Dogana e Kosovës me mbi 1 miliardë euro të ardhura për vitin 2016

Ministri Avdullah Hoti u shpreh se viti 2016 është një vit rekord i të ardhurave doganore në Kosovë, i cili sipas tij pritet të përfundojë me të ardhura mbi 1 miliardë e 40 milionë euro

Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, sot mbajti një konferencë për mediat ku bëri prezantimin e raportit vjetor të institucionit që ai drejton dhe të arritjeve gjatë vitit 2016.

Gjatë fjalimit të tij ministri Hoti u shpreh se viti 2016 është një vit rekord i të ardhurave doganore, i cili pritet të përfundojë me të ardhura mbi 1 miliardë e 40 milionë euro, që është 88 milionë më shumë se në vitin e kaluar. Ai ka shtuar se kjo ka ardhur, si rezultat i zbatimit të MSA-së nga 1 prilli i këtij viti. Ministri theksoi se Ministria e Financave është institucioni kryesor i cili është përgjegjës për kapitujt brenda MSA-së, ku u shpreh se sot 75 për qind të mallrave që vijnë nga BE i nënshtrohen normës së reduktuar të tatimit doganor. Sipas tij nga viti 2022, 99 për qind të mallit që vijnë nga BE-ja do t’i nënshtrohen reduktimit të tatimit doganor.

“Krahasuar me fillimin e mandatit të qeverisë Dogana e Kosovës ka mbledhur 171 milionë euro më shumë se sa në vitin 2014. Dogana ka bërë një kapërcim shumë të rëndësishëm sa i përket kushteve të të bërit biznes dhe si rezultat është përmirësuar pozicioni i Kosovës sa i përket tregtisë përtej kufijve, është përmirësuar pozita e Kosovës për tetë vende krahasuar me vitin paraprak dhe kjo ka ardhur si rezultat i thjeshtësimit të procedurave të eksportit”, shprehu ministri Hoti.

Ai foli edhe për reformat dhe progreset e administratës tatimore të Kosovës, e cila sipas tij pritet ta përmbyllë vitin me 393 milionë euro të mbledhura, që është 18 për qind më shumë se viti paraprak, ose 88 milionë euro që nga fillimi i mandatit të Qeverisë aktuale.

Ndërkaq, sa i përket efekteve të pakos fiskale, Hoti u shprehu se bizneset kanë përfituar nga lirimet e tatimeve doganore për lëndë të para, ose lirimet nga TVSH në shumën prej 47 milionë euro. Pra, sipas ministrit kostoja e të bërit biznes është zvogëluar dhe qytetarët kanë pasur përfitime prej 21 milionë euro si rezultat i zvogëlimit të normës së TVSH-së.

Ai foli edhe për borxhin publik të Kosovës, ku theksoi se ky është problemi më i vogël që ka ky vend. Ministri Hoti vuri në dukje se borxhi total i Kosovës është 842 milionë euro, prej të cilit 473 është borxhi i brendshëm. Si përqindje e prodhimit bruto vendor borxhi i Kosovës është vetëm 14 për qind, ku sipas ministrit kjo vlerë është në nivel shumë të ulët në krahasim me vendet në rajon.

Shekulli Agency