Presidenti i Rusisë aprovon sanksionet kundër Turqisë

Presidenti rus Vlladimir Putin ka nënshkruar një dekret ekzekutiv me të cilin imponohen sanksione ekonomike kundër Turqisë.

-vladimir-putinPresidenti rus Vlladimir Putin ka nënshkruar një dekret ekzekutiv me të cilin imponohen sanksione ekonomike kundër Turqisë, si pasojë e rrëzimit të avionit ushtarak rus nga ana e avionëve turk më 24 nëntor.

Në deklaratën e lëshuar nga Kremlini të shtunën, thuhet se Putin ka nënshkruar dekretin me të cilin hyn në fuqi ndalesa për veprimtari ekonomike ndaj disa organizatave, të cilat janë nën juridiksionin e Turqisë si dhe të disa mallrave me origjinë nga Turqia.

Urdhri poashtu ndalon punësimin e shtetasve turq nga punëdhënësi rus, ndërsa vendimi hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2016. Ndalesa do të përjashtojë personat të cilët kanë nënshkruar kontratë para kësaj date.

Në kuadër të sanksioneve Putin aprovoi edhe pezullimin e njëanshëm të regjimit pa viza për shtetasit turq që udhëtojnë në Rusi duke filluar nga viti 2016, por ky urdhër përjashton qytetarët turq të cilët kanë leje të përkohshme ose të përhershme qëndrimi në Rusi, si dhe shtetasit turq – duke përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre, të cilët punojnë në përfaqësitë diplomatike.

Sanksionet përfshijnë edhe ndalimin e fluturimeve çarter midis Rusisë dhe Turqisë. Për më tepër, do të rritet edhe kontrolli i sigurisë në anijet turke që lundrojnë në ujërat ruse në Detin Azov dhe në Detin e Zi.

Ministria e Jashtme e Turqisë kërkoi të shtunën që qytetarët e saj të anulojnë udhëtimet jo urgjente dhe të parëndësishme në Rusi në kohën kur marrëdhëniet mes dy shteteve janë të tensionuara.

Shekulli Agency