NDJENJA E INFERIORITETIT

njer-4554Shkruan: Eroll VELIU

Përse Islami sot në botë nuk përfaqëson atë që duhet të jetë sipas vetë mësimeve të tij? Atij i përket shpallja e fundit e All-llahut, Kur’ani Fisnik. Numri i pjesëtarëve të tij sillet deri në një miliardë e gjysmë të njerëzimit. Ndërsa sot Islami është gati i panjohur. Kurse Kur’ani na e tërheq vërejtjen dhe thotë: “Është vërejtje për të gjithë botën!” 
A thua dispozitat e tij janë të vështira?
A thua obligimet janë të pakapërcyeshme?
A thua ndalesat nuk mund të zbatohen në praktikë?
A thua kërkesat në të janë të panatyrshme?
Ku vallë qëndron faji nëse jo te ne? Kush na ka faj, kur ne, muslimanët, në çdo hap ndeshemi me ndjenjën e infioritetit!
Kjo ndjenjë na përcjellë kudo, në çdo hap, si hije. Ne turpërohemi se jemi muslimanë. Kurse nga goja e të huajve mund të dëgjojsh fjalë miradie për Islamin. Ne e ndjejmë veten fajtorë, nuk kemi vetëbesim… Djemtë dhe vajzat zbulojnë se u takojnë botëve të ndryshme. Mirëpo, përse te ata shfaqet kompleksi i inferioritetit? Kjo s’është normale. T’i takosh Islamit nuk do të thotë të jesh ndrydhur me komplekse të llojit: në kohën e sodit nuk është moderne të jeshë religjioz. Ky është fakt. Kjo është dukuria që ende gjallëron në botën moderne, si fryt i përvojës së Perëndimit dhe i dominimit të tij në kulturë dhe në shkencë gjatë këtyre shekujve të fundit.
Mirëpo, Islami në mësimin e vet është gjithëpërfshirës dhe i plotë. Për të nuk ekzistojnë përkufizime sakrale dhe laike. Për të, tërë jeta njerëzore, dhe përfundimisht edhe vdekja e njeriut, është një tërësi kuptimplote.
Islami është krejtësisht i natyrshëm dhe i pranueshëm si për laikët, ashtu edhe për të diturit, për të pasurit dhe për të varfërit. Islami nuk është religjion i njerëzve të veçantë, i filozofëve dhe i të diturve. Ai nuk është religjion figurash, statujash, amuletesh, i magjive, i horoskopëve etj. Islami është domosdoshmëri që i imponohet njeriut të rëndomtë dhe normal nga arsyeja dhe nga ndjenja në shpirtin e tij. Sepse Kur’ani Fisnik thotë: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve, dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të vërfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.” (Bekare: 177)
Islami nuk njeh as idhuj, as kulte, as të shenjtë. Vetëm All-llahu është i madhëruar, i shenjtë dhe i pastër nga të metat: “All-llahu është i vetmi që është i ndenjë për adhurim.”
Islami është shumë më i natyrshëm se sa mendimi i klishetizuar për fenë që e marrim nga Perëndimi, sepse, sipas mendimit të tyre, religjioni kërkon mohim dhe refuzim, ndërsa Islami kërkon të përmbajturit dhe maturinë.
Kur’ani shpesh kërkon: “Këto janë dispozita të All-llahut, pra mos i kundërshtoni!” (El Bekare: 229), apo: “Kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e fut në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.” (En Nisa: 14)
Rregull e madhe e mjekësisë bashkëkohore është që të mos teprohet në pije dhe ushqim. Kurse Kur’ani thotë: “Hani dhe pini e mos e teproni, pasi Ai nuk i don ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (El A’raf) Ndërsa i Dërguari i All-llahut thotë: “Barku është shtëpia e sëmundjeve, kurse dieta është ilaçi për shërim”.
Mjekësia bashkëkohore nuk flet aspak me admirim për mishin e derrit, alkoolin, drogën, bixhozin, pirjen e duhanit, megjithatë ne jemi dëshmitarë të sjelljeve tona kur vimë në situata të tilla dhe konsumojmë gjënë të cilën nuk e preferon shkenca moderne, e të mos flasim për faktin se All-llahu i Madhërishëm që nga kohët e lashta na ka ndaluar përdorimin e tyre.
Injorantët mendojnë se të jeshë besimtar do të thotë të jetë të jesh i privuar nga shumë kënaqësi të kësaj jete.
Shikoni vetëm alkoolin! Njerëzit pinë! Përse! Përse, kur as gota e parë, e as e dyta – sipas vetë pohimit të tyre – nuk kishte kurrfarë kënaqësi. Nga ndjenja e inferioritetit! Të gjithë thonë: “Le të jetë sa për shoqëri!” apo “Nuk dua të jem i veçuar nga të tjerët!” E pastaj së shpejti kjo kalon në shprehi jetësore. E njëjta dukuri ndodh edhe me prostitucionin (zinanë). I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur në një popull shfaqet zinaja (prostitucioni) dhe përhapet aq shumë, saqë të bëhet sheshazi, në të do të paraqitet murtaja dhe sëmundjet të cilat nuk ekzistonin në mesin e të parëve të tyre, të cilët jetuan para tyre”. (Transmetojnë Hakimi, Ibn Maxhe dhe El-Bazzar).
Dr. Shofild, në librine tij Sëmundjet gjenitale (Botimi i tretë), ndër të tjera thotë: “Me të vërtetë mjetet e informimit thërrasin në anarhi (në liri të pakufizuar në çdo gjë, e edhe në seks), të cilën e konsiderojnë si gjendje të natyrshme biologjike… Ekziston një bindje e gabueshme te njerëzit, se antibiotikët mund të shërojnë çdo sëmundje gjenitale që lajmërohet si rezultat i sjelljeve të këtilla!”
Dr. Teodor Kuper, kryetar i Shoqatës për kulturë shëndetësore dhe zëvendës ministër i shëndetësisë në SHBA, thotë: “Morali i njeriut është pengues kur janë në pyetje sëmundjet gjenitale dhe përhapja e tyre”.
Elizabeta Manners në librin e vet The Vulnerable Generation (Gjenerata e atakuar) thotë: “Me të vërtetë vajzat nëpër shkolla u janë ekspozuar keqpërdorimeve të ndyra, valës shkatërruese të materializmit, në të cilën i shtyejnë masmediumet dhe grupet e tregtarëve të seksit, që në këtë mënyrë realizojnë përfitime të mëdha materiale”.
Dr. Villkoks në gazetën mjekësore thotë: “Nga shkaktarët e zgjerimit dhe të përhapjes së sëmundjeve në mjediset perëndimore janë:

