Ahmeti e dogji ardhmërinë, 5 pyetje-argumente

arben-zeqiriShkruan: Arben Zeqiri

Nëse fillon lexoje deri në fund ose ndalu që këtu. Me sinqeritetin më të madh, ministrat e rinj janë fytyra të pastra si loti, pa skandale, me moral (për aq sa i njoh) dhe me një CV profesionale që i ngre shumë më lartë se ata që ishin deri më sot. Për këtë ju siguroj, por pikërisht kjo nuk më lë të gëzohem, por më bën ta quaj fatkeqësi. Ahmeti dogji edhe ato pak figura të pastra dhe të suksesshme që ishin potencial për të qene lider të së ardhmes. Pse i emëroi? Dy janë arsyet pse u zgjodhën pikërisht këta. Jo pse janë të dëgjueshëm, nuk janë as të kontrollueshëm, por pasi rrënoi, shkatërroi e dogji gjithçka, vetëm këto i kishin ngelur pa i djegur. Ahmeti për t’ju ikur skandaleve nga publikimet eventuale të bombave, por edhe akuzave për dështimet në punën e deritanishme të ministrave aktual propozoi emra të rinj. Por, jo për ti eliminuar të vjetrit. Përkundrazi, Ahmeti nuk zgjodhi gjeneratën e dytë, ndonjë deputet apo emra më pak të njohur, por zgjodhi emra që kurrë s’janë dëgjuar, vetëm për ti rehatuar dhe bindur të vjetrit se reforma nuk është serioze dhe se ata do të kthehen përsëri në Qeverinë e ardhshme. Zgjodhi njerëz që nuk janë pjesë ose drejtues të klaneve dhe që nuk kanë fuqi muskujsh e bandash për ti ruajtur pozicionet, por zgjodhi njerëz që nuk dihet bile edhe vetë a do të rijnë deri në fund kur ta shohin se si punon BDI. Fatkeqësia nuk qëndron vetëm në atë se këta nuk do të jenë afatgjatë, por në atë se Ahmeti vendosi tua djeg ardhmërinë këtyre të rinjve. I nxori fillimisht në ballë të akuzave, ofendimeve dhe sulmeve që do tu bëjnë edhe fëmijët e rrugës të cilët e kanë kuptuar se kjo është lojë. I vuri në cak të ofendimeve publike nga të gjithë ata që e kanë kuptuar lojën. Dhe në fund pasi të përfundojnë zgjedhjet, do ti kthejë ku ishin, të turpëruar, të keqpërdorur, të eksploatuar dhe të djegur. Në mos ua bëftë edhe ndonjë dëm tjetër duke i futur llugave në zgjedhje.
Pse jam i bindur se i djeg dhe keqpërdor?
1. Ahmeti çdo herë thoshte se ekipi që fiton nuk ndryshohet. Pse e ndryshoi ekipin që në fund fitoi 150 mijë vota?
2. Musa Xhaferi tha nuk jap dorëheqje dhe në fund e dorëzoi dorëheqjen. U dorëzua apo u sigurua se do të kthehet?
3. Reformat në parti madje edhe në një kompani të vogël bëhen ngadalë, me kujdes dhe për një periudhë të gjatë. Çfarë reforme është kjo për 3 ditë?
4. Ahmeti e reformoi BDI-në apo Qeverinë? Pse këta njerëz nuk u zgjodhën sekretar, nënkryetarë e kryetarë degësh në parti, por aty mbetën ekipi i vjetër që gjoja u reformua?
5. Cilat organe partiake i kaluan ato emra. Nëse BDI reformohet dhe shkon drejt demokratizimit, pse listën e përpiloi vetë kryetari që është një element tipik diktatorial?
Shpëtimi i vetëm për këta figura tek të cilët vërtetë shoh potencial për udhëheqës politik është që BDI të mos i fitoj zgjedhjet. Shumë më të pastër do dilnin nëse ata nuk do të ishin ministra sepse BDI i ka humbur zgjedhjet. Shumë do turpërohen dhe digjen nëse BDI fiton dhe ju thotë lamtumirë e i kthen të vjetrit, ata që ende i mban nënkryetarë, sekretarë … Lutem ta kem gabim, sinqerisht…

Shekulli Agency