BERATI SI KA QENË, SI ËSHTË, SI DO TË JETË…

berati

Një nga qytetet më të bukur në mbarëbotën, Berati, është i lokalizuar pikërisht në jugun e Shqipërisë. Ky vend ka historikun, traditat, zakonet dhe kulturën më të lashtë në Ballkan, gjë që i jep veçantinë e të vizituarit nga turistët e çdo cepi të botës. Megjithatë, mbetet për t’u theksuar se edhe vetë Berati ka kaluar periudha mjaft të vështira në etapa të ndryshme të kohës, por dhe në disa të tjera ku është dalluar ‘’lulëzimi’’ i këtij qyteti antik. Jeta për herë të parë në këtë vend dallohet që në lashtësinë e thellë duke filluar që nga Epoka e Bronzit, mijëra vjet më parë. Berati gjithmonë është cilësuar si një qendër strategjike dhe ekonomike e çdo periudhe ku për herë të parë nën sundimin e Muzakajve, gjë që daton rreth shek XIV, qyteti arriti majat më të larta ekonomike dhe kulturore.

E veçantë e këtij vendi mbetet fakti që në shoqëri gjithmonë ka mbizotëruar paqja pavarësisht nga prejardhja, krahina apo feja. Si në asnjë vend të botës, jo vetëm në Berat, por dhe kudo në Shqipëri, monumentet fetare, pra kisha dhe xhamia, qëndrojnë ngjitur njëra-tjetrës. Këto monumente të ndërtuara shekuj më parë kanë vlera të shumta turistike duke përmendur këtu : Kishat e Shën Triadhës, Shën Mëhillit të ideuara në shek. XIII-XIV dhë Xhamitë e Beqarëve, e Plumbit dhe, së fundmi, teqeja e Helvetive. Sot, sapo futesh në qytetin e Beratit, të bien menjëherë në sy mrekullitë e pafundme që ka ky vend përrallor. Së pari, dallohet Ura e famshme e Goricës ndërtuar më 1780 me vlera të shumta kulturore dhe turistike. Së dyti, lagjja e ‘’Mangalemit’’ me shtëpitë e saj karakteristike, bardhoshe e të papërsëritshme, të paprekura nga askush, vetëm nga banorët që marrin frymë në to.Së treti, Kështjella e qytetit, e cila lokalizohet në majën e një shkëmbi të lartë e hijeshi, themeluar nga Ilirët mijëra vjet më parë, por e rindërtuar disa herë deri në shekullin XIX.

Sapo hyn në kështjellë dallohet porta madhështore, harkore dhe karakteristikë e veçantë është se brenda në kala sot e kësaj dite gjenden ende familje që banojnë. Maja e kalasë të ofron një pamje spektakolare e magjike të qytetit të Beratit. Ndjehesh sikur je ‘’mbret’’ i kësaj toke. Do të thosha që Berati mbetet një nga qytetet më frymëzuese për shkak të historisë së lashtë që ka, duke filluar dhe nga rrugët e ndërtuara me kalldrëm, por dhe, thuajse, gjithçka e ngritur me gur të pathyeshëm. Qyteti cilësohet si qyteti i ‘’Një mbi një dritareve’’, pra të shtëpive karakteristike e të veçanta që ngrihen madhërishëm në, thuajse, çdo pjesë të qytetit. Për shkak te bukurive e lashtësisë që ka ky qytet, UNESCO, e cila mbron trashëgimitë kulturore të cdo vendi në botë, vendos që të përfshijë edhe Beratin në këtë organizatë të rëndësishme. Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar, sepse për shumë vite me radhë Berati ishte lënë, thuajse, në harresë të plotë. Ura e Gorices, e cila ngrihet mbi ujërat e lumit Osum, arriti të restaurohet në një gjendje mjaft të kënaqshme.

Gjithashtu, një vepër kryesore ishte edhe ndërtimi i ‘’Pedonales’’ së re të qytetit ku njerëzit e çdo moshe preferojnë të shëtisin e të kalojnë një pasdite të këndshme e të qetë. Kudo shikon fëmijë të gëzuar, të cilët vrapojnë e qeshin me njëri-tjetrin. Rrugët lidhëse të qytetit po rindërtohen duke i rritur vlerat turistike Beratit.Gjithashtu, mbetet fakti për t’u theksuar se Berati është një nga vendet e rralla që vizitohet në cdo stinë të vitit: në pranverë, në verë, vjeshtë e, madje, dimër. Turistë që mahniten nga kjo bukuri dhe, sigurisht, nuk kanë më dëshirën të largohen nga ky qytet. Rinia e sotme është një shpresë edhe për të tashmen, por, madje, dhe për të ardhmen e këtij vendi, për një të ardhme më të mirë dhe të çelur. Kjo rini e Beratit është e angazhuar në shumë aktivitete për mirëmbajtjen e qytetit dhe sensibilizimin e çdo njeriu për të ndryshuar te ardhmen e tij dhe për një Berat sa më aktiv kudo dhe kurdo. Të flasësh për të ardhmen e këtij qyteti kaq magjepsës e të mrekullueshëm është pak e vështirë, megjithatë çdo njeri është i mbushur me shpresë dhe optimizëm se gjithçka do të shkojë siç duhet. Për të arritur këtë qëllim çdokush, pavarësisht moshës, gjinisë apo prejardhjes së tij duhet të veprojë për një Berat me standarde evropiane!

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.