1. Qëndrimi tolerues dhe lejimi i marrëdhënieve (të lira) seksuale në shoqëri para dhe pas martese, d.m.th. miratimi i prostitucionit dhe i homoseksualizmit, si dhe trajtimi i kësaj dukurie nga shoqëria si gjë normale.
2. Përdorimi i shtuar i mjeteve për parandalimin e shtatzënësisë, duke qenë se shtatzënësia ishte një nga arsyet më të forta që ndalonte gruan nga marrëdhëniet seksuale. Humbja e këtij faktori ndikoi që të shtohet prostitucioni te gratë, pa u frikësuar shtatzënësisë.
3. Përhapja e “Seksit të lirë të një gruaje me shumë meshkuj dhe e kundërta”. Meshkujt më nuk kënaqen vetëm me një grua, e as gruaja vetëm me një mashkull, por njeriu kryen marrëdhënie seksuale me numër të madh grash, dhe e kundërta. Po ashtu edhe seksi i shfrenuar po përhapet shumë shpejtë nëpër vendet perëndimore.

Po ashtu mund të themi se, qëndrimi tolerant i shoqërisë ndaj të gjitha formave të marrëdhënieve seksuale është në rritje të vazhdueshme edhe te ne, saqë më nuk ekziston asnjë ndjenjë turpi nga prostitucioni, nga homoseksualizmi dhe nga cilido lloj tjetër i seksit të ndaluar dhe jonormal. Përkundrazi, përmes mjeteve të informimit formohet bindja sipas të cilës është turp për djalin ose për vajzën të jenë të virgjër.
Mjetet e informimit thërrasin në “seks të lirë” dhe e inkurajojnë atë duke e konsideruar si dukuri normale dhe të natyrshme. Ekziston edhe një kënaqësi iluzore e shkaktuar nga bindja se antibiotikët janë në gjendje të shërojnë cilëndo sëmundje venerike që lajmërohet për këtë shkak.
E njëjta gjë ndodh edhe me duhanin. Për kë cigarja e parë ishte kënaqësi, dëfrim? Për kë? Për askë! Ishte një kundërmim i erës së keqe. Ngulfatje! Kollitje! Megjithatë njeriu vazhdon ta pijë. Përse? Nga ndjenja e inferioritetit. Ka dëshirë të dobët, burrë! Ta refuzosh, do të ekspozohesh talljes dhe shpotisë: “T’i nuk je burrë!” Ja, sot kriter i burrërisë qenka vesi (e meta, shprehia e keqe).
Dëgjoni fjalët e një dashamiri:
Kurrë nuk e kam pirë duhanin, gjithnjë kam menduar se nuk kam kohë për një gjë të tillë. Mirëpo, kur tani i analizoj ata që e pinë duhanin dhe ata që nuk e pinë në mesin e rinisë, vërej se bëhet fjalë për një të metë të madhe. Vini re gjestet e tyre si e ndezin cigaren, si e shkundin shpuzën. Të gjitha këto janë poza, gjeste boshe. Në ndërdije luajnë njëfarë roli madhështor. Skena! Kurse në realitet, perde tymi për të mbuluar zbrazëtirën e tyre shpirtërore.
Kjo është njëfarë nevojë për afirmimin e personalitetit. Ata mund të kenë vlera, madje edhe të jenë të vetëdijshëm për të, por në ndërdije dëshirojnë të dallohen në atë shoqëri, të përvetësojnë mjaft rregulla të sjelljes së asaj shoqërie. Atyre u mungon një lloj autonomie shpirtërore dhe vetëkënaqësi, njëfarë stabiliteti shpirtëror.
