Propaganda e “rilindasve” kundër çifutëve

Nga: Frymzim Dauti

Hyrje

Në Ballkan, termi rilindje kombëtare nuk qe shpikje e shqiptarëve. Ky term në fillim u përdor nga grekët, e më vonë nga serbët dhe bullgarët. Por, për dallim prej nesh, grekët, serbët dhe bullgarët rilindjen e tyre e bazonin në ringjalljen e shteteve të tyre mesjetare, me një frymë moderne të kohës. Grekët përpiqeshin ta rilindnin Bizantin, serbët shtetin e tyre gjatë dinastisë së Nemanjeve, përderisa bullgarët shtetin e carëve të tyre. Po shqiptarët, që nuk e kishin shtetin e tyre në mesjetë dhe të cilët nuk u asimiluan falë integrimit në Perandorinë osmane, si dhe pranimit të Islamit, ata ku e bazuan “rilindjen” e tyre?! Nga arsyeja e mospasjes së shtetit, “rilindasit” gjatë historisë duhej të shpiknin shtetin e shqiptarëve. Ata, me ndihmën e propagandës austro-hungareze në mesin e shqiptarëve, mitin e Skenderbeut e shndërruan në “fakt” historik. Njëri prej rilindësve e përktheu nga greqishtja, prej proze në poemë, veprën e një prifti katolik që e kishte mitizuar Skenderbeun, për qëllime propagandistike të kryqëzatave që synonin çlirimin e Kostantinopolit nga të pafetë turq (nga myslimanët). Me këtë veprim, edhe “rilindasit” shqiptarë e gjetën shtetin e tyre në mesjetë, duke u nisur nga fakti se sipas përkthimit në shqip Skenderbeu u shndërrua në “mbret” të Shqipërisë. Pasi që disa “rilindas” i definuan parimet e shqiptarisë, pritej dhe ajo që vijoi: përhapja e një propagande, që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, me qëllim të ndarjes sonë nga Perandoria osmane. Duke e pasur për qëllim këtë synim, dhe me ndihmën financiare të disa shteteve që kishin interesa në këtë pjesë të Ballkanit, filloi propaganda që shpërndahej përmes gazetave, revistave dhe librave në gjuhën shqipe. Nga këta nismëtarë megjithate duhet dalluar një pjesë, e cila me përkrahjen e administratës osmane bënte propagandë kombëtare, që kishte për qëllim edhe dobësimin e elementit grek në Shqipëri. Në vitin 1898, në një letër drejtuar dhëndrit të tyre Murat Toptanit, Naim dhe Sami Frashëri e detektuan dhe gjithashtu e paralajmëruan rrezikun e propagandës së përzgjedhur; ata mes tjerash i shkruajnë Toptanit: “Duheni të ruheni fort që të mos bëheni vegël e një njeriu tradhëtar e dinak si ç’është Faiku (F.D Konica) dhe t’i ngulni thikën mu në zemër kombit”.

Kjo periudhë, siç e njohim nga historiografia shqiptare, quhet rilindja kombëtare shqiptare. Por, kjo periudhë është keqpërdorë nga historiografia jonë dhe nga historia e letërsisë shqiptare. Kjo, ngase shumica e historianëve shqiptarë dhe e kritikëve letrarë mundoheshin të na imponojnë të besojmë se kinse ne nuk “ekzistonim” para kësaj periudhe dhe se ne na emancipuan dhe na shpëtuan nga asimilimi pikërisht “rilindasit”. Poashtu, historiografia shqiptare si duket me qëllim harron ta potencojë faktin se shumë nga këta “rilindas” i shfrytëzonin të gjitha privilegjet e mundshme nga postet zyrtare që i mbanin, e shfrytëzonin mundësinë për t’u shkolluar në shkollat më prestigjioze të Perandorisë dhe gjithashtu e shfrytëzonin statusin e privilegjuar të shqiptarëve, që e gëzonin në Perandori. Përderisa disa prej tyre filluan të promovonin idenë e autonomisë së Shqipërisë brenda Perandorisë osmane, Kryeministri shqiptar Ferid Pashë Vlora, qeveriste Shqipërinë së bashku me Perandorinë osmane. Apo, përderisa disa prej tyre e përkrahnin financimin dhe organizimin nga shtetet armike të disa grupeve terroriste në territoret shqiptare, mareshalët shqiptarë e udhëhiqnin ushtrinë e Perandorisë osmane.

Procesi i formimit të kombit shqiptar qe shumë më i komplikuar sesa ai për të cilin mësojmë nga të dhënat që na i transmeton historiografia zyrtare shqiptare. Nëse bëjmë një krahasim me sllavët e jugut – me serbët, kroatët dhe boshnjakët, që kanë një gjuhë të përbashkët apo që flasin dialekte që e kanë burimin nga një gjuhe e përbashkët, dhe të cilët poashtu si edhe shqiptarët ndajnë konfesionin katolik, ortodoks dhe mysliman, gjithashtu jetojnë brenda një tërësie territoriale kompakte gjeografike- atëherë, mes tjerash, imponohet dhe pyetja: cili qe shkaku që ata nuk arritën të formojnë një komb dhe që sot jetojnë të ndarë në shtetet e tyre? Me sa duket, arsyeja e dallimit qëndron në të kaluarën historike të shqiptarëve dhe sllavëve të jugut. Për dallim nga shqiptarët, kroatët, serbët dhe boshnjakët nuk jetuan disa shekuj me radhë në të njëjtin shtet. Kroatët jetuan si pjesë e Republikës së Venedikut, të Austrisë apo Austro-Hungarisë. Nga ana tjetër, serbët një kohë të gjatë jetuan brenda Perandorisë osmane dhe pastaj, gjatë një shekulli, ata jetuan në shtetin e tyre. Kurse boshnjakët jetuan disa shekuj në Perandorinë osmane dhe disa dekada brenda Austro-Hungarisë. Kur u bashkuan në vitin 1918, ata jetuan në një shtet. Deri në vitin 1991 ata nuk arritën ta formonin kombin jugosllav dhe, aq më shumë, përfunduan duke e masakruar njëri-tjetrin. Ky rast gjithashtu, është në shërbim të përfundimit se shqiptarët, megjithëse të ndarë në konfesione, arritën ta formojnë kombin, për shkak se jetuan së bashku dhe të lirë përgjatë një periudhe të gjatë pesë shekullore në shtetin e përbashkët të Perandorisë osmane. Shqiptarët gjatë periudhës së formimit të kombeve arritën me vështirësi ta formojnë kombin shqiptar, por ky sukses nuk mund të thuhet se qe i plotë, duke qenë se një pjesë e popullit shqiptar ndërkohë u asimilua në kombin grek, turk dhe “sllav”.

