Mbahet Forumi i Biznesit dhe Investimeve Turqi-Kosovë

Ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, ka deklaruar se me miratimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, interesimi i kompanive turke për Kosovën do të rritet

kot-9877Ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, në një fjalim të mbajtur gjatë Forumit të Biznesit dhe Investimeve Turqi-Kosovë, i organizuar në kujdesin e Këshillit Turk të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë (DEIK), ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës, Hykmete Bajrami dhe kryetari i Bordit Drejtues të DEIK, Ömer Cihad Vardan, ka deklaruar se Kosova ka kuptim të madh për Turqinë. Zeybekci ka theksuar se me miratimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, interesimi i kompanive turke për Kosovën do të rritet.

Zeybekci bëri të ditur se mes Kosovës dhe Turqisë është formuar komisioni dypalësh i quajtur “Komisioni i përzier ekonomik” dhe sipas tij duhet të bëhen mbledhjet e para, e cila për herë të parë siç njoftoi ai, mund të zhvillohet në Kosovë. Duke njoftuar se janë të gatshëm për të dhënë çdo lloj mbështetje që Kosova të marrë pjesë në aktivitete, Zeybekci shtoi se nuk dëshirojnë që miqësia të mbetet pasive.

Zeybekci tregoi se eksporti i Turqisë në Kosovë është rreth 250 milionë dollarë, ndërsa eksporti i Kosovës në Turqi është 9 milionë dollarë. Ai theksoi se këtë e konsiderojnë si zero.

Pas fjalimeve në mbledhje u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi mes DEIK dhe Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve dhe Investimeve në Kosovë (KIESA) dhe Dhomës Ekonomike Kosovë Turqi.

Zeybekci në vijim të fjalës u shpreh se më 15 korrik është sulmuar udhëtimi i mrekullueshëm i Turqisë, dhe duke thënë se me përpjekjet e popullit i kanë tejkaluar këto, shtoi se: “Dhe u arrit fitorja e mrekullueshme. Pas kësaj nuk do të ketë më një tradhti e këtillë para Turqisë. Prandaj, pas kësaj do të vazhdojmë udhëtimin tonë në lidhje me ekonominë”.

Ai duke theksuar se Turqia është një shtet i cili investon jashtë vendit dhe duke e kujtuar se javën e kaluar ka qenë në një vizitë në Rusi, theksoi se shuma investimeve turke në Rusi kanë tejkaluar shifrën e 10 miliardë dollarëve.

Zeybekci duke informuar se shuma e përgjithshme e kontratave të firmave ndërtuese të kompanive turke në Rusi ka arritur në 70 miliardë dollarë, tha gjithashtu se edhe në Egjipt ka investime turke me vlerë afër 6 miliardë dollarë.

Ministri më tej duke theksuar se shuma e investimeve të kompanive turke në Etiopi është rritur në nivelin 3 miliardë dollarëve, tha se “Organizata më e madhe e cila ofron punësim në Etiopi, është një kompani turke. Vetëm nën një çati punojnë 10 mijë etiopian.”

Ministrja Bajrami, në një fjalim të mbajtur gjatë Forumit të Biznesit dhe Investimeve Turqi-Kosovë, ka thënë se falënderon Turqinë për ndihmën e dhënë për Kosovën.

Duke theksuar se Kosova kërkon të thellojë marrëdhëniet me Turqinë, Bajrami tha: “Organizime të tilla shërbejnë për zhvillimin e rrjeteve të punës si dhe zhvillimin e bashkëpunimeve në fusha të ndryshme. Turqia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në tregti. Në vitin 2015 Turqia ka eksportuar drejt Kosovës produkte me vlerë 250 milionë dollarë.”

Duke theksuar se ekonomia është një nga gjërat më të vështira të qeverisë kosovare, Bajrami në vijim të fjalës së saj u shpreh: “Synimi kryesor i qeverisë sonë është të krijohet një klimë e përshtatshme për investime. Kosova nuk ka mundur të arrijë në një stabilitet përsa i përket makro ekonomisë. Në të njëjtën kohë është duke u përpjekur për të krijuar një klimë të mirë të të bërit biznes. Rreth 70 për qind e popullsisë është nën moshën 35 vjeçare. Kosova ka mundësi të ofrojë punë të lirë dhe me profesionistë.”

