Sektori bankar dhe kreditë në Turqi

Në këtë artikull do t’ju informojmë në lidhje me sektorin bankar dhe kreditë në Republikën e Turqisë, si dhe për rëndësinë e këtij sektori në ekonominë e vendit.

lir-5433Sektori bankar dhe mundësitë e kreditimit të ofruara nga ky sektor kanë një rëndësi jetike për ekonomitë e vendeve të industrializuara dhe atyre në zhvillim e sipër. E thënë me fjalë të thjeshta, sektori bankar luan rolin e urës ndërmjet qytetarëve, që kursejnë një pjesë të të ardhurave të tyre, dhe sipërmarrësve, që duan të bëjnë investime. Ky sistem operon në mënyra të ndryshme që prej shpikjes së parasë dhe përhapjes së përdorimit të saj në masë. Në këtë aspekt, bankat kanë sipërmarrë një mision me peshë institucionale gjatë 300 viteve të fundit. Te vendet, ku sektori bankar funksionon si duhet, investitorët e besueshëm gjejnë lehtësisht kredi me norma interesi të favorshme. Rrjedhimisht, investimet në këto vende realizohen me shpejtësi duke sjellë rritje të punësimit dhe të ekonomisë. Ndërsa kriza e madhe e tregut të aksioneve në vitin 1929 dhe kriza financiare botërore e 2008-s kanë shpalosur sesi një problem, që krijohet në sektorin bankar, mund të prekë të gjitha fushat e ekonomisë dhe veçanërisht punësimin. Prandaj një sektor bankar i fuqishëm dhe i zhvilluar është i mjaft i rëndësishëm për të garantuar rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për vendet, si dhe punësim për qytetarët e tyre.

Rëndësi të madhe sektori bankar dhe kreditë e mundësuara nga ky sektor kanë gjithashtu për ekonominë turke në zhvillim. Pas krizës së vitit 2001, sektori bankar në Turqi është riorganizuar dhe ristrukturuar sipas standardeve botërore falë disa hapave, që ishin bërë të domosdoshme.Vendimet e nxjerra pas krizës në fjalë dhe angazhimi i institucioneve rregulluese siguruan ingranimin e mekanizmit të kontrollit dhe hyrjen në fuqi të një sërë ligjeve të reja në sektorin financiar dhe bankar të vendit. Të gjitha bankat turke u rikapitalizuan sipas kritereve ndërkombëtare dhe njëkohësisht filluan të kontrollohen rreptësishtë nga Agjencia Rregulluese dhe Mbikëqyrëse e Sektorit Bankar (BRSA) në Turqi. Falë këtyre rregullave të reja dhe mekanizmit të kontrollit të vazhdueshëm, bankat turke u fuqizuan me shpejtësi pas vitit 2001 duke u kthyer në qendër graviteti për investitorët, sidomos ata të huaj. Teksa në Evropë dhe më gjerë shumë banka u prekën, madje dhe falimentuan për shkak të krizës financiare botërore të vitit 2008, bankat turke dolën më të fuqishme nga ky depresion ekonomik me përmasa globale. Themelet e shëndosha të sektorit bankar në Turqi mundësuan që vendi ta kapërcejë krizën e sipërcituar me dëme minimale.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, vëllimi i kredive të siguruara nga bankat e kursimeve në Turqi është rritur në 1,28 trilionë lira turke (TL) në fund të 2015-s, nga 32 miliardë TL që ishte në vitin 2001. Gjatë të njëjtës periudhe, kreditë e livruara nga bankat turke të zhvillimit dhe të investimit kanë arritur nivelin 72,5 miliardë TL, nga 2,7 miliardë TL që ishin më parë. Një tjetër epërsi e sektorit bankar turk ka të bëjë me cilësinë e kredive të lëshuara pre tij. Përveç mundësimit të kredive për sipërmarrësit, bankat kanë si mision edhe mbrojtjen e kursimeve që marrin nga qytetarët për t’i shfrytëzuar në financimin e kredive. E vlerësuar në këtë aspekt, niveli i kredive të këqija (term teknik që përshkruan kreditë e dhëna nga bankat dhe që nuk shlyhen nga klientët – shën. i përkth.) në raport me totalin e kredive është vetëm 3,1%. Ky raport është 4,5% në Francë, 11,2 në Portugali dhe 34,3% në Greqi, një vend ky në krizë prej 8 vitesh. Niveli i ulët i kredive të këqija jo vetëm që redukton probabilitetin e humbjeve në dëm të bankave, por njëherësh u mundëson këtyre të fundit që të mbledhin kursime dhe të japin kredi për investime të besueshme më lehtësisht.

Si përfundim, sektori bankar dhe kreditë e siguruara nga ky sektor janë me rëndësi madhore për vendet në zhvillim dhe për ato të industrializuara. Sektori bankar luan rolin e urës ndërmjet qytetarëve, që kursejnë një pjesë të të ardhurave të tyre, dhe sipërmarrësve, të cilët duan të bëjnë investime dhe kërkojnë kredi me kosto të ulëta. Me sa është vërejtur dhe konstatuar deri më sot, krizat në sektorin bankar prekin jo vetëm financën, por edhe tregun real. Rrjedhimisht, një sektor bankar i fuqishëm kontribuon në rritjen e ekonomisë, investimeve dhe punësimit në vend. Sidomos në dekadën e fundit sektori bankar ka fituar rëndësi të madhe edhe në ekonominë e Turqisë, si një ndër shtetet në zhvillim. I përforcuar me një sërë rregullimesh dhe masash të rrepta pas krizës së vitit 2001, sektori bankar turk është renditur me kalimin e kohës ndër aktorët kryesorë të rritjes ekonomike në vend. Gjatë këtij procesi, sasia e kredive të dhëna është rritur ndjeshëm dhe rreziku i shlyerjes së borxhit ka rënë në nivele minimale. Për vijimësinë e zhvillimit ekonomik të vendit, sektori bankar turk do të vazhdojë të fuqizohet dhe të luajë një rol pararojë në rritjen e investimeve, punësimit dhe nivelit të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

/TRTshqip/

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli – Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk”, Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Shekulli Agency