Përmbajtja

Faik Konica, në revistën e “tij” Albania, shkruante: “Propagandë do me thënë të përhapurit e nja të vërtetës, e nja gënjeshtrës, e ç’do gjësë që kemi në zembërë. […] Shqiptari i vërtetë duhet të bëjë propagandë nat’e ditë”.
Për fat të keq, Konica i mësonte shqiptarët e “vërtetë” se gënjeshtra është vlerë e shqiptarit. Aq më shumë është për të ardhë keq kur konstatojmë që sot e kësaj dite ende, shumë intelektualë shqiptarë i kanë mbetur besnikë Konicës, pasi në veprat e tyre e përdorin gënjeshtrën. Konica, si dhe “rilindasit” e tjerë, që në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, natë e ditë në shkrimet e tyre merreshin me propagandë kundër Perandorisë osmane, kishin probleme me definimin e armikut të shqiptarëve. Ata nuk mund të bënin propagandë që do të kërkonte rebelim apo luftë kundër turqve, pasi që me fjalën “turk-elhamdulilah” identifikoheshin shumica e shqiptarëve. Përveç kësaj, popullata shqiptare ndahej në turqë dhe kaurë dhe prandaj një propagandë që do të nxiste luftë kundër turqëve, do të kishte pasur efekt negativ. Një propagandë e këtillë do të mund të kishte pasur efekt vetëm tek epirotasit (ortodoksët e Shqipërisë). Por, ata nuk kishin nevojë për një propagandë në gjuhën shqipe, pasi që makineria e propagandës së tyre ishte në gjuhën greke dhe ajo vinte nga Patriarkia e Stambollit, apo nga Qeveria greke. “Rilindasit” shqiptarë poashtu nuk mund të bënin propagandë që do të nxiste qëndrime kundër Sulltanit, pasi ky qe edhe Kalif i Islamit dhe nga arsyeja se Sulltanin në Stamboll e mbronin shqiptarët. Ata nuk do të kishin pasur sukses as me një propagandë që do të shtynte drejt një lufte kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë osmane, sepse në trevat shqiptare shumica e asqerëve dhe e zaptijve ishin pikërisht shqiptarë.

Kjo qe dhe arsyeja se pse “rilindasit” u përpoqën të shpiknin emërtime të reja për “armikun”. Emërtimet më të shpeshta të cilat përmes shtypit “shqiptar” apo botimeve në gjuhën shqipe arritën ta etiketojnë “armikun”, qenë sidomos fjalët: halldupë, anadollakë dhe aziatikë. Por, këto emërtime nuk e patën efektin e duhur në popullatë, sepse populli ato nuk i kuptonte. Në fillim, sapo ende nuk e kishin fituar përvojën e duhur, “rilindasit” apo shqiptarët që bënin propagandë, turqit i quanin anadollakë apo aziatikë, përderisa shqiptarët i quanin evropianë. Ata shpresonin se shumë shqiptarë do të bindeshin se turqit dhe shqiptarët jo vetëm që nuk kishin asgjë të përbashkët, por edhe se raca jonë evropiane ishte superiore ndaj racës “barbare” turko-aziatike. Mirëpo, shumica e shqiptarëve të asaj periudhe fjalën “evropian” mbase dhe nuk e lidhte dot me ndonjë ndjenjë të veçantë simpatie. Sepse, shqiptarët Evropën e shihnin shekuj me radhë si një vend të prapambetur, të padrejtë, ku mbizotëronin sëmundjet ngjitëse vdekjeprurëse, ku sundonte mostoleranca fetare, fanatizmi fetar, inkuizicioni, feudalizmi i egër, tregëtia me skllevër etj. Shumica e shqiptarëve, duke u nisur nga gadishmëria e vetë luftarake, nuk e çmonte dhe aq aspektin luftarak të evropianëve, të cilët i kishin ngadhënjyer në fushëbeteja, atëherë kur së bashku me turqit-osmanë e çliruan bregdetin shqiptar nga Republika e Venedikut dhe Mbretëria e Napolit. Shqiptarët poashtu e okupuan Otranton (Itali) me qëllim që ta pushtonin Romën, dhe ata dy herë së bashku me popujt tjerë osmanë e rrethuan Vjenën, me qëllim që ta pushtojnë. Nëse preferojmë të mos shkëputemi nga konteksti kohor, gjë që dhe është parakusht i të kuptuarit të ndodhive, medoemos do të duhej ta marrim parasysh faktin se Evropa asokohe megjithate nuk shihej me sytë e sotëm. Në atë periudhë, duke qenë se kleri islam luante rol të rëndësishëm në formimin e opinionit të popullatës, gjasat ishin pothuajse minimale që popullata të ndante dhe aq emocione pozitive ndaj evropianëve (frankëve) dhe ndaj Evropës (Frankistanit). Kuptohet që në periudhën e fundit të Perandorisë osmane, pas revolucionit industrial, ekonomia evropiane e kishte marrë veten dhe në disa aspekte e kishte tejkaluar edhe standardin osman. Ai progres qe dhe arsyeja që disa shqiptarë, mbase dhe me të drejtë të nisin t’i lakmojnë arritjet shkencore dhe modernizimin industrial në Evropë. Sipas të gjitha gjasave, kjo qe dhe arsyeja se pse dështoi propaganda pro-evropiane e “rilindasve”, që do të nxiste një luftë mes shqiptarëve evropianë dhe anadollakëve apo aziatikëve barbarë. Kjo propagandë mbështetej edhe nga Serbia, siç dëshmon Faik Konica. Ai në një raport drejtuar punëdhënësit të tij, Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, të njëjtin e informon se kush e financon këtë propagandë. Konica mes tjerash informon edhe për një mbledhje të disa “shqiptarëve” që ishte mbajtur në Bukuresht (Rumani), me ç’rast shkruan: ”Ajo (F.D. mbledhja) u mbajtë në maj 1898. Konsulli serb propozoi një fond prej 40.000 frangash për fillimin e një propagande që të nxiste një kryengritje në Shqipëri, për të krijuar një qeveri autonome të bashkuar politikisht me ate të Serbisë”.

Pasi që “rilindasit” e morën përvojën e duhur në propagandë duke u mësuar nga dështimet e veta, dhe me qëllim që të nxisin një revoltë të sukseshme te shqiptarët kundër Qeverisë së tyre, disa prej tyre vendosën që ta thjeshtësojnë nivelin e propagandës dhe ate t’ua përshtasin paragjykimeve që shqiptarët i kishin ndaj të tjerëve. Prandaj dhe filluan gradualisht që fjalët anadollak, aziatik dhe halldup, t’i zëvendësojnë me fjalë të cilat i kuptonte populli. Këto fjalë të reja ishin: çifutë, evgjitë (romë) dhe masonë. Paragjykimet e shqiptarëve dhe popujve tjerë për çifutët dhe evgjitët gjatë asaj periudhe janë të njohura dhe besojmë se nuk nevojitet ndonjë shpjegim shtesë. Për sa u përket masonëve, ata ishin bërë të njohur në popullatën shqiptare sidomos nga kleri ortodoks. Kisha, për një periudhë të gjatë, të gjithë ata shqiptarë që tentonin t’i zëvendësonin shkollat greke me shkolla në gjuhën shqipe, i mallkonte duke i quajtur masonë të cilët, sipas tyre, nëpërmjet shkollave shqipe kishin për qëllim t’i konvertonin ortodoksët.
Por, edhe propaganda e re që e përzgjodhën “rilindasit” u ballafaqua me një sfidë që duhej të tejkalohej. Sfida kishte të bëjë me ate se si të binden shqiptarët se armiqtë e tyre ishin çifutët, evgjitët dhe masonët dhe se ata e udhëhiqnin shtetin osman, ndërkohë që fakti qe ai që ata numerikisht përfaqësonin një pakicë të parëndësishme. Për ta tejkaluar këtë sfidë, ata i keqpërdorën “donmet”. Donme quheshin disa çifutë të Selanikut, të cilët ishin konvertuar në myslimanë. Në përkthim prej turqishtes, fjala “donme” ka kuptimin “i konvertuar“. Prandaj “rilindasit” e panë të arsyeshme që shumë pushtetarë osmanë t’i quanin donme që .d.m.th. se ata nuk ishin myslimanë por ishin çifutë të fshehur dhe se, si rrjedhojë, ata nuk mund t’i përfaqësonin interesat e Perandorisë dhe të shqiptarëve. Sipas propagandës së re, qëllimi i donmeve ishte që ta shkatërronin Perandorinë dhe bashkë me te dhe shqiptarët apo Shqipërinë. Me qëllim që kjo propagandë të arrinte efektin e duhur edhe tek ortodoksët shqiptarë, bëhej propagandë se të gjithë donmet ishin edhe masonë. Duke qenë se, sipas këtij verzioni, ata ishin masonë, kjo njëkohësisht bënte me dije se Qeveria osmane ishte një Qeveri çifuto-masone. Mes tjerash, sipas njërës nga teoritë e atëhershme, masonët përfaqësonin interesat e çifuteve dhe përpiqeshin që ta kontrollonin botën, pasi që t’i merrnin pushtetet nëpërmjet revolucioneve.

