Hekurudhat në veri të Kosovës po menaxhohen nga Serbia

111-5433624x359Nga Bashkim Kastrati

Serbia vazhdon që të ketë vazhdimisht ndikimin e saj në Kosovë në mënyra të ndryshme. Përmes strukturave paralele shteti fqinj po e kontrollon një pjesë të Kosovës. Edhe pse është negociuar shumë dhe janë nënshkruar marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shuarjen e strukturave paralele, ato kanë mbetur vetëm në letër dhe në praktikë nuk ka asnjë ndryshim konkret.

Strukturat paralele në Kosovë ende e kanë në kontroll sistemin e hekurudhave në Veri të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur edhe një njoftim i Hekurudhave të Serbisë, në të cilin thuhet se e gjithë infrastruktura hekurudhore në Serbi do t’i nënshtrohet një rendi të ri të ngasjes.

Gjithashtu, në këtë raport thuhet se për herë të parë në këtë kuadër përfshihet edhe stacioni i Fushë Kosovës. Në këtë njoftim thuhet se drejtori i Infrastrukturës Hekurudhore të Serbisë, Goran Maksiç, do të vizitojë sot stacionin në Leshak, Leposaviq, Sllatinë dhe Zveçan. Me këtë rast, ai do të pranojë raportin e shefave të këtyre stacioneve.

Treni nga Serbia për në Zveçan ka filluar të operojë në qershor 2008, pasi misioni i BE-së në Kosovë, EULEX mori nën kontroll kufijtë verior të Kosovës nga UNMIK-u, pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës. Nga 2000 deri në 2008, Hekurudhat e UNMIK-ut kanë operuar në të gjitha linjat hekurudhore nëpër Kosovë.

E vetmja marrëveshje ekzistuese për udhëtimin me tren është një memorandum mirëkuptimi i vitit 2003 ndërmjet Hekurudhës Jugosllave, të paraardhësit të Hekurudhave të Serbisë dhe siç ishte e njohur në atë kohë të Hekurudhave të UNMIK-ut. Udhëtimi me tren në Kosovë atëherë ishtë në duart e misionit të OKB-së në Kosovë.

Treni ka operuar rregullisht nga Serbia për në Zveçan në veri të Kosovës që nga qershori i 2008-ës. Por që nga tetori i kaluar treni ka nisur të arrijë deri në Mitrovicë të Veriut.

Ndërkaq, për të gjitha aktivitetet që bëhen, kompania Infrakos që menaxhon hekurudhat e Kosovës nuk merr asnjë centë.

treni_1

Sot, linja nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë nuk funksionin fare. Në një depo në Fushë Kosovë, katër trenat për këtë linjë qëndrojnë të fikur.

Infrakos: Kjo linjë është ndërprerë për shkaqe sigurie

Në lidhje me këtë çështje, tesheshi.com ka kontaktuar kompaninë Infrakos, e cila menaxhon hekurudhat e Kosovë. Rafet Çitaku zyrtar për informim në Infrakos, ka thënë se nuk janë të informuar për deklarimet dhe veprimet e fundit në veri të Kosovës dhe se për këtë nuk kanë informata zyrtare. Ai thotë se janë në pritje të bisedimeve teknike nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe atyre serbë që do ta rregullojnë çështjen e infrastrukturës së operueshme në të gjitha linjat brenda kufijve të Kosovës.

“Sa i përket menaxhimit në veri të Mitrovicës e kam potencuar edhe më lartë se kjo linje është relativisht e operueshme, por kjo linjë është ndërprerë që nga viti 2008 pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për shkaqe sigurie. Por në të vërtetë ne i kemi punëtoret tonë edhe në atë pjesë, të cilët janë në përkujdesje të aseteve dhe qëndron kujdestaria për lëvizje eventuale siç janë kërkesat për transport të mallrave në Mitrovicën jugore”, thotë Çitaku.

Ai tregon se infrastruktura e hekurudhave të Kosovës “Infrakos” aktualisht operon me  linjat hekurudhore Prishtinë – Fushë Kosovë – Elez Han dhe anasjelltas, si dhe Prishtinë – Fushë Kosovë – Pejë dhe anasjelltas. Po ashtu menaxhon me të gjitha stacionet dhe pronën e Infrakos-it.

Çitaku sqaron se aktualisht linja hekurudhore për në Mitrovicë është jashtë funksionit për shkak të sigurisë e cila është në fazën e bisedimeve në rrafshin teknik dhe politik në mënyrë qe të operojmë edhe në atë pjesë.

“Ndërsa edhe linja hekurudhore për Prizren është jashtë funksionit për shkak të degradimit të kësaj linje kryesisht që nga Xërxa e deri në Prizren, por qe në një të ardhme të afërt pritet aftësimi i kësaj linje për t’u futur në funksion”, theksoi Çitaku.

/tesheshi.com/

Shekulli Agency