PSE NA DUHEN STUDIMET OSMANE

lib-5433Një përgjigje e parë dhe e thjeshtë do të ishte: për të mësuar më shumë për historinë tonë pesëshekullore nën sundimin osman; për të mësuar më shumë për ato personalitete shqiptare që bënë emër në këtë perandori, si për shembull themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali; por edhe për ata  që jo vetëm në një rast morën në dorë edhe drejtimin real të saj. Në këtë rast, kur përdor termin histori kam parasysh një përdorim më të gjerë dhe gjithëpërfshirës të saj, pra kam parasysh jo vetëm historinë politike, por edhe atë kulturore, fetare, sociale, intelektuale, urbane, rurale etj. Ndaj këtu duhet nxjerrë në dritën e diellit edhe kontributi i personaliteteve shqiptare që si në Stamboll ashtu edhe në viset shqiptare u shquan në fushat e administrimit të shtetit, fesë dhe kulturës islame, poezisë dhe kulturës osmane. Nuk duhet harruar që edhe gjatë periudhës osmane jeta u zhvillua në tërë dimensionet dhe kompleksiotetin e saj, e për fat edhe e tillë është reflektuar edhe në dokumentacionin sistematik që ruhet mirë në arkiva e biblioteka.

Kjo do të ishte përgjigjja më e shkurtër, por në se do t’i hynim më në detaje peshës dhe rëndësisë që dokumentacioni osman paraqet për ne vërtet që do të befasoheshim. Duke qenë se Perandoria Osmane ishte një formacion politik me interesa botërore, ajo nuk do ta kishte të mundur të mbahej gjatë në këmbë pa pasur një aparat burokratik efikas; e për pasojë, ajo la pas një fond të pamatë dokumentacioni i cili besoj që është lënda e parë për të mësuar të paktën të shkuarën tonë 550 vjeçare. Por përtej këtij konstatimi, do të desha të vë në dukje rëndësinë e regjistrave kadastralë dhe ligjeve osmane, të cilat me shumë saktësi na ofrojnë një tablo të qartë dhe reale të situatë paraosmane në Ballkan, asaj politike, sociale e fiskale; si dokumente me karakter të theksuar konservativ që reflektojnë drejtpërdrejt procesin e tranzicionit drejt vendosjes së plotë të sundimit osman, ato na ofrojnë informacion real për çdo rajon të Ballkanit, madje edhe se sa efikase kanë qenë në Ballkan në shek. XIV-XV sundimet osmane, bizantine, sllave e venedikase.

Përsa i përket trashëgimisë që sundimi i gjatë osman la pas në viset shqiptare pas 28 nëntorit 1912 Eqrem Vlora thotë: “Është budallallëk të mohosh rëndësinë e periudhës së sundimit turk në Shqipëri, pasi …as sundimi bizantin dhe as ai serbo-bullgar nuk kanë lënë gjurmë kaq të thella mbi këtë vend dhe mbi këtë popull”. Atëherë krejt natyrshëm në mend na vijnë andrallat që ky vend ka kaluar gjatë shek. XX. Pra pa njohur mirë historinë osmane dhe më pas trashëgiminë islamo-orientale që ajo la pas, asnjëherë nuk do të mund të kuptojmë në të gjitha dimensionet e saj edhe periudhën e Mbretërisë Shqiptare, të analizojmë e më pas edhe të nxjerrim mësimet e duhura nga historia.

Pra, periudhën osmane duhet ta studiojmë për të njohur mirë edhe historinë moderne të Shqipërisë. Për Fuqitë e Mëdha, si Franca, Anglia, Gjermania apo edhe SHBA, studimi i historisë osmane ka qenë dhe është i lidhur me interesat e tyre globale apo rajonale, por që kanë brenda shpeshherë edhe doza ekzotike e kurioziteti. Por në disa raste janë interesat kombëtare ato që përcaktojnë edhe shkallën e angazhimit të shtetit në mbështetje të studimeve osmane. Rasti i Izraelit është më se tipik. Ky shtet i vogël në mes të botës arabo-islame me universitetet e tij të fuqishme tashmë nuk është më vetëm një nga qendrat më të fuqishme në botë në fushën e studimeve islame, por edhe në fushën e studimeve osmane. Por ka edhe vende, si Japonia, e cila ndonëse gjeografikisht e largët me ish-territoret e Perandorisë Osmane, kohët e fundit i ka dhënë një hov të madh studimeve osmane. Dhe kjo për arsye sa gjeopolitike aq edhe shkencore: së pari, për të kuptuar më mirë historinë e Azisë dhe të Islamit; së dyti, për të riinterpretuar historinë e botës duke përcaktuar drejt vendin e këtij formacioni politik me ndikim botëror; dhe së treti, për të parë se cili është vendi i studimeve osmane në ecurinë e shkencës historike. Në rajonin tonë këtë gjë më shpejt se të gjithë e kuptuan Hungaria dhe Bosnja: e para me një histori osmane vetëm 150 vjeçare, kurse e dyta edhe sot e kësaj dite një nga rajonet me një trashëgimi të thellë e të pasur orientale në Ballkan.