Momenti i duhur i aktivizimit të kësaj propagande te shqiptarët erdhi në vitin 1908, pas revolucionit xhonturk. Ekzistojnë me qindra libra dhe poashtu artikuj të gazetave të huaja që shkruanin për lidhjen e masonëve dhe xhonturqëve. Një ndër gazetat në gjuhën shqipe që më shumë përhapte propagandë lidhur me këtë temë ishte ajo që botohej në Sofje, “Liri e Shqiprisë”, nga Kristo Luarasi. Një ndër propaganduesit kryesorë që shkruante artikuj me këtë tematikë, te ajo gazetë, mbante pseudonimin “D”. Në një shkrim të tij, ai shkruante: “Sot në Turqi mbretërojnë Jahudinjtë […] Donmet janë të gjithë Masonë […] Të gjithë gazetat turqisht dhe frengjisht që dalin në Selanik janë të Donmeve, edhe ata të Stambollit më të shumtën përmbahen nga çifutët turq […] Donmet shtërnguan edhe Sheik ul-Islam e parë të nxirte fetva për Hamitin si u deshi qejfi atyreve”. Se kjo ishte vetëm propagandë apo se me këtë çështje merreshin vetëm ata që u besonin teorive konspirative, kjo nuk qëndron. Tematika në fjalë nuk debatohej vetëm në shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, në raportet zyrtare, diplomatike gjithashtu. Në një raport të ambasadorit britanik në Stamboll, Sir Gerard Lowther, drejtuar Ministrisë së Jashtme të Britanisë, ai shkruante për peshën ekonomiko-politike të çifutëve në Perandorinë osmane dhe për lobimin e tyre për qëllimet cioniste në Qeverinë osmane, siç vijon: “[…]duke qenë se Perandoria osmane i përmban vendet të cilat janë të shenjta për Izraelin, është e natyrshme që çifuti të duhet të përpiqet të ketë pozicion të posaçëm ndikimi dhe ta shfrytëzojë atë për realizimin e idealit të tij, d.m.th. të krijimit të shtetit autonom çifut në Palestinë ose Babiloni. […] çifuti mund ta ndihmojë xhonturkun me tru, me ndërmarrje ekonomike, me ndikimin e madh në shtypin e Evropës dhe me para, në shkëmbim të privilegjeve ekonomike dhe realizimit të idealeve të Izraelit, pasi që xhonturku do që ta kthejë dhe sigurojë pavarësinë kombëtare dhe të heqë qafe tutelën e Evropës, […]”.Meqenëse ndikimi i çifutëve në Perandorinë osmane është jashtë tematikës së këtij punimi, këtu do të kufizohem brenda propagandës kundër çifutëve që u bë në mesin e shqiptarëve.

Për ne shqiptarët është shumë me rëndësi që ta njohim historinë e lëvizjes xhonturke (turqit e rinj), meqenëse atë lëvizje e themeluan shqiptarët. Historiografia botërore si themelues të kësaj lëvizjeje e njeh shqiptarin Dr. Ibrahim Temo. Ai, në kujtimet e tija, e ka shpjeguar themelimin e kësaj lëvizjeje opozitare osmane, që kishte për qëllim rrëzimin e despotizmit. Por, kjo lëvizje nuk ishte e unifikuar, pasi që disa nga xhonturqit e kundërshtuan politikën pan-islamike që e ndiqte Sulltan Abdulhamidi dhe kërkuan implementimin e ideve perëndimore të liberalizmit. Disa të tjerë promovonin nacionalizmin turk dhe e përhapën idenë e pan-turqizmit (pan-turanizmit). Poashtu kishte dhe dy rryma kryesore të xhonturqve, nga të cilat njëra konsistonte në decentralizimin e pushtetit, përderisa tjetra në centralizimin e tij. Agjitatori kryesor i idesë së decentralizimit ishte Ismail Qemal Vlora. Lëvizja xhonturke është studjuar në masë të duhur nga historianë seriozë dhe sot mund të thuhet se është përgjithësisht e njohur. Nacionalistët turq xhonturq, propagandën e tyre filluan ta mbështesin në faktin se shqiptarët e mbanin pushtetin e Perandorisë osmane. Prandaj dhe sipas disa prej tyre, për ta rrëzuar Sulltanin, së pari duhej luftuar shqiptarët, pasi dhe pushteti i Sulltan Abdulhamidit mbështetej në besnikërinë e shqiptarëve. Në atë periudhë, Faik Konica, për xhonturqit nacionalist turq shkruante: “Turqët e rinj kanë punë më të shpejtme për të mbaruar: Shkojnë kohën duke sharë Shqiptarët! […] Për ta, çdo Shqipëtar është armiku i Turqiës. Vëndet më të mira të qeveriës, thonë, i zënë Shqiptarët: Shqipëtar është sadrazemi ( F.D. kryeministri), Shqipëtarë janë trup-rojtësit e Sulltanit. […] këta vagabondë s’kanë përveç një qëllim: t’a ashpërojnë Sulltanin, t’i ashpërojnë Turqët, kundrë Shqiptarëve, që kombit t’onë t’i vidhen të tëra të dreqtat […] T’u vërë veshin njeriu atyreve, i mbushet koka se Turqia s’ka armiq përveç Shqipëtarëve, […]”. Në formimin e opinionit të disa turqve nacionalist ndikonte edhe shtypi i huaj që propagandonte për ndasi ndëretnike në qeverinë osmane. Opozitarët turq për shkak të censurës në shtypin osman i lexonin rregullisht gazetat e huaja dhe prandaj ndikoheshin edhe nga ata. Kuptohet që disa gazeta të huaja me qëllim investonin në rritjen e nacionalizmit në mes qytetarëve osmanë pasi që dihej se nacionalizmi nënkuptonte shkatërrimin e një shoqërie shumetnike. Në po atë kohë në një artikull të gazetës në pronësi të çifutëve “The New York Times” shkruhej: “Korrespodenti i “The Times” nё Konstantinopoj thotë qё tё gjithё ministrat turq janë xhelozё pёrshkak tё emërimit tё Ferid Pashёs pёr kryeministër dhe ndihen tё inatosur pёr faktin qё njё shqiptar do t’i udhëheqi ata.” Por, se a kishin të drejtë nacionalistët opozitarë turq në pretendimet e tyre që ta marrin pushtetin e shqiptarëve, këtë e shpjegon edhe historiani shqiptar, që njëkohësisht ishte edhe prift katolik, Ndoc Nikaj. Ai, pasi që u nda Shqipëria nga Perandoria osmane, e botoi librin e parë të historisë së Shqipërisë, ku mes tjerash për atë periudhë shkruante: “Koha e Mretnimit t’Sulltan Hamidit kie koha e sundimit t’Shqyptarve qi sikurë dikuer, n’kohë t’vietra maitne n’dorë Mretniën Romane para shkatrrimit sajë ashtu mundet m’u thanë patnë n’dorë Mretniën Otomane m’ket kohë”. Nuk ishin vetëm historianët shqiptarë ata që e pohonin këtë; edhe politikani osman-shqiptar Ismail Qemali në një shkrim të tij pohonte se shqiptarët e mbanin pushtetin e Perandorisë osmane. Ai në atë shkrim, që më vonë u botua si pjesë e librit me kujtimet e tija, shkruante:“Siguria personale e Sulltanit, pallati i tij, bile edhe haremi i tij, u ishte besuar shqiptarëve. Në ministri dhe në shërbimin civil dhe ushtarak, shqiptarët mbanin pozicionet më të larta dhe më të respektuara”. Por, për fat të keq, sot 100 vjet më vonë, shumica e shqiptarëve nuk e di këtë fakt historik. Më pak e studjuar është politika pan-islamike që e ndiqte Sulltan Abdulhamidi II, gjithashtu arsyet që e shtynë atë ta ndiqte atë politikë. Nga një shkrim i Shemsedin Sami Frashërit, për biografinë e shqiptarit nga Çamëria, Tahsin Hoxha, kuptojmë që T.H. kishte qenë themelues i idesë politike të pan-islamizmit në Perandorinë osmane. Pan-islamizmi konsistonte në bashkimin politik të të gjithë muslimanëve të botës, me qëllim të rikthimit të balancës ndërkombëtare duke e zmadhuar ndikimin e muslimanëve nën tutelën e Kalifit. Pasi Sulltani ishte edhe Kalif i Islamit, sipas idesë politike pan-islamike ai duhej të përkujdeset për gjendjen e mjerueshme të myslimanëve dhe pozitës së Islamit në botë. Shumica e myslimanëve në atë periudhë jetonin nën okupimin e shteteve të krishtera në Magreb, Indi, Indonezi, Kaukaz, Azinë Qendrore dhe Bosnjë. Sulltani shpresonte se me rritjen e pakënaqësisë tek myslimanët e okupuar do të zgjerohej edhe përkrahja ndaj tij dhe se kjo do t’i përforconte pozitat e tij në rang ndërkombëtar, dhe se si pasojë do të evitohej apo prolongohej kolapsi i Perandorisë osmane, që haste vështirësi të mëdha ekonomiko-politike.