Shikoni nxënëset e shkollave të mesme! Çka i shtynë që ato pinë duhanin? Cigaret e tyre thjesht të shtangojnë. A s’janë të vetëdijshme se posedojnë rininë dhe bukurinë. Por duhet të kenë edhe mund: Shkollohen – andaj për këtë kanë vërtetime, dëftesa dhe diploma. A thua duhet të posedojnë ndjenjën e inferioritetit? Ato as nuk janë të vetëdijshme, as nuk kanë kush t’ua tërheq vërejtjen se sa të pakëndshme dhe sa të marra duken me cigare në dorë. Madje edhe kriminele – sepse ato një ditë do të bëhen nëna.
Në retë e tymit të dendur lind gënjeshtra e madhe e duhanxhinjëve. Flasin për kënaqësi të madhe… shkarkim. E në realitet, ata janë helmuar me nikotinë. E kanë mësuar organizmin e tyre me të. S’mund të rrinë pa të. Janë bërë robër të cigares.
Keni kujdes: duhani është gjë e panatyrshme. Rregulla ekzistuese në natyrë është: ajo që nuk e ushqen organizmin, është helm. Ta falënderojmë All-llahun për të mirat që na ka dhënë, e t’u largohemi të këqijave. Në Kur’anin Fisnik thuhet: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni!” (El Bekare: 172)
Parim themelor i Islamit është: Çdo gjë që i bën dëm njeriut, është e ndaluar! Andaj, nëse miku ju ofron cigare, konsideronie atë armik. Ai është i pandërgjegjshëm, dhe njeriut të tillë duhet thënë qartë: “Në jetë mos iu nënshtroni duhanit!” S’ka cigare e fundit, pas secilës pason tjetra. Kjo është fatkeqësi e vërtetë! Vetvetes ia merr shëndetin dhe këtë marrëzi e bën me të holla personale. Mirëpo duhanxhinjtë po përpiqen që rrethin e tyre magjik ta zgjerojnë me anëtar të rinjë… Ata i janë nënshtruar këtij kompleksi, e tani mundohen t’i udhëzojnë edhe të tjerët në të. Ata as që çajnë kokën se ai është haram (e ndaluar). As që besojnë në diç të tillë.
Dhe ja, sot secili e ka të qartë se çfarë do të thonë gjërat e shëmtuara nga aspekti mjekësor, human, etik, shëndetësor dhe nga cilido aspekt tjetër, dhe se çfarë të këqija ato i shkaktojnë individit dhe shoqërisë, por megjithatë durohet për hirë të “dashurisë”! Disa njerëz ka herë kanë shfaqur dëshirë për t’iu shmangur dispozitave të All-llahut, qofshin ato në forma të urdhërave apo të ndalesave.
Kjo dëshirë është pasojë natyrore e pasimit të verbër të asaj çka vetëm të prishurit mund ta quajnë civilizim dhe të çdo gjëje negative që ky “civilizim” bart në vete. Ndërkaq pasojat e kësaj më së miri pasqyrohen në gjendjen e tyre të mjerueshme morale, fetare dhe shoqërore. Duke i vështruar të gjitha këto, njeriut të arsyeshëm mund vetëm t’i vijë mirë që nuk është në këtë pikëpamje “i civilizuar”, po madje edhe sikur do ta quanin “të prapambetur” dhe “obskurantist”

Shekulli Agency