Ivanov nuk përfill gjuhën shqipe!

Ivanov-7666Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës  zgjedhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për periudhë kohore prej pesë vitesh. Kjo nënkupton se si i tillë, ai përfaqëson popullatën multi-etnike dhe multi-gjuhësore në vend dhe jashtë vendit.

Megjithatë në ueb-faqen zyrtare ka vetëm version në gjuhën maqedonase. Në pyetjen pse nuk ka version në gjuhën shqipe nga kabineti i Presidentit për portalb cituan vetëm fjalinë (nenin) e amandamentit Kushtetutës, sipas të cilit gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase. Duke anashkaluar kështu fjalinë vijuese, sipas së cilës gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve.

Pas parashtrimit të pyetjes përmes telefonit, nga kabineti i Presidentit kërkuan që e njëjta t’u parashtrohet në mënyrë elektronike, si kërkesë për qasje deri tek informacionet e karakterit publik. Në përgjigjen e kthyer pas 20 ditësh, nga kabineti thanë se pyetja nuk bën pjesë në kërkesat për informacione të karakterit publik. Ndërsa njoftuan kështu:

“Sipas Amandamentit V të Kushtetutës së RM-së në tërë territorin e RM-së dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.Në organet e pushtetit shtetëror gjuhë zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligj.

Me ligjin për përdorim të gjuhës që e flasin më së paku 20% e qytetarëve të RM-së dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale rregullohet përdorimi i gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në RM-së dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale.”

Sekretari gjeneral, Boris Josifovski njëherit theksoi se Presidenti iu përmbahet obligimeve që dalin nga Kushtetuta dhe nga ligji i cituar më lartë.

Por, pikërisht nga Amandamenti i cituar i Kushtetutës përcaktohet: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.”

Shekulli Agency