Ideja politike pan-islamike e shqetësonte sidomos Perandorinë britanike, pasi që ajo kishte numër më të madh myslimanësh nën okupimin e saj. Prandaj dhe britanikët investonin jo vetëm në nxitjen e rebelimeve brenda Perandorisë osmane, por dhe në rikthimin e Kalifatit tek arabët, apo formimin e një kalifati paralel, me çka do të dobësohej apo eliminohej ndikimi pan-islamik i Sulltanit. Këtë qëllim britanikët e arritën gjatë Luftës së parë botërore pas marrëveshjes me disa krerë arabë, me çka u zbeh institucioni i Kalifit në Stamboll dhe si pasojë ky institucion me traditë 1300 vjeçare u shua përfundimisht në vitin 1924. Një episod tjetër që nuk është studjuar aq sa duhet nga historiografia, është lidhja e lëvizjes xhonturke me masonët. Nuk dyshohet se ekzistonte një bashkëpunim mes masonëve dhe xhonturqëve dhe se shumë personalitete të rëndësishme xhonturke ishin njëkohësisht edhe masonë. Historiografia turke nuk e mohon lidhjen e lëvizjes xhonturke me masonët. Kjo, pasi biografët zyrtarë të Mustafa Qemalit (kryetari i parë i Republikës së Turqisë) përmendnin në librat e tyre se gjoja ky kishte qenë kundër bashkëpunimit me masonët kur kishte qenë anëtar aktiv i partisë xhonturke dhe se Mustafa Qemali këtë qëndrim të tij e kishte shprehur gjatë fjalimit që e kishte mbajtur në tetor të vitit 1908 në kongresin e partisë xhonturke në Selanik. Lozhat masone përdoreshin për mbajtjen e mbledhjeve të fshehta të xhonturqve dhe organizimi i masonëve pjesërisht u mor si model i organizimit ilegal xhonturk. Nuk mund të them me këtë rast se edhe Ibrahim Temo ishte mason, ndërkohë që interesimi i tij për organizimin e masonëve dhe për kontaktet që ai i kishte me ta është i padiskutueshëm. Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ibrahim Temos ishin Dervish Hima dhe kurdi Abdullah Xhevdet. Ibrahim Temo e kishte autorizuar Dervish Himën që të merrte pjesë në kongresin e parë xhonturk që u mbajt në Paris në vitin 1902, përderisa me Abdullah Xhevdet e themelojnë bashkërisht Partinë Demokratike Osmane, pasi që kjo ndahet nga partia xhonturke (Komiteti për Bashkim dhe Përparim). Baron Franc Nopca me kujtimet e tija dëshmon se Dervish Hima ishte mason. Përderisa Abdullah Xhevdet ishte një intelektual i famshëm i Turqisë, që deklarohej haptazi se ishte ateist. Bashkëpunimi i ngushtë i Ibrahim Temos me këta dy personalitete, në një farë mënyre, shpjegon edhe për bindjet e tija.

Një ndër politikanët e rëndësishëm shqiptarë gjatë kësaj periudhe ishte edhe deputeti-osman Riza Tevfik, i cili nga ana e babait të tij ishte me prejardhje prej Dibre. Riza Tevfik, që sot njihet ndërkombëtarisht si filozof, e shpreh përkatësinë e tij shqiptare në një vjershë që e shkruan në kohën kur nacionalizmi turk shënonte kulmin e vetë. Ai ishte shkolluar në një shkollë prestigjioze çifute në Stamboll dhe, pasi që fitoi peshë politike, ishte dhe më tolerant kundrejt interesave cioniste në Perandori. Riza Tevfik, i cili ishte bektashi, në kujtimet e tija shpjegon që kishte një lidhje mes masonëve dhe bektashinjve. Kjo nuk ishte diçka e re, pasi që për këtë kishte dëshmuar shumë më herët edhe Këshilltari i Shtetit, Shemsedin Sami Frashëri te libri i tij i famshëm, kur shkruan: “Qysh janë Frankomasonët e Bektashitë vëllezërë në mest të-tyre, kështu duhetë të jenë edhe Shqiptarët e-vërtetë”. Por, Riza Tevfik (që u bë dhe kryetar i Senatit osman) dëshmonte sikur që dëshmonin edhe të tjerë, se edhe Sheik ul-Islami (Kryedijetari Islam) Musa Kazim Efendi qe mason. -Sultan Abdulhamiti u detyrua të abdikojë disa muaj pas revolucionit xhonturk dhe garda shqiptare që e mbronte atë u detyrua të kthehet në Shqipëri. Esat Pashë Toptanit iu dha besimi që në emër të Parlamentit osman dhe fetvas së Sheik ul-Islamit të shkonte te pallati i Abdulhamidit me qëllim që atë ta infomojë se ishte shkarkuar nga froni dhe ta sigurojë Sulltanin, duke ia dhënë besën shqiptare, se jeta e tij nuk ishte në rrezik. Kur Esat Pasha shkoi që ta kryejë këtë detyrë (një nga detyrat më të rëndësishme të jetës së tij të bujshme), atë e shoqëruan edhe tre deputetë tjerë. Njëri prej tyre ishte çifut prej Selaniku (Enamel Carasso), i cili njëkohësisht ishte mason dhe mbante titullin e Grand Master të lozhës “Macedonia Risorta”. Ky deputet ua përcolli mediave debatin që u zhvillua mes Esat Pashës dhe Sulltanit. Prania e një çifuti dhe njëkohësisht masoni gjatë abdikimit të Kalifit të Islamit bëri bujë brenda popullatës. Kur u mor vesh edhe se Sulltan Abdulhamiti përkundër dëshirës së tij ishte syrgjynosur në Selanik dhe se atje jetonte në shtëpinë e një bankieri çifut, shumë përkrahës të tij e sidomos përkrahësit shqiptarë u hidhëruan përtej mase. Revolti i këtyre individëve erdhi, pra, si pasojë e një historie të përbashkët mes çifutëve dhe Sulltanit.

