit në Kosovë më 16 qershor 1911 tyrbja u restaurua sërish. Pas përfundimit të sovranitetit të Perandorisë Osmane në Ballkan në vitin 1912, tyrbja e Sulltan Muratit të 1-rë u sulmua dhe u plaçkit disa herë. Në vitet 1960-1961 dhe 1968-1970 tyrbja u restaurua pjesërisht nga ana e ish-Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë. Ndërkaq në vitin 1992 Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit i asaj kohe, Namik Kemal Zeybek gjatë vizitës së tyrbes vërejti nevojën për restaurim dhe pas kësaj bëri një restaurim të pjesshëm.
Së fundmi restaurim gjithëpërfshirës i tyrbes së Sulltan Muratit të 1-rë u bë në vitin 2005. Punimet e restaurimit filluan në maj të vitit 2005 dhe përfunduan brenda 8 muajve, ndërsa financimin e këtyre punimeve e siguruan Departamenti i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyaneti) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Fondacionit Fetar të Turqisë. Njëra prej veçorive themelore e këtij restaurimi është se punimet janë kryer në përputhje me pamjen origjinale. Ndërsa në saje të gërmimeve arkeologjike dolën në pah edhe themelet e para të tyrbes.
Në kuadër të projektit të zhvilluar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në vitin 2009 tyrbes së Sulltan Muratit të 1-rë në Kosovë iu shtua edhe një risi. Godina e “Selamlikut” e ndërtuar më herët për vizitorët e tyrbes nga ana e Sulltan Abdulhamitit të 2-të u kthye në shtëpi të kulturës me temë Sulltan Muratin e 1-rë dhe trashëgimin kulturore të osmanlinjve në Ballkan.
Në saje të protokollit të nënshkruar me Ministrinë e Kulturë, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, administrimin e kompleksit të tyrbes së Sulltan Muratit të 1-rë e mori përsipër TIKA në vitin 2010.
Autor: Dr. Erhan Turbedar