Davutoglu: Struktura financiare e Turqisë, shumë e fuqishme

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, deklaroi të hënën se struktura financiare e vendit të tij është shumë e fuqishme dhe se nuk kanë devijuar nga disiplina financiare pavarësisht dy zgjedhjeve parlamentare në vitin 2015.

davutogluShefi i Ankarasë zyrtare, i cili realizoi një sërë kontaktesh në Angli, pati një takim me investitorë dhe përfaqësues të botës së biznesit në selinë e Bloomberg-ut, në Londër.

Gjatë fjalës së rastit në këtë takim, Davutoglu tha se shumë i qëndrueshëm është gjithashtu edhe sektori bankar turk, ndërsa nënvizoi se asnjë bankë turke nuk është përballur me kurrfarë problemi pas krizës globale.

Ai u rikujtoi të pranishmëve se menjëherë pas formimit të qeverisë së 64-t turke kanë bërë publik agjendën e reformave gjithëpërfshirëse dhe kalendarin e implementimit të kësaj agjende.

“Por, krahas reformave ekonomike, nevojiten po ashtu një sërë reformash politiko-sociale”, vijoi kreu i ekzekutivit turk, duke shtuar se gjatë programit të tij të 2 javëve të fundit ka shpallur edhe shumë reforma shoqërore e politike.

Davutoglu tërhoqi vëmendjen se të martën do të shkojë në Davos dhe më pas në Gjermani, ku do të realizojnë për herë të parë samitin ndërqeveritar turko-gjerman.

Kryeministri i Turqisë sqaroi se kanë intensifikuar agjendën e reformave dhe kanë përforcuar marrëdhëniet në këtë kuadër, duke bëre me dije gjithashtu se agjenda e reformave do të jetë tredimensionale.

E para, theksoi ai, do të jetë transformimi sektorial; e dyta ka të bëjë me reformat makro-strukturore, ndërsa e treta me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me agjendën e reformave të BE-së.

“Nëse problemi i Qipros zgjidhet brenda këtij viti, atëherë për Turqinë mund të fillojë një epokë e re”, tha më tej shefi i Ankarasë zyrtare, teksa bëri edhe një vlerësim në lidhje me rigjallërimin e kohëve të fundit në marrëdhëniet me Brukselin.

Davutoglu vuri në pah se qeveria turke e konsideron Bashkimin Evropian si lokomotivë të ndryshimit në Turqi, ku synojnë të rrisin sundimin e ligjit, standardet demokratike dhe cilësinë e institucioneve.

Pasi shpjegoi se deri tani janë hapur 15 kapituj dhe 8 të tjerë presin ende të hapen për negociata në procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, Kryeministri Ahmet Davutoglu u shpreh me fjalët: “Ne kemi shënuar progres vetëm në 27 kapituj. Megjithatë ne, si Turqi, kemi premtuar se do t’i hapim negociatat edhe po mos të ketë negociata me Bashkimin Evropian për shkak të problemit të Qipros.”

Shekulli Agency