Idetë cioniste u infiltruan në Perandorinë osmane gjatë regjimit të Sulltan Abdulhamidit. Cionizmi ishte (është) një ide politike që konsistonte në migrimin dhe bashkimin e të gjithë çifutëve në një territor të caktuar dhe me qëllim të formimit të shtetit çifut. Ai territor preferohej të jetë Palestina, e që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë osmane. Kjo ide u bë publike kur u botua libri “Judenstaat” (shteti i çifutëve) nga Theodor Herzl, në vitin1896 në Vjenë. Në atë libër autori mes tjerash shkruante: “Nëse Lartmadhëria e Tij Sulltani do të na jepte Palestinën, ne për kundërshpërblim do të ndërmerrnim konsolidimin e të gjitha financave të Perandorisë osmane”. Por, meqenëse Sulltani i kishte kuptuar qëllimet e tija, ai në shënimet e veta do të shkruajë: “Herzl, kryetari i cionistëve, nuk mund të ma mbushë mendjen me idetë e tija”. Kryetarin e cionistëve, Herzl, në atë periudhë e kishte pranuar në audiencë Kajzeri i Gjermanisë dhe i kishte shfaqur atij simpati për idenë që e promovonte. Në fakt, dhe Kajzeri do të ndjehej i lumtur, nëse çifutët vullnetarisht do të largoheshin prej Perandorisë së tij, për shkak të rritjes së antisemitizmit. I motivuar edhe më shumë nga përkrahja e Kajzerit shkaku i marrëdhënieve të sinqerta mes Kajzerit dhe Sulltanit, Herzl kërkoi audiencë edhe me Sulltanin. Ky në fillim nuk e pranoi Herzlin, mirëpo pas ndikimit të lobimt cionist, ai e pranoi, në vitin 1901. Sulltani e informoi Herzlin se nuk do të hiqte dorë prej Palestinës, edhe sikur ata t’i mbulonin të gjitha borxhet e Perandorisë osmane. Sulltan Abdulhamidi edhe përkundër situatës së mjerueshme financiare të Perandorisë, nuk lejoi zbatimin e ideve cioniste në territoret nën sovranitetin e tij. Por, cionistët nuk i ndërprenë përpjekjet drejt realizmimit të qëllimeve të tyre. Me rrëzimin e Sulltan Abdulhamidit, ata panë një mundësi të re për vehten e tyre. Po sikur cionisët dhe disa “rilindas” këtë situatë të krijuar tentonin ta shfrytëzonin në dobi të propagandës së tyre. Duke e parë këtë fakt të ri si një mundësi shumë të përshtatshme, propaganda e “rilindasve” nisi të përqëndrohej në thënien se Sulltan Abdulhamidi mbahet peng nga çifutët në një shtëpi çifuti në Selanik dhe se poashtu Sulltani i ri mbahej në fron nga ata. “Rilindasit” u përqendruan te kjo pikë, pasi që e dinin se rrëzimi nga froni i Sulltan Abdulhamidit kishte dhe pasoja tek garda e tij shqiptare, që përbëhej nga luftëtarët më besnikë të Perandorisë dhe të Kalifit. Garda shqiptare e Sulltanit, për shkak të lojalitetit ndaj tij, shihej me sy të keq nga pushtetarët e rinj xhonturq. Prandaj atyre ua ndërprenë të gjitha privilegjet që i kishin, rrogat e mëdha dhe pensionet. Shumë gardistë shqiptarë ndjeheshin të ofenduar nga situate e re e krijuar në Perandori dhe shprehnin shqetësim për sigurinë e Sulltan Abdulhamidit, të cilin e thërrisnin Babë. Ata shumë vjersha dhe këngë i kishin përkushtuar Sulltan Abdulhamidit, si faleminderim për respektin që tregonte sovrani dhe Kalifi i tyre për ta. Disa vjersha kushtuar atij u botuan edhe te revista Albania:

Qoft lëvdu Zoti n’bot,
Na rujt Sulltanin gjith mot,
Të tan na t’i bajm duva 
Se e kem bab e fmi na ka.
[…] I madhi mmret ne na ka dasht.
Afër vedit mman Shqyptart,
U-baft plak nji qinn vietsh,
Ru-je, Zot, e mos t’na ddes!

Edhe shkrimtari më i madh shqiptar i asaj kohe Filip Shiroka i përkushtonte vjersha Sulltanit:

E Shqyptari i hutuemun
Me sy s’e shef rrezikun!
Beson dhelpëris t’hujvet,
Nuk di me e njoft armikun:
Prej t’hujvet pret lirin,
E s’di se veç robnin,
N’lak t’hujvet ka me gjet!
[…] Por baba mmret i Madhnueshym,
Ai veç ty t’pshton anmikut:
Nën hije t’Tij, gjith-hera,
Ka për t’u-rrit ty nnera,
Si zemra t’a dishron!

Burokrati osman Naim Frashri në vjershën kushtuar Korçës e bekonte Sulltanin me këto vargje:

Edhe Sulltanit te mirë,
Mbretit t’math q’e kemi atë
Dhe ka për neve mëshire
E përpiqet dit’ e natë.
Zoti jet’ e dit’ të dhëntë
Dhe qëllimet ja mbaroftë!
Me nder përmi front e lëntë!
Dhe gjithënjë e gëzoftë!

Dhe, respekti ishte reciprok, pasi që dhe Sulltan Abdulhamidi i II kishte po të njëjtin mendim dhe respekt për shqiptarët. Në shënimet e tija ai shkruante: “Shqiptarët […] janë ushtarët tanë më besnikë. Nga ky popull kanë dalë ushtarë dhe drejtues të jashtëzakonshëm. A nuk janë prej tyre edhe ata që gjenden përreth sulltanatit tim?” Besnikërinë e ushtarëve shqiptarë ndaj Sulltanit e dëshmonte edhe Vaso Pasha te libri i tij për historinë e shqiptarëve. Ai shkruante: “[…] ushtërit Shqiptare gjithmonë kanë qenë të dalluara për trimrinë dhe zotsin e tyre ushtarake, ashtu dhe besnikërinë e me lidhjen e tyre me Sulltanin.”

