Zorlu: “Ballkani ka rëndësi të veçantë për Fondacionin Maarif”

Duke theksuar se do të zhvillojnë kontakte edhe në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, Zorlu vë në dukje se planifikojnë që në vitin e ardhshëm të zhvillojnë aktivitete në këto shtete

Kryetari i bordit drejtues të Fondacionit Maarif të Turqisë, Prof. Dr. Cem Zorlu, tha se Ballkani ka rëndësi të veçantë për Fondacionin Maarif.

Duke folur për (AA) lidhur me aktivitetet e Fondacionit Maarif në Ballkan, Zorlu rikujtoi se Fondacioni Maarif është themeluar në muajin qershor të vitit të kaluar dhe se aktivitetet i ka filluar para shtatë muajve, duke theksuar se qëllimi i tyre në çdo shtet është të zhvillojnë aktivitete arsimore në të gjitha nivelet, nga ai parashkollor, deri te ai universitar.

Krahas aktiviteteve arsimore, Zorlu tha se do të realizojnë edhe aktivitete kulturore dhe sportive. Ai njoftoi se deri më tani kanë vizituar afër 60 shtete për t’u takuar me zyrtarë shtetërorë dhe për ta promovuar Fondacionin Maarif.

Zorlu thotë se një pjesë e aktiviteteve të tyre përbëhet nga lufta kundër organizatës terroriste FETO.

“Siç e dini, FETO është organizata terroriste me institucione që ushtrojnë aktivitete në fushën e arsimit në afër 160 shtete në botë. Me zyrtarët shtetërorë, presidentët, kryeministrat dhe ministrat që jemi takuar, u kemi thënë se FETO ka agjendë të fshehtë, se më 15 korrik Turqia u përball me tentativë makabre për grusht shteti në të cilën ranë dëshmorë 250 njerëz, kurse rreth 2.500 u plagosën, dhe se edhe shtetet e tjera kanë mundësi të përjetojnë tentativë të ngjashme për grusht shteti pas aktiviteteve që duken si arsimore dhe të pastërta”, nënvizon Zorlu.

Zorlu tregon se kanë bërë paralajmërimet e duhura në mënyrë që tentativa makabre për grusht shteti të mos përsëritet edhe në shtetet e tjera.

“Ne u kemi thënë miqve tanë se nuk mund t’u garantojmë se tentativa e poshtër për grusht shteti që na ndodhi ne, nuk do t’u ndodh edhe atyre. U kemi thënë të mos i përjetojnë problemet dhe vuajtjet që i përjetuam ne dhe se është e qartë se bëhet fjalë për organizatë terroriste. Ne i kemi ftuar që institucionet arsimore që veprojnë nëpër botë si fole të kësaj organizate terroriste t’i transferojnë në kompetenca të Fondacionit Maarif dhe se Fondacioni Maarif është i gatshëm t’i menaxhojë ato”, thotë Zorlu.

Zorlu rrëfen se ka pasur prej tyre që u janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve të tyre dhe u kanë thënë se brenda një kohe do t’ua transferojnë institucionet arsimore. Ai njofton se deri më tani Fondacioni Maarif zhvillon aktivitete arsimore në pesë shtete, duke shtuar se në këto institucione kanë dalë edhe të diplomuarit e parë.

Ballkani ka rëndësi të veçantë për Fondacionin Maarif

Duke folur për aktivitetet e Fondacionit Maarif në vende të ndryshme të botës, Zorlu theksoi se Ballkani ka rëndësi të veçantë për Fondacionin Maarif.

“Sepse aty kemi lidhje historike, thellësi historike dhe miqësi, sikurse në shumë shtete, por më të veçanta në Ballkan. Për këtë arsye, Fondacioni Maarif ka ndërmarrë iniciativa që të zhvillojë aktivitete në të gjitha shtetet e Ballkanit. Aktualisht, ne kemi dërguar përfaqësues pothuajse në çdo shtet të Ballkanit. Ne po i hapim përfaqësitë tona, teksa vazhdojnë përpjekjet tona që vitin e ardhshëm akademik të zhvillojmë aktivitete në të gjitha këto shtete”, thotë Zorlu.

Në këtë drejtim, Zorlu thekson se janë duke realizuar turne nëpër Ballkan, me në krye Maqedoninë, dhe se në saje të kësaj ndjekin nga afër punimet në rajon.

Zorlu thotë se dëshirojnë që brenda vitit të ardhshëm t’i hapin dhe drejtojnë institucionet në nivele të ndryshme në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Rumani. Siç thotë Zorlu, në shkollat që Fondacioni Maarif do të zhvillojë aktivitete, ata synojnë t’i forcojnë ndjenjat vëllazërore, shpirtin e solidaritetit, lidhjet historike dhe miqësitë.

Ai tregon se Fondacioni Maarif është fondacion i themeluar me ligj nga Turqia, ndërsa buxheti i tij furnizohet plotësisht nga Turqia, dhe se marrëdhëniet në shtetet e tjera realizohen tërësisht me institucionet zyrtare.

Fondacioni Maarif pret kontribut nga shtetet mike dhe vëllazërore

Zorlu më tej shprehet se nga presin nga shtetet mike dhe vëllazërore të japin kontribut për Fondacionin Maarif. “Nga miqtë tanë në Maqedoni, qeveria, Ministria e Arsimit, zyrtarët e qeverisë dhe politikanët presim të japin kontribut dhe mbështetje që Fondacioni Maarif sa më parë të hap institucionet arsimore këtu”, thotë Zorlu.

Duke theksuar se do të zhvillojnë kontakte edhe në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, Zorlu vë në dukje se planifikojnë që në vitin e ardhshëm të zhvillojnë aktivitete në këto shtete.

Ai shton se në rast të përmbushjes së kushteve në Maqedoni, dëshirojnë që në këtë shtet të jenë të pranishëm si institucion arsimor. Siç njofton, duke filluar nga viti i ardhshëm, në Kosovë do të nisin me aktivitete arsimore në Prizren dhe Prishtinë me shkolla fillore dhe të mesme.

Duke folur edhe për planprogramin mësimor në shtetet ku kanë hapur shkolla, Zorlu shprehet:

“Fondacioni Maarif i Turqisë zbaton planprogramin e shteteve ku kemi hapur shkolla. Zbatojmë planprogramin vendor dhe zhvillojmë procesin në gjuhën e vendit ku ndodhemi. Përveç planprogramit, ne i japim shumë rëndësi procesit mësimor në gjuhën angleze, meqë është gjuhë ndërkombëtare, si dhe gjuhës turke, e cila është e domosdoshme për ne. Në të gjitha shkollat tona, si planprogram shtesë, ne zbatojmë program intensiv në gjuhën angleze, program intensiv në gjuhën turke, si dhe disa aktivitete kulturore dhe sociale”.

Shekulli Agency