Bajrami ka theksuar gjithashtu se Kosova ka firmosur tashmë Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë me BE-në. “Marrëveshjet tona me SHBA-në, Kanadanë dhe Norvegjinë vazhdojnë. Puna jonë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe me Organizatën Botërore të Tregtisë vazhdon. Në këtë kontekst, kemi nevojë për vende si Turqia. Është e rëndësishme për ne të kemi akses në tregje të mëdha si Turqia. Duam të sjellim në Kosovë shumë vende si Turqia. Kemi akses edhe në tregjet e vendeve të tjera të rajonit.”

“Kompanitë e ardhura nga vendet e tjera, përmes Kosovës investojnë edhe në vende të treta”

Duke nënvizuar se kanë nxitur blegtorinë dhe bujqësinë, Bajrami në vijim të fjalës së saj është shprehur: “I kushtojmë shumë rëndësi sektorit të blegtorisë dhe bujqësisë. E dimë që Turqia në këtë fushë është me shumë me përvojë. Do të mirëpresim çdo kërkesë apo sugjerim nga ana e Turqisë në lidhje me këto fusha. Në këtë mënyrë mund të keni akses në tregjet evropiane.”

Bajrami gjatë fjalës së saj ka folur gjithashtu edhe për infrastrukturën. Duke thënë se Kosova ka nevojë për zhvillim të infrastrukturës, ajo ka vënë në dukje edhe lehtësirat që mund të kenë bizneset e huaja duke përmendur rrjetin e hekurudhës drejt Shkupit. Ajo ka vënë në dukje edhe potencialin që ka në Kosovë në fushën e privatizimit, ku theksoi se kompanitë e huaja vihen në të njëjtin pozicion me ato vendase. “Kompanitë e ardhura nga vendet e tjera, përmes Kosovës investojnë në vende të treta” tha ajo.

Bajrami ka vënë theksin edhe tek lehtësirat burokratike të Kosovës. Ajo ka theksuar se biznesi mund të komunikojë drejtpërdrejt me qeverinë për probleme të ndryshme. “Kur ka ndonjë problem, dyert tona janë deri në fund të hapura. Marrëveshja për Tregti të Lirë me Turqinë do të firmoset shumë shpejt. Kjo do të zgjidhë shumë gjera”, tha ajo.

“Ka disa probleme që na pengojnë për të bërë më shumë punë”

Ndërsa kryetari i Bordit Drejtues të DEIK, Ömer Cihad Vardan, tha se gjatë forumit kanë folur për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve.

Vardan në fjalën e tij thotë se kjo është njëlloj sikur dy vende të zbulojnë përsëri njëra-tjetrën. “Ne kërkojmë dhe shpresojmë që marrëdhëniet tona me Kosovën të jenë të mira dhe të thella”, u shpreh ai.

Duke theksuar se për këtë janë hedhur shumë hapa nga qeveritë e dy vendeve, Vardan në vijim të fjalës së tij ka theksuar se është firmosur një marrëveshje që do të çojë në parandalimin e pagimit të taksës së dyfishtë.

Hapjen e përfaqësisë së Ziraat Bank në Kosovë, Vardan e quan si shumë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit mes dy vendeve.

“Në Kosovë ka shumë firma turke, duke filluar nga administrimi i aeroportit të Prishtinës. Në saje të këtyre firmave mijëra vëllezër tanë kosovarë janë punësuar në to. Por për të bërë më shumë punë, kemi disa pengesa. Për shembull marrëveshja për Tregtinë e Lirë ende nuk është miratuar. Kemi disa probleme teknike në dogana të cilat janë shkas që firmat turke të paguajnë më shumë taksa. Shpresojmë që forumi i sotëm të ndikojë në zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha ai.

Shekulli Agency