Situata e atëhershme politike që u krijua në mesin e shqiptarëve dhe propaganda që i nxiste ata të rebeloheshin, solli dhe rebelime të herëpashershme në Gegëri, me një intensitet më të vogël. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve filluan thashethemet se shqiptarët do të niseshin në Selanik që ta çlironin Sulltanin dhe ta sillnin atë përsëri në fron. Noli, prej Amerike shkruante: “Pastaj u fol se gegët e Kosovës do të zbresin në Selanik për të çliruar sultan Hamitin etj. S’mund t’u epnim besim këtyre lajmave dhe e vërteta më së fundi dolli në shesh. Duket se i vetëmi qëllim i gegëve të Kosovës ish kënga e tyre e vjetër”. Por, pasi që Noli e kuptoi rëndësinë e nxitjes së shqiptarëve për “çlirimin” e Sulltanit në Selanik, ai gjithashtu filloi që ta përkrahte propagandën e re kundër çifutëve. Prandaj Noli më vonë shkruan: “Mjerë ay vent ku hynë çifutët”. Ai edhe për shtypin e Perandorisë gjithashtu shkruante se shqiptarët ishin lënë pas dore, pasi që çifutët përmendeshin para shqiptarëve: “Kemi vënë re nër gazetat turke që, kur nëmërohen racat e perandorisë otomane, shqiptarët ose s’përmenden fare, ose përmenden munt në funt, pas çifutëve dhe evgjitëve”. Propaganda e Nolit kundër çifutëve u theksua shumë. Kur shoqëria protestante e inicoi hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe në Korçë, ai ishte kundër hapjes së saj, duke vlerësuar se prapavija qe mbretërimi i çifutëve me botën: “E tepër të thom që sëmundja e mvrojtësirës protestante mbuloi gjithë botën dhe çifutëria mbretëroi ku në një formë të ëmbël, ku në një formë më të ashpër, po kudo e mërzitur dhe e urryer”. Situata e re e krijuar në Perandori dhe propaganda e pandalshme e “rilindasve” jo vetëm që e nxiti rebelimin e disa shqiptarëve me ndikim, por të njëjtat i nxitën edhe pushtetarët xhonturq që të ngrejë alarmin e një sulmi të mundshëm të disa shqiptarëve kundër Selanikut. Rreziku i sulmit të Selanikut qe real, pasi që shqiptarët qenë të armatosur dhe patën dëshmuar në atë periudhë se janë të aftë të organizohen dhe të ndërmarrin një aksion të tillë. Një gjë të tillë ata e patën dëshmuar edhe gjatë revolucionit xhonturk, gjithashtu gjatë kundërrevolucionit të vitit 1909. Prandaj dhe pushtetarët xhonturq, pas disa rebelimeve në disa treva shqiptare, filluan ta përshpejtojnë implementimin e kërkesës së Fuqive të Mëdha për çarmatimin e shqiptarëve.

Propaganda e “rilindësve” filloi t’i mbledhë edhe frytet e veta të para në Shqipëri. Në Gegëri filluan trazira më serioze në vitin 1910 kundër Qeverisë xhonturke. Se kjo propagandë kishte pasur efektin e vetë, këtë e dëshmonte edhe Eqrem Vlora në librin që e shkroi në vitin 1955 së bashku me baroneshën Marie Amelie von Godin. Ata shkruanin për atë që përflitej në mesin e popullatës gjatë shpërthimit të trazirave të vitit 1910 në Kosovë: “Tani këtë Sulltan që i ka bërë aq të mira Kosovës ata e kanë rrëzuar dhe e kanë burgosur në një shtëpi çifuti në Selanik”. Por, Eqrem Vlora, në periudhën e Perandorisë osmane bënte edhe propagandë lidhur me rolin e çifuteve në Perandori. Në librin që e shkroi për trazirat në Kosovë, dhe që e botoi në gjermanisht në vitin 1911 në Vjenë, mes tjerash ai shkruante se një çifut i paautorizuar kishte dalë të mbledhë taksa në mesin e popullatës shqiptare, në emër të Qeverisë së re, me çka dhe kishte shkaktuar një arsye më shumë që të shpërthejnë trazirat. Eqrem Vlora qëndrimin që e kishte ndaj çifutëve e shprehu edhe në kujtimet e tija. Ai shkruante se përshkak të përvojës së tij të hidhur me çifutët, asnjëherë më nuk do të hynte në bashkëpunim tregëtar me ta. Gjatë asaj periudhe, me të filluar trazirat në trevat shqiptare, edhe të huajt shkruanin për situatën e re në Shqipëri. Në një libër me rëndësi për historinë shqiptare, shkruhej se fajtorë të trazirave në Shqipëri ishin masonët dhe çifutët, pasi që ata, faktikisht, e kishin pushtetin në dorë. Për rrethanat e reja në Perandori, autori i librit shkruante: “Sot i tërë procesi i këtij ndërrimi është i qartë, masonët dhe çifutët e vërejtën dobësinë e Sulltan Abdulhamidit, i blenë oficerët osmanë dhe bashkërisht me oficerët tradhtarë, me çifutët dhe masonët, në mënyrë qyqare dhe grabitqare u bënë kundër sovranit të tyre, ashtu sikur që tash më është e ditur”.

Meqë pushtetarët xhonturq bazën e tyre në realitet e kishin në Selanik dhe jo në Stamboll, propaganda e intensifikoi nxitjen e shqiptarëve drejt pushtimit të Selanikut dhe ekzekutimit të anëtarëve të Xhemijetit (kryesisë së partisë politike xhonturke). Anëtarët e Xhemijetit i mbanin mbledhjet në Selanik dhe ata në fakt qenë Qeveri nën hije e Perandorisë. Një shkrim me përmbajtje të tillë, që i nxiste shqiptarët të marshojnë drejt Selanikut, e që njëkohësisht sot na ndihmon ta kuptojmë se si përhapej kjo propagandë, u botua në vitin 1912, ku mes tjerash thuhej: “Abdul Hamitin e rëzuan, sepse ishte i squar njeri dhe nuk do mundnin çifutët ta vinin në gjumë duke dehurë me raki rushi. […]Pse nukë ngrihen këtë njëzet miliun njerës të cilëtë po i pret e zeza, e t’i zërë këta një grusht Donme të Selanikut e t’i hedhin në det? Çifutët edhe vëtëvetiu do hiqen nga qeveria tyrke, mirpo do hiqenë atëherë kur do mos i mbetet kësaj as pikë gjaku për thethitur ata. -Shqiptarë! Gjithë këta të këqia që na erdhën mbi kokë tënë në këta tre vjet e sipërë që kur u bë hurieti i Selanikutë (F.D. revulucioni xhonturk), edhe qi po na vijnë akoma, të gjitha nga Donmet e Selanikut na erdhnë.[…], duhet të hidhemi mbi Donmet e Selanikut të cilët janë dhe të pakët, dhe kështu do shpëtojmë, edhe na Shqiptarët nga humbja, edhe gjith i mjeri popull i së shkretës Turqi, nga Çifutët që po na mbytin, po na pinë gjakë, po na vdesinë, edhe akoma s’e kemi kuptuarë. O burrani o Shqiptarë mbi Donmet e Selanikut! Ay burrë që do të bënjë këtë trimëri do jetë më i madhi atdhetarë e më i madhi njerzidashës”. Efikasiteti i propagandës te shqiptarët kishte filluar ta shqetësojë edhe Stambollin. Pushtetarët osmanë, duke qenë të vetëdijshëm se shqiptarët ishin shtylla e mbështetjes së pushtetit në Evropë, filluan me vepra konkrete t’i kundërpërgjigjen propagandës së zezë. Për këtë qëllim, në vitin 1911 dijetari i shquar shqiptar Nasip Efendi Libohova e zëvendësoi Sheik ul-Islamin, për të cilin me të drejtë flitej se ishte i afërt me masonët. Më pastaj u vendos që Sulltani personalisht t’i vizitonte shqiptarët, popullin më besnik të Perandorisë gjatë pesë shekujve, dhe t’i dëgjonte hallet e tyre për së afërmi, pas trazirave që kishin ndodhur shpejt asokohe. Por, para se të shkonte në Shkup, Prishtinë dhe Manastir, Sulltani duhej t’i shuante dyshimet se vëllai i tij Sulltan Abdulhamidi mbahej rob nga çifutët dhe të dëshmonte se ai ishte shëndoshë e mirë. Prandaj dhe Sulltani së pari u ndal në Selanik dhe shkoi e vizitoi vëllanë e tij, që mbahej në arrest shtëpiak. Këtë ngjarje e përcollën edhe gazetarë, të cilët raportonin për tërë aktivitetin e Sulltanit. Pas vizitës në Selanik, Sulltani me tren u nis drejt trevave shqiptare, ku e pritën dhjetëra mijëra shqiptarë me të gjitha nderimet si sovran i tyre.

