Vuçiç në Zubin Potok: Vetëm Serbia mund t’i mbrojë serbët e Kosovës

vucic-5644Kryeministri i Serbisë, Alekasandar Vuçiç e ka përfunduar vizitën e tij njëditore nëpër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke mbajtur tubim me përkrahësit e partisë të cilën e udhëheq ai, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në palestrën e tejmbushur sportive në Zubin Potok.

Me këtë rast, Vuçiç është shprehur i kënaqur me faktin se, sipas tij, po shihet që serbët e Kosovës janë të vetëdijshëm se cila është zgjedhja më e mirë për Serbinë, sepse vetëm Serbia përparimtare dhe e respektuar mund t’i mbrojë serbët në Kosovë.

Sipas tij, dialogu i cili po bëhet në Bruksel me Qeverinë e Kosovës nuk është aspak i lehtë, por Serbia duhet të udhëheq politikë të mençur dhe i ka siguruar të pranishmit se, serbët i kanë njerëzit më të guximshëm që do ta mbrojnë përherë shtetin e tyre, por jo duke hyrë në konflikte dhe lufta, atëherë kur nuk ka nevojë.

“Neve na duhet një politikë e mençur, të bisedojmë me shqiptarët, por gjithmonë të dimë se çka është ajo që po mbrojmë, çka është ajo që është e jona dhe çka është ajo prej të cilës ne kurrë nuk do të heqim dorë” ka thënë Vuçiç.

Ai ka premtuar se Beogradi do të luftojë për serbët e Kosovës, sikurse për të gjithë qytetarët tjerë të Serbisë, duke theksuar se me politikën e mençur të cilën po e udhëheq qeveria e tij, serbët nuk e kanë fituar epitetin e “popullit vrasës” të cilin do ta bartnin në 200 vitet e ardhshme, njëherësh duke pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Duke iu kthyer incidentit të sotëm kur herët në mëngjes, në parkingun e palestrës ku po e mbante tubimin në Zubin Potok, ishte hedhur bomba dhe është shtënë me armë automatike, lideri i SNS-së porositi se, ai do të luftojë edhe për serbët të cilët e kishin shkaktuar këtë incident.

“Pas bombës dhe rafalëve, nuk po përmendim asnjë emër, sepse ne dëshirojmë një Serbi të bashkuar” ka thënë Vuçiç dhe ka përfunduar fjalimin me porosinë se, Kosova jeton në Serbi.

Ministri i Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka deklaruar se i vjen turp për shkak të bombës së hedhur dhe ka theksuar se, më kurrë nuk guxon të ndodh që “plumbi i serbit të drejtohet kah serbi”.

Shefi i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka potencuar se Serbia nuk guxon t’ia kthej shpinën as lindjes, as perëndimit dhe se të gjithë duhet të luftojnë për Serbinë dhe “të tregojnë se si rreh zemra e Serbisë”.

Bujku nga fshati Zebicë i komunës së Artanës (Novobërdë), Dragan Vasiq e ka lutur kryeministrin e Serbisë që për çdo ditë, së paku një herë në ditë, të mendoj për serbët e Kosovës. “Nëse sot largohemi, kjo nuk do të ndodh se jemi të mposhtur, por ky do të jetë dorëzimi ynë” ka thënë Vasiq.

Në tubimin e SNS-së kanë folur edhe kryetari i organit të përkohshëm të komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviçi dhe lideri i Partisë Popullore Serbe (SNP), Nenad Popoviç.

Kryeministri i Serbisë, Alekasandar Vuçiç, gjatë vizitës së tij të sotme në pjesën veriore të Kosovës ka vizituar Repartin e Flotacionit të kombinatit Trepça, në minierën e Leposaviqit, manastirin e Banjskës, si dhe Qendrën Klinike Spitalore në pjesën veriore të Mitrovicës.
Gjatë kësaj vizite njëditore, kryeministri serb ishte i shoqëruar nga një numër i madh i ministrave të Qeverisë së Serbisë, si dhe nga ministrat serb në Qeverinë e Kosovës.

Duhet theksuar se, vizita e kryeministrit të Serbisë është kryer nën masat e rrepta të sigurisë dhe për sigurinë e tij, gjatë gjithë kohës janë përkujdesur njësitet e Policisë së Kosovës.

Shekulli Agency