Shqipëria, në hartën e rrezikut nga virusi Zika

zika-546637Shqipëria është listuar në hartën e vendeve të rrezikuara nga virusi “Zika”, për shkak të ekzistencës së mushkonjës aedes albopictus apo siç njihet ndryshe si “mushkonja tigër”, e cila është transmetuese e virusit. Sipas hartës së sciencenews.org ky virus e përfshin edhe Shqipërinë si vend në rrezik. Ajo gjendet edhe në disa vende te Mesdheut dhe gjithë rajonin europian.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, është shprehur për “TV Klan” se kjo shpërndarje e mushkonjës në vendet rreth nesh, si dhe rastet e personave të infektuar me këtë virus në Europë, bën të mundur që “Zika” të importohet edhe në vendin tonë.   Por pavërsisht kësaj, Bino thotë se akoma nuk njihen qartë aftësitë transmetuese për virusin “Zika”, që mund të kenë popullatat europiane të mushkonjave apo atyre që qarkullojnë në vendin tonë.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë, ajo çfarë e favorizon Shqipërinë për ta mbajtur ende larg këtë virus, është stina e dimrit. Gjithësesi, ajo çfarë ekspertët këshillojnë është evitimi i udhëtimeve në vendet ku virusi është evidentuar.   “Zika” ka prekur 22 vende në Amerikën e Jugut. Raste janë zbuluar edhe në Europë, si në Spanjë dhe Britani e Madhe.

Shekulli Agency