Foto: Princërit osmanli. Djemtë e Sulltan Mehmedit V, gjatë vizitës në Manastir në vitin 1911.

Propaganda kundër çifutëve poashtu vinte në shprehje në fushatën zgjedhore, sepse shumë “rilindas” e mbështesnin Partinë Liberale me në krye Ismail Qemalin, e që ishte në opozitë, kundër partisë xhonturke. Kështu shkruante prej Egjipti, me qëllim të votimit kundër partisë xhonturke, mentori nacionalist i Fan Nolit, Jani Vruho: “Shqipëtar! Po nukë dijtëm dhe këtë herë të sillemi siç e do puna,t’ë dijmë fort mirë se na shitën Çifutët e Selanikut më keq se bagëtinë”. Një ndër “rilindasit” që i kushtonte theks të veçantë propagandës kundër çifutëve dhe evgjitëve ishte Luigj Gurakuqi. Ai, në një polemikë me deputetin osman-shqiptar Gani Frashërin dhe kryetarin e shoqërisë shqiptare të Stambollit Abdyl Ypin, shkruante: “Z-n’e ‘Tij Gani Bej Frashërin […] lypsej t’i dinit paudhësitë e të ligat e parrëfyershme e të panumëruarshme me të cilat, që prej katrë vjetëvet po mjerojnë e po shkretojnë Shqipërinë tonë ata Çifutët, Evgjitët e Masonët, që kanë sot qeverinë turke në dorë!” Propaganda e Luigj Gurakuqit u intensifikua sidomos në verën e vitit 1912, kur me të gjitha fuqitë ishin përqendruar në rebelimin e shqiptarëve kundër Qeverisë xhonturke. Ai shkruante: “Duke thanë kështu nuk kam qëllim t’i jap ment qeveriës turke, pse e dij shum mirë se, gjer kur të jetë në dorë të Xhavidit dhe të Talatit e të çetës çifuto-evgjite të Selanikut, asht kot të shprehim gja tjetrë veç se paudhësië e ndjekje”. Pas një muaji në një shkrim tjetër L.G. shkruante: “Jo, asnjëri nukë munt të shpresonte se Turqia do të mbaronte kështu si po mbaron, […] nga dora e evgjitit e e çifutit”! Luigj Gurakuqi e quante evgjit Talatin përderisa çifut Xhavitin. Këto dhe mund të ishin të vërteta, por çfarë rëndësie kishte kjo?! Talat bej (Talat Pasha) ishte figura kryesore e krahut civil të xhonturqve. Atë e kishte anëtarësuar një shqiptar i Pejës në partinë xhonturke në ilegalitet, i cili shqiptar pas mbledhjes së Parlamentit osman si deputet përfaqësonte zonën e Pejës. Talat Pasha në vitin 1917 u bë dhe kryeministër i Perandorisë osmane. Kurse Xhavit bej ishte ministër i financave, që në fakt ishte donde apo çifut i konvertuar. Por, mentaliteti i “rilindasve” nuk mund të pranonte një çifut apo një rom në një pozitë të lartë në Perandori, që do t’i udhëhiqnin shqiptarët. Shqiptarët, duke qenë jo vetëm të përkëdhelurit e Perandorisë por dhe faktikisht thuajse sunduesit më të rëndësishëm të Perandorisë, pas disa shekujsh qeverisjeje kishin filluar të formonin bindjen se ata e kishin të drejtën ekskluzive që të sundojnë dhe të jenë të privilegjuarit e Perandorisë osmane. Shqiptarët ishin lidhur aq ngushtë me pushtetin, sa që kishin formuar dhe dinastitë e sundimtarëve, siç qe familja Qyprili prej Maqedonie dhe Khedivët në Egjipt. Por “rilindasit” nëpërmjet propagandës e sulmonin Perandorinë pikërisht në atë pikë ku qëndronte dhe forca e saj. Në Perandorinë osmane, romi, shqiptari, turku, greku, i varfëri apo i pasuri, nëse ishin të zotit mund të bëheshin kryeministër dhe të qeverisnin. Aty qëndronte dhe suksesi disa shekullor i Perandorisë në fjalë, që arriti të mbijetojë në një ambient multietnik, multireligjioz, multikulturor dhe multigjuhësor. Prandaj propaganda dhe tentonte të nxiste nacionalizmin dhe urrejtjen mes etnive të ndryshme të Perandorisë. Propaganda kundër çifutëve dhe evgjitëve pati aq shumë sukses, sa që disa “rilindas” u frymëzuan dhe filluan të shkruanin edhe vjersha me këtë tematikë. Salih Gjuka, që më vonë ishte edhe delegat në Kuvendin e Vlorës, në një vjershë shkruante:

Ku i ki thojt e syt për dritë?
Çifut; Evgjit po t’koritë!
Sot shumë korba thon jem shqype
Si duron e kryet s’ja u shtype.

Kulmi i efikasitetit të propagandës kuptohet që u arrit në të ashtuquajturën “Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare”, në verën e vitit 1912, kur disa shqiptarë të armatosur e nisën marshimin e vërtetë prej Shkupi drejt Selanikut, me qëllim që ta çlirojnë Sulltan Abdulhamidin nga “robëria” çifuto-masone. Në atë periudhë, në një letër të hapur të një Komiteti ilegal shqiptar drejtuar Sulltanit, e që u botua në gazetë, shkruhej: “Sulltan Sulltan! Mos haro se mbretëria juaj në mund të rojë në Evropë 500 vjetë, sepse është nënë hien e nënë mbrojtjen tonë shqiptare, […] Sulltan Abdul Hamiti u gremis nga froni atëherë vetëm, kur e lamë ne Shqiptarët. Prandaj dhe Ty ja ku të themi: Pa ne Shqiptarët nuk qëndron dot në fron të mbretërisë Osmane as Ti as nonjë tjetër nga shtëpia Juaj, pra mos vono po bëj një orë e më parë këto që të themi ne. Hiqu nga froni me gjëmba, hiqu nga robëria çifute dhe çingjene [F.D. evgjite, rome]”. Trazirat në trevat shqiptare, të përcjella me rebelimin e disa oficerëve osmanë në krye me Xhafer Tajar Pashën (nipi i Mehmet Pashë Derallës), si dhe humbja e Libisë nga Italia, i detyruan xhonturqit që ta lëshonin pushtetin. Me këtë veprim të tyre u rehabilitua edhe Sulltan Abdulhamidi. Trazirat e verës së vitit 1912 në mesin e shqiptarëve i parapriu edhe një propagandë e përkrahur nga shtetet ballkanike, të cilat përgatiteshin t’i okuponin territoret shqiptare dhe të cilëve, për këtë arsye, u konvenonte kaosi politiko-ushtarak që u krijua në ato territore. Menjëherë pas ndërrimit të qeverisë osmane, Ismail Qemali e dha një intervistë për gazetën vjeneze ”Neu Freie Presse”, e ku në mes të tjerave deklaronte: “Në lëvizjen shqiptare nuk duhet të kujtohet një të ndarë nga Turqia (F.D. Perandoria osmane). Shqiptarët e ndiejnë veten otomanë dhe e vetmia dëshirë e tyre është për të bashkëvepruar për të ngjallurit e përparimin e mbretërisë turke (F.D. osmane). Shqipëtarët nuk kanë pse të dyshojnë për besnikërinë e qeverisë së sotme turke (F.D. osmane). Lëvizja e shqiptarëve ka mbaruar, pse i ka arritur qëllimet e veta, dua të them, të larguarit e turqve të rinj nga sundimi”.