Kur në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar në krye të Ministrisë së Jashtme turke erdhi intelektuali Fuat Koprulu (pinjoll i Qyprilinjve) portat e arkivave osmane u hapën në mënyrë të pazakontë për kohën. Studiues të këtyre dy vendeve “rrëmbyen” nga këto arkiva përkatësisht nga 250.000 mikrofilma dokumentesh. Një veprim i tillë u vërtetua i suksesshëm në dy aspekte: së pari, këto dy vende tashmë filluan të lexojnë me dokumente se çfarë kishte ndodhur realisht me vendin e tyre gjatë sundimit osman dhe së dyti, falë kësaj pasurie dokumentare Budapesti dhe Sarajeva u shndërruan në qendra me rëndësi tej rajonales në lëmin e studimeve osmane. Po ne si e kemi studiuar këtë periudhë ? Elita shqiptare, që në periudhën përgjatë dy luftërave botërore po luftonte të ruante pavarësinë dhe ta konsolidonte atë, vraponte më shumë drejt trajtimit të temave dhe figurave të mëdha historike që injektonin ndjenja nacionaliste. ‘Për fat’ këto ngjarje madhore dhe personalitete historike gjendeshin në periudhën osmane, kështu që turqit mbetën gjithmonë armiq dhe sistemi që ata instaluan “përgjegjës për prapambetjen tradicionale shqiptare”.

Ecuria e studimeve osmanistike në Shqipëri është aq shumë e lidhur me ideologjitë sunduese sa mund të thuhet se produkti historik i përftuar është shumë fort i lidhur me kushtet politike në të cilat historianët shqiptarë kanë vepruar. Një shembull i qartë ilustrimi janë studimet e historianëve shqiptarë që kanë jetuar dhe prodhuar pas vitit 1945. Ata që kanë jetuar në shtetin komunist detyrimisht kanë prodhuar duke aplikuar metodologjinë marksiste. Kurse studiuesit shqiptarët të emigracionit kanë qenë tërësisht kritikë dhe produkt i kushteve dhe metodave që kanë njohur në vendet ku kanë jetuar; madje ata kanë trajtuar edhe tema që për historianët që jetonin në shtetin shqiptar ishin ‘mollë e ndaluar’.

Gjithsesi, studimet e deritanishme osmane në Shqipëri, në një plan të ngushtë, mund t’i vlerësojmë si një kontribut për historinë kombëtare të Shqipërisë, ndërsa në një perspektivë më të gjerë, si një kontribut që i është bërë ndriçimit të historisë provinciale osmane.

Për Shqipërinë studimi i historisë osmane dhe i kulturës islamo-orientale duhet të jetë një angazhim shkencor i bazuar në programe dhe projekte të mirëmenduara dhe afatgjata; vetëm kështu mund të zbardhet dhe të kuptohet një pjesë shumë e dokumentuar e historisë sonë, protagonistë të së cilës kemi qenë edhe ne dhe që në vetvete mban të ngërthyer një problematikë shumë të pasur. Detyra jonë është që periudhën osmane ta vlerësojmë drejt për vendin dhe peshën që ka në ndriçimin e historisë sonë kombëtare dhe më gjerë të rajonit dhe pse jo të kontribuojmë me shkrime dhe vepra edhe në nivel perandorak; ndërsa trashëgiminë osmano-orientale duhet ta vlerësojmë, ashtu si edhe trashëgimitë e ardhura nga kahe të tjera, të cilat duhen njohur, studiuar dhe vlerësuar si pasuri të trashëgimisë sonë kombëtare.

Dr. Dritan EGRO:

Shekulli Agency