Në fund, tërë këtë propagandë shqiptarët e paguan shumë shtrenjtë. Sepse, përderisa shtetet ballkanike lidhnin aleanca ushtarake që synonin zaptimin e territoreve shqiptare, “rilindasit” tanë merreshin me shpifje, me çifutët dhe me masonët. Menjëherë pas trazirave që ndodhën në mesin e shqiptarëve, erdhi sulmi i ushtrive të Aleancës ballkanike. Një situatë e këtillë kaotike ndikoi që fushëbetejat e shqiptarëve të pësojnë disfata të njëpasnjëshme. Hutinë e një pjese të madhe të shqiptarëve në atë periudhë e dëshmon më vonë edhe Mit’hat Frashëri, si dëshmitar i shumë ngjarjeve gjatë Luftës ballkanike. Ai shpjegon se në disa pjesë të izoluara të Shqipërisë popullata nuk e kishte kuptuar se luftohej për t’u mbrojtur nga invazioni sllav. Nga dëshmia e tij gjithashtu, kuptojmë se shumë shqiptarë të ndikuar nga propaganda, në fillim mendonin se ende luftohej për sjelljen e Sulltan Abdulhamidit në pushtet. Mit’hat Frashëri shkruante: “Kështu, për shembllë,në kufi të Lumës, ne Bahtuar Doda (F.D. Kalaja e Dodës), në vënt të lajmit të zi që Shqiet (F.D sllavët) shkelë tokën e stërgjyshvet t’anë, vete e reja gazmore e të hipurit prapë në tron t’Abdyl Hamidit! Kjo përallë pritetë me gëzim, shkakton zbrazje pushke dhe therje mishi, një të vërtetë festë, […]”.
Serbet e shkelën Shqipërinë duke e pasur paraprakisht të gatshme propagandën e luftës tek shqiptarët, të mbjellur nga “patriotët” shqiptarë. Të bindur në vëllazërinë e re serbo-shqiptare kundër xhonturqve, komanda serbe në vjeshtën e vitit 1912 e lëshoi në shqip këtë proklamatë për shqiptarët: “Or vllazni, […] Na me emr, e me ndiim allahit jemi nisun, e po vim me kuvet (F.D. forcën) ton te ju. Po vim n’dhe t’juj e tonin qi na kan zaptue Osmanlit, qe pesçin e përmbi vjet, ama s’po vim zullum me ju bo, por po vim zullumin me ju hjek. […]na po ja nisim luftës prej qatytit, ku e keni lon ju[…]”. Kuptohet se pasi i panë rezultatet katastrofale që i pësuan shqiptarët si gjatë Luftës ballkanike, ashtu edhe pas saj, falë edhe propagandës së tyre, disa “rilindas” në pleqëri u arsyetuan se kishin qenë të rinj dhe të manipuluar (rasti i Eqrem Vlorës). Por, disa të tjerë, si Gjergj Fishta, ende vazhdonin t’i fajësonin çifutët dhe masonët, të cilët, sipas këtij të fundit i kishin nxitur turqit e rinj (xhonturqit) që të silleshin keq me shqiptarët. Fishta te revista e tij shkruante: “Turqit e rii tuj pas baa bee me i qitë faret kryekput Shqyptarët kso jetet, me zemër qi u dha guzimi i pamarrshëm i Evrejve dhe framasonve, […]”. Por, megjithëse në Konferencën e Londrës Shqipëria u përgjysmua, Gjergj Fishta nuk i fajësonte burrështetasit evropianë dhe “rilindasit” për mjerimin që ua sollën shqiptarëve, dhe ai i akuzonte çifutët që sipas tij e kontrollonin Evropën; prandaj ai shkruante:

Shqyptarë, a ndiet? Europa, mrrutë e ndyt,
Shkerdye me Evrej t’Parisit e t’Londonit,.

Konkluzion

Propaganda që “rilindasit” e zhvillonin nate e ditë ishte edhe në shërbim të përhapjes së idesë së nacionalizmit te shqiptarët. Mirëpo, formimi i kombit shqiptar nuk ishte meritë e “rilindasve” shqiptarë, por ishte rezultat i pozitës së shqiptarëve si sundimtarë të Perandorisë osmane dhe i traditës institucionale të tolerancës ndërfetare që ekzistonte në atë Perandori. Propaganda e “rilindasve”, me sa duket, vetëm i shtoi vuajtjet njëshekullore të popullit shqiptar . Si rrjedhojë, ne shqiptarët e Maqedonisë qysh prej kohës kur na okupuan në vitin 1912 e deri në ditët e sotme vazhdojmë të jetojmë të okupuar nga sllavo-ortodoksët. Shqiptarët që bënin propagandë, apo rilindasit shqiptarë (siç i quan historiografia shqiptare), sipas të gjitha gjasave, sot e kësaj dite mbajnë një pjesë të fajit për gjendjen tonë të mjerueshme. Të përkrahura nga Perëndimi, idetë e nacionalizmit në shek. XIX depërtuan edhe në Perandorinë osmane. Nacionalizmi u shndërrua në një shkaktar shkatërrimi gradual të Perandorisë osmane, pasi që kur idetë nacionaliste të disa etnive brenda Perandorisë u lidhën me interesat imperialiste të Fuqive të Mëdha, kjo nënkuptonte edhe fundin e Perandorisë osmane. Duke qenë se Fuqitë e Mëdha planifikonin marrjen dhe ndarjen e territoreve osmane, ato përkrahnin propagandën që nxiste rebelime apo trazira. Këto Fuqi me të drejtë besonin se nëpërmjet trazirave vetvetiu do të vinte kolapsi i Perandorisë. Por, shkatërrimi i Perandorisë osmane jo vetëm që ndikoi në prishjen e balancës ndërkombëtarë dhe i solli Luftërat ballkanike dhe ato botërore, por ajo e solli edhe kolonializmin apo eksploatimin ekonomik të shumë etnive nga, pra, Fuqitë e Mëdha, dhe të cilat etni më parë jetonin të lira, me të drejta të njëjta dhe me detyrime në Perandorinë osmane. Sot e kësaj dite, pasojat e kolapsit të Perandorisë osmane ndjehen në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, meqë prej kur u ndanë këto shtete nga trungu i përbashkët disashekullor, paqja njëshekullore në këto territore mbetet e panjohur.

Riza Tevfik, filozof shqiptar-turk, e kuptoi shumë më herët veprimtarinë vetëshkatërruese. Ai u nda i hidhëruar nga xhonturqit pas disfatës së Luftës ballkanike dhe, prandaj, pas vdekjes së Sulltan Abdulhamidit në vitin 1918, këtij i kushtoi disa vargje:

Kur historitë ta përmendin emrin tënd, 
Ty do të japin të drejtë, o Sulltan i madh!
Ne ishim që shpifëm, pa u turpëruar.
Shpifëm ndaj padishahut [F.D. Sulltanit] më diplomat të shekullit.

